Tag Archives: liri ekonomike

Deformimet e tregut dhe abuzimi me lirinë ekonomike

Nga Sherif BUNDO
Profesor i financave në Universitetin e Tiranës

Në këtë një çerek shekulli të historisë demokratike të shoqërisë shqiptare, zhvillimet në fushën e ekonomisë janë mjaft interesante. Analiza e kujdesshme e transformimeve dhe rritjes ekonomike përbën një proçes shumë të rëndësishëm dhe me interes në dy këndvështrime. Së pari, për të studiuar arritjet, për të evidentuar mundësitë dhe për të identifikuar rezervat. Avantazhet ekonomike të një vëndi janë energjia që e vë në lëvizje rritjen ekonomike të tij dhe busulla që drejton dhe orienton prirjet ekonomike. Së dyti, studimi na jep mundësinë të kuptojmë gabimet, të reflektojmë ndaj tyre dhe të korrigjojmë deformimet që i kushtojnë ekonomisë. Më duhet të nënvizoj që në fillim se një gabim i vogël, i pastudiuar, një gabim që buron nga voluntarizmi në ekonomi, dhe në mënyrë të veçantë në financë, përkthehet në shifra kolosale, në kosto të rënda për ekonominë dhe shoqërinë. Në këtë rast, kemi të bëjmë me atë që në fjalorin e financave quhet risk sistematik, i padiversifikueshëm, i pa evitueshëm. Në të kundërt, gabimet e një specialisti të thjeshtë apo të një drejtuesi individual në një ndërmarrje, përbën një kosto operacionale të evitueshme dhe një risk të veçantë, të shkëputur, të diversifikueshëm.

Pa u zgjatur në shpjegime të tjera, të kësaj natyre, më duhet të shtroj disa pyetje që në vlerësimin tim përbëjnë thelbin e zhvillimeve. Avantazhet e liberalizimit dhe te tregut janë të padiskutueshme. Nuk dëshiroj të merrem me këtë anë dhe nuk dëshiroj të bëj historianin. Shqetësimi im është gjetkë. A ka patur dhe a ka ekonomia e derisotme shqiptare zhvillime të pakontrolluara? Tregu, ky gjenerator i zhvillimit dhe rritjes ekonomike, ka manifestuar gjithnjë vetëm zhvillime pozitive dhe progres, apo ka patur dhe ka edhe deformime që burojnë natyrshëm nga forcat e keqorientuara të tregut? A ka ekzistuar mundësia e korrigjimit të zhvillimeve të pakontrolluara të tregut? Kërkesa dhe oferta në treg, për mallra dhe shërbime, janë rregullatorë të mjaftueshëm, apo është dashur që roli ekulibrues i shtetit të konceptohej ndryshe? Nëse tregu prodhon vetvetiu deformime, a duhet të pranojmë se kostot e tyre janë barrë që duhet mbajtur dhe përballuar dhe se nuk ka vënd për ndjeshmëri subjektive në ekonomi? Pyetje të tilla mundojnë dhe preokupojnë këdo që ka një formim të mirë dhe të mjaftueshëm në ekonomi dhe që ka ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe qytetarie.

Përpara se të shpreh opinionin, tashmë të konsoliduar, se në Shqipëri ka patur zhvillime të pakontrolluara, që do të duhej të evitoheshin, për të reduktuar kostot që këto zhvillime i kanë rrëmbyer ekonomisë, më duhet të nënvizoj se roli ekulibrues dhe sjellja e shtetit është çështje filozofie dhe konceptimi. Ky rol, kudo, kurdoherë dhe vazhdimisht ka qënë dhe është produkt i formimit profesional, individual, të personave që drejtojnë shtetin dhe drejtojnë institucionet. Politikat i hartojnë individët. Ky rol është në funksion të faktit se si e kuptojnë dhe si e konceptojnë ekonominë e tregut individët që i hartojnë këto politika. Duke qënë se politikat ekonomike dhe roli i shtetit janë çështje madhore për një vënd, ato duhet të jenë përfundime të nxjerra nga laboratorët e mendimit ekonomik dhe nga studimi, minimalisht, i efekteve që kanë prodhuar dhe prodhojnë të njëjtat politika në vënde dhe ekonomi me kushte të ngjashme. Në ekonomi nuk ka mundësi për eksperimentime. E pakta e domosdoshme që duhet kërkuar është që politikat ekonomike të konceptohen jo si detyrë dhe privilegj i një grupi të reduktuar individësh, ndonjëherë me formim ekonomik dhe profesional të pamjaftueshëm, por si një nevojë, jetësore, në të cilën të përfshihen profesionistët dhe teknicienët më të mirë dhe më të formuar të mundshëm të vëndit. A ka ndodhur dhe a ndodh kështu? Do të ishte një gabim i madh t’i përgjigjem kësaj pyetje të fundit me një po, ose jo, të thatë. Analiza e zhvillimeve duhet të shërbejë si një përgjigje e argumentuar. Roli ekulibrues dhe korrigjues i shtetit për evitimin e kostove të panevojshme dhe të deformimeve është njëra gjë. Sjellja e shtetit në shërbim të nxitjes së këtyre deformimeve është një gjë tjetër, shumë e rëndësishme.

