Thirrje për pjesëmarrje në Konferencën e Nëntë të QSHR-ës

Bordi Shkencor dhe Bordi Drejtues të Qendrës Shqiptare për Riskun (QSHR) ju bëjnë me dije se fillojnë aplikimet për pjesëmarrjen në KONFERNCËN E NËNTË NDËRKOMBËTARE të organizuar nga QSHR. Konferenca e nëntë, do të ketë si temë kryesore: Rajoni i Ballkanit përballë sfidave të bashkëpunimit dhe të integrimit.

Afati për aplikimet është data 26 janar 2018. Propozimet dhe kërkesat për pjesëmarrje do paraqiten në rrugë elektronike, duke plotësuar formën: link për aplikimin. Aplikimet për pjesëmarrje do të prezantohen në formën e një abstrakti të zgjeruar, me jo më shumë se 500 fjalë. Në të duhet të përshkruhet tema e punimit dhe linjat kryesore të tij, objektivat që dëshiron të arrijë autori ose grupi i autorëve si dhe mënyra e projektuar për të vërtetuar idetë, hipotezat apo synimet. Në aplikim autori/autorët duhet të nënvizojnë nëse punimi apo referimi që dëshirojnë të prezantojnë është një punim i veçantë apo është rezultat i një teze doktorature. Kërkohet mirëkuptimi i autorëve që të mos përfshihen në më shumë se dy aplikime.

Ashtu si në konferencat pararendëse, në këtë Konferencë Bordi Shkencor ju fton të prezantoheni me punime shkencore, artikuj dhe kërkime që të kenë në fokus problemet më të rëndësishme lidhur me zhvillimet strategjike, aspektet e zhvillimit të politikave, çështjet financiare të ekonomisë, të sistemit financiar, të rritjes ekonomike, të financimit të ekonomisë, të punësimit, të integrimit të rinisë në ekonomi dhe në sipërmarrje, të reduktimit të papunësisë, të nxitjes së investimeve, të rritjes së kooperimit, të inkurajimit fiskal dhe të rritjes së standardit të jetesës, në harmoni me sfidat që ka vendi ynë dhe Rajoni i Ballkanit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Bordi Shkencor i Konferencës, ka krijuar një komitet ndërkombëtar përzgjedhjeje për aplikimet. Komitetit do t’i prezantohen aplikimet dhe kërkesat për pjesëmarrje pa emrat e autorëve dhe të aplikuesve. Komiteti do t’i përzgjedhë mbi bazën e një sistemi që garanton nivel të lartë shkencor e profesional dhe standard të lartë në punën kërkimore. Rezultatet e përzgjedhjes do t’ju njoftohen jo më vonë se data 5 shkurt 2018. QSHR merr përsipër që punimet më cilësore të referuara në konferencën e nëntë, të bëhen pjesë një konference tjetër ndërkombëtare që do të zhvillohet në vjeshtë të 2018.
Aplikimet e kandidatëve, punimet dhe referimet e konferencës do të prezantohen dhe përgatiten në gjuhën angleze.

Pjesëmarrja në konferencë, datat e sakta, kriteret për përgatitjen, shkrimin dhe dorëzimin e punimit si dhe kërkesat për referim do t’ju bëhen të njohur pas konfirmimit për pranimin e versionit final të punimit. Ndërkohë, ju bëjmë me dije se QSHR do të vazhdojë të respektojë të njëjtat rregulla të karakterit administrativ si edhe në konferencat paraardhëse. Referatet e konferencës do të botohen në versionin anglisht në librin e dedikuar për këtë qëllim si dhe do të publikohen në faqen e internetit të QSHR: www.qshr.org/publikime.

Data të rëndësishme:

  • 26 janar 2018 – afati për dërgimin e aplikimit për pjesëmarrje,
  • 5 shkurt 2018 – përgjigje konfirmuese për aplikimin e dorëzuar,
  • 20 mars 2018 – dorëzim i punimit në versionin përfundimtar,
  • Prill 2018 – zhvillim i konferencës, Dubrovnik, Kroaci.