Të nderuar bashkëpunëtorë,
Bordi Shkencor dhe Bordi Drejtues të Qendrës Shqiptare për Riskun (QSHR), ju bëjnë me dije se fillojnë aplikimet për pjesëmarrjen në KONFERNCËN E SHTATË NDËRKOMBËTARE të organizuar nga QSHR. Konferenca e VII, e cila do të organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Poitiers (Francë), Fakultetin e Ekonomisë të UT dhe me Fakultetin e Ekonomisë dhe të Agrobiznesit në UBT, do të ketë si temë kryesore:
Për zhvillime ekonomike dhe sociale të harmonizuara dhe të qëndrueshme.
Në këtë Konferencë Bordi Shkencor ju fton të prezantoheni me punime shkencore, artikuj dhe kërkime që të kenë në fokus problemet më të rëndësishme financiare të ekonomisë shqiptare, të sistemit financiar shqiptar, të rritjes ekonomike, të financimit të ekonomisë, të punësimit, të integrimit të rinisë në ekonomi dhe në sipërmarrje, të reduktimit të papunësisë, të nxitjes së investimeve, të rritjes së koperimit, të inkurajimit fiskal dhe të rritjes së standardit të jetesës, në harmoni me sfidat që ka vendi në procesin e integrimit. Në trajtë rekomanduese, bëjmë të ditur se do të kenë përparësi (pa u kufizuar në to) punimet në fusha si:
- Rinia dhe integrimi i saj në tregjet në zhvillim,
- Shpejtësia e rritjes dhe politikat fiskale të integruara;
- Sigurimet shoqërore në krizë;
- Probleme të përmirësimit dhe reduktimit të deficitit buxhetor;
- Financimi i rritjes ekonomike me kosto të ulët;
- Mbi nevojën dhe kërkesën për të gjetur pikën kritike në strukturat tatimore;
- Probleme të përmirësimit dhe të harmonizimit të sektorit publik dhe privat,
- Financimi i bizneseve të reja,
- Çfarë duhet kërkuar nga politikbërësit për të përkrahur nxitjen e punësimit?
- Zgjerimi i turizmit kërkon kulturë dhe aftësi krijuese,
- Përmirësimi dhe rritja e eficencës së ndërmarrjeve dhe kompanive të sektorit publik;
- Rritja e rolit dhe ndikimit të sistemit bankar në ekonomi;
- Dinamika e problemeve të funksionimit të shoqërive tregtare;
- Indikatorë të marrjes nën manaxhim të kredive të këqija etj.
- Eficenca e politikave monetare të Bankës Qendrore dhe roli i saj në rritjen ekonomike.
Aplikimet fillojnë më 05 mars 2015 dhe do të vazhdojnë deri më datën 30 prill 2015. Propozimet dhe kërkesat për pjesëmarrje do paraqiten në rrugë elektronike, në adresën: [email protected]. Aplikimet për pjesëmarrje do të prezantohen në formën e një abstrakti të zgjeruar, me jo më shumë se 800 fjalë. Në të duhet të përshkruhet tema e punimit dhe linjat kryesore të tij, objektivat që dëshiron të arrijë autori ose grupi i autorëve si dhe mënyra e projektuar për të vërtetuar idetë, hipotezat apo synimet. Në aplikim autori/autorët duhet të nënvizojnë nëse punimi apo referimi që dëshirojnë të prezantojnë është një punim i veçantë apo është rezultat i një teze doktorature. Kërkohet mirëkuptimi i autorëve që të mos përfshihen në më shumë se dy aplikime.
Bordi Shkencor i Konferencës, ka krijuar një komitet ndërkombëtar përzgjedhjeje për aplikimet. Komitetit do t’i prezantohen aplikimet dhe kërkesat për pjesëmarrje pa emrat e autorëve dhe të aplikuesve. Komiteti do t’i përzgjedhë mbi bazën e një sistemi që garanton nivel të lartë shkencor e profesional dhe standard të lartë në punën kërkimore. Rezultatet e përzgjedhjes do t’ju njoftohen jo më vonë se data 15 maj 2015.
Aplikimet e kandidatëve, punimet dhe referimet e konferencës do të prezantohen dhe përgatiten në anglisht. Gjuha zyrtare e konferencës do të jetë gjuha angleze.
Pjesëmarrja në Konferencën e VII, vendi ku do të organizohet Konferenca, datat e sakta, kriteret për përgatitjen, shkrimin dhe dorëzimin e punimit si dhe kërkesat për referim do t’ju bëhen të njohur në vijim. Ndërkohë, Ju bëjmë me dije se QSHR do të vazhdojë të respektojë të njëjtat rregulla të karakterit administrativ si edhe në gjashtë Konferencat paraardhëse. Referatet e Konferencës do të botohen në versionin anglisht në librin e dedikuar për këtë qëllim si dhe do të publikohen online në faqen e internetit të QSHR: www.qshr.org
DATA TË RËNDËSISHME:
- 30 prill 2015: afati i fundit për dërgimin e aplikimeve në formën e abstraktit të zgjeruar;
- 15 maj 2015: konfirmimi i pranimit të aplikimeve;
- 31 gusht 2015: afati i fundit për dërgimin e versionit përfundimtar të punimeve;
- 15 shtator 2015: konfirmimi i pranimit të punimit;
- 01 deri 20 tetor 2015: zhvillimi i Konferencës së VII
Për më shumë, na kontaktoni në email [email protected]