Në këto kushte, gjykoj, është mjaft e rëndësishme të nënvizojmë se në hartimin e politikave dhe shprehjen e tyre nëpërmjet ligjeve, si vullnete të shumicave, roli i shtetit përveçse atribut i formimit të individit është edhe derivat i qëndrimit me administratën. Në këto 25 vite ka dominuar sjellja partizane dhe militante me administratën. Militantët e përdorur si “mish për top” profesionalisht e shumëfishojnë efektin negativ në ekonomi, të shkallës së lartë të ndikimit të mungesës së profesionalizmit dhe të voluntarizmit në punët e shtetit. Shpesh herë, në ekonomi, zgjidhjet dhe vendimmarrjet e drejta janë shumë afër me arsyetimin dhe gjykimin racional.

Në rastin më të mirë, një politikbërës, apo grupe politike, kur kupton apo kuptojnë  se ka/kanë gabuar në politikat e veta, deklaron se pranon që ka gabuar dhe se tani e tutje mbaron karriera e tij/tyre. Variantet më të këqija janë pa mbarim. Rrotacionet politike bëjnë që të zëvëndësohet një politikë ekonomike e gabuar me një politikë tjetër ekonomike që duhet testuar brënda një mandati tjetër nëse është e drejtë apo jo. A mjafton mbyllja e karrierës politike të një politikëbërësi për të zëvëndësuar kostot që bien në shpinë të shoqërisë nga deformimet e tregut apo nga dështimet në treg për shkak të aplikimit të politikave të papërshtatëshme, apo të formuluara jo në mënyrën e duhur? Përgjigjen dhe arsyetimin më të mirë e jep kushdo, mjafton që të shpjegojmë dhe të kuptojmë cilat janë disa nga zhvillimet e pakontrolluara të tregut në vëndin tonë dhe sa na kanë kushtuar ato? A mund të evitoheshin? A duhej të evitoheshin?

Deformimi i parë, privatizimet pa kriter. Si temë dhe problematikë është e njohur për publikun. Në thelb, problemi qëndron në pyetjen: a është realizuar një performancë më e mirë në të gjithë sektorët, objektet dhe ndërmarrjet e privatizuara? A është gjetur varianti më i mirë në privatizim? A kanë sot, objektet e privatizuara performancë më të mirë krahësuar me peridhën para privatizimit? A ka ende pasuri kombëtare të privatizuar, por të shndërruar në aktive hedhurina? Për të gjykuar lidhur me performancën e privatizimeve mjafton të studiojmë një parametër të vetëm: sa përqind e pronarëve që privatizuan objektet ish pronë shtetërore për herë të parë, vijojnë të jenë pronarë të ndërmarrjeve të privatizuara? Rezulton se mbi 58.6 % e objekteve të privatizuara janë tjetërsuar. Fakti që janë rishitur flet shumë. Zhvillim i pakontrolluar i tregut, ligj i papërshtatshëm, apo mungesë në zbatimin e ligjit? Apo të treja njëherësh? Ky fakt tregon se ndërmarrjet janë privatizuar në favor të individëve të mbështetur nga administrata shtetërore dhe/ose nga politika dhe jo në favor të individëve që kishin aftësi sipërmarrëse dhe programe të qarta zhvillimi ekonomik dhe teknollogjik. Të kuptohemi, jo të gjitha objektet dhe ndërmarrjet e privatizuara duhet domosdoshmërisht të performojnë më mirë. Një pjesë e tyre do të falimentojnë. Ky është ligj i tregut. Por masa e falimentimit ka një kufi llogjik dhe ekonomik. Ai është i lidhur me ciklin e biznesit. 

Në pamje të parë, duket pa vënd të ndalemi, apo të kthehemi, në një fenomen që sot nuk përbën tendencë, nuk është fenomen dominues apo që sot privatizimet konsiderohen dosje të mbyllura. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të propozohet rishikimi apo hapja e dosjeve të privatizimeve, por të kuptohet se një proces i konceptuar dhe drejtuar keq është në shpinë të të gjithë ekonomisë dhe të shoqërisë dhe se mbrapshtësia e procesit kthen mbrapsh gjithë shoqërinë, mban peng zhvillimin dhe progresin ekonomik. Privatizime dhe nacionalizime ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen si nevojë për ekulibër dhe barazpeshë. E mira për të cilën angazhohet dhe ekziston shteti është sigurimi i barazisë dhe të drejtës. Ky është një parim i formuluar prej Aristotelit që para 2350 vitesh.

Deformimi i dytë, ndërtimet pa lejë dhe pa kriter. Është pa asnjë dyshim një prej zhvillimeve më të mbrapshta në shoqërinë shqiptare. Toka, trojet, në shoqërinë tonë janë trajtuar në mënyrën më të mbrapshtë të mundshme. Zhvillimet e tregut në këtë element kanë qënë tërësisht në krahët e anarkisë. Ndërto ku të mundesh, ka qënë jo vetëm një sjellje që ka dëmtuar dhe shpërdoruar mjaft vlerat urbane dhe ambjentet publike në zonat urbane, por ky mentalitet ka shërbyer si një eksplozion që ka shkatërruar tokën bujqësore, pyjet, vreshtat, ullishtet, agrumet, etj. Ndërtimet pa kriter dhe pa lejë në Shqipëri të japin idenë e plotë të një shoqërie që ka ecur per një çerek shekulli në rrjedhje të lirë. Në këtë pikë, mund të themi me plot gojën që ska pasur shtet. Ndërtimet pa lejë kanë shpërdoruar tokën që të parët e kanë rruajtur me fanatizëm si burimin më të shtrenjtë dhe të paktë të jetës së tyre. Nuk mjafton pronësia mbi tokën për të justifikuar çdo lloj ndërtimi mbi tokë. Ndërtimet pa lejë, një deformim i tregut, apo abuzim me lirinë ekonomike? Ndërtimi i një objekti ndërtimor të çdo lloji, në çdo vënd të mundshëm, është një çështje private, është një çështje e lidhur thjeshtë me lirinë e individit, apo është një problem i interesave publike? Jo, pronësia mbi tokën është dhe do të jetë private, por interesi publik mbi administrimin dhe përdorimin e tokës është dhe duhet të jetë gjithnjë një shqetësim shoqërror. Ndërtimet pa lejë dhe pa kriter, kanë kërkuar fonde për tu ndërtuar, duke shpërdoruar një herë e përgjithnjë fondin e tokës, por ato kërkojnë dhe angazhojnë fonde  të tjera shtesë për t’i prishur ndërtimet pa lejë. Shpesh herë, të gjithë njëzëri, miratojmë prishjet për ndërtimet pa lejë. Por harrojmë që janë fonde, pasuri e madhe financiare e vëndit, pasuri kombëtare që shkatërrohet. A mund të justifikohen këto qëndrime me zhvillimet e tregut? Jo, në asnjë mënyrë. Individi jeton në komunitet. Komunitetet kanë nevojë për rregullime. Kjo nuk është ndërhyrje dhe deformim i tregut por, përkundrazi, sjellje e kontrolluar njerëzore.

Shteti në emër të interesave të shoqërisë është i interesuar që toka të punohet, që paralelisht me punimin e tokës të nxitet zënia me punë. Njëherësh shtohet prodhimi bujqësor dhe blegtoral dhe begatohet individi në një kuptim makroekonomik. Kjo është arsyea dhe kuptimi ekonomik i vendosjes së tatimit mbi tokën bujqësore, si tatim mbi pasurinë. Por, zhvillimet në tregun e tokës në vëndin tonë janë dramatike. Abuzim me lirinë ekonomike apo moszbatim të ligjit? Të dyja njëherësh. Abuzimet me “lirinë ekonomike” të individit janë tronditëse. Toka shpërdorohet vetëm një herë. Të parët tanë patën mirësinë, edukatën, kulturën dhe dashurinë që e ruajtën tokën si një nga gjërat më të shtrënjta. Ne si qytetarë, qeveritë e këtyre viteve si përgjegjëse, kanë lejuar një deformim që do tu kushtojë brezave të ardhshëm. Me siguri, ndonjëri do të ngrejë përsëri zërin: ky është rregullimi që bëri tregu! Cili treg? Si ka funksionuar ai? Sa i plotë ka qënë tregu? A kanë pasur mundësinë që të gëzojnë akses të përsosur në informacionin lidhur me zhvillimet e tregut të tokës, të gjithë operatorët e interesuar? Jo, me plot gojën jo. Tregu në këtë element ka qënë monopol i një grupi shumë të kufizuar individësh, të cilët për asnjë lloj merite profesionale, pronësie, apo risku, janë gdhirë të pasur, madje shumë shumë të pasur.

Deformi i i tretë: firmat piramidale. E kemi dëgjuar justifikimin që firmat piramidale ishin produkt i tregut të lirë. Kemi dëgjuar gjithashtu edhe një justifikim tjetër se firmat piramidale ndodhën nga që qeveria nuk e dinte e “nuk kuptonte” se çfarë po ndodhte dhe se asnjë specialist, asnjë bankier, asnjë financier, asnjë jurist apo prokuror nuk e ngriti zërin dhe të denonconte se çfarë po ndodhte. Në fakt kjo nuk është aspak e vërtetë. Për faktin se ngritën zërin, disa pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, në UT, humbën në mënyrën më skandaloze të mundur, vëndet e punës. Qeveria e kohës u ndje e turpëruar më vonë, por kjo pak rëndësi ka. Rëndësi ka një fakt tjetër: Firmat piramidale shpërdoruan rreth 1.5 miliardë euro të ekonomisë shqiptare. Në vitet kur ndodhën, kjo pasuri ishte shumë, shumë e vlefshme dhe se kjo pasuri financiare mjaftonte për ta shumëfishuar dhe nxitur mjaft ekonominë. Përsëri, kemi të bëjmë me një abuzim, të ndërgjegjshëm të shtetit, me lirinë ekonomike.” Lëreni individin të sillet si të dëshirojë”. Jo, në ekonomi, faktorët socialë, kulturorë, psikollogjikë, moralë dhe faktorët e lidhur me traditën dhe historinë kanë shkallë të lartë ndikimi. Ekonomia është shkencë sociale që ndikohet nga faktorë të tillë, madje mjaft. Për shkak të faktorëve psikollogjikë kanë falimentuar banka brënda një dite. Firmat nuk ishin produkt i tregut, por deformim i qëllimshëm i tij. Në një konferencë të kohës, një ish drejtues, deklaroi afërsisht kështu: “ne do të lejojmë të rrjedhë pastrimi i parave se kështu do zhvillojmë, madje shpejtë, ekonominë”. Pra kjo ishte filozofi e shtetit, mentalitet i tij. Ishte në një farë mënyre konceptim i gabuar, apo më saktë i ekzagjeruar, i termit treg i lirë. Shpjegimet e mëvonëshme kanë shërbyer si justifikime të një njeriu të zënë në faj.

Dëmi që i shkaktoi fenomeni “firma piramidale” ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare ishte i shumëfishtë. Ato pothuaj paralizuan sistemin financiar dhe bankar për disa vite. Dëmtuan mbi të gjitha mentalitetin e punës dhe injektuan pasigurinë e individit te institucionet e ndërmjetësimit financiar. Mbi të gjitha, pasuritë e firmave piramidale janë bërë në vijim objekt i një marrëzie tjetër disa vjeçare.

Deformimi i katërt, fenomeni kioska. Fenomeni kioska ishte përfytyrimi më banal i tregut dhe i ekonomisë së tregut. Në atë kohë, mjaft profesionistë të ekonomisë orientuan dhe propozuan që paratë e investuara vënd e pa vënd në kioska të vendosura dhe të instaluara kudo, në mënyrë të shëmtuar dhe në trajtë primitive, të orientoheshin në katet e para të pallateve, të cilat të shndërroheshin gradualisht në ambjente të kultivuara tregëtare. Sikur të mos kishim nxjerrë fare mësime, fenomenti kioskë përsëritet edhe sot. Nuk ka një rrugë që lidh dy qytete që të mos ketë ndërtimë pa lejë në të paktën çdo kilometër. Nuk ka kilometër që të mos ketë nga dy dhe tre pika të shpërndarjes së karburanteve. Në çdo 100 metra rrugë në qytete, gjen tre deri katër farmaci, tre deri katër furra buke, pesë deri gjashtë kafene, katër deri pesë permanente, dy deri tre llotari sportive. Këto të fundit, që u krijua përshtypja sikur po viheshin nën kontroll po shtohen përsëri dita ditës. Biznese që konkurojnë pa asnjë kriter njëri tjetrin. Deformimi i tregut ka lidhje edhe me mungesën apo mos zbatimin e ligjit. Biznese që ushtrojnë aktivitet pa kurrëfarë llogjike dhe koncepti. E rregullon vetë tregu biznesin kam dëgjuar të thuhet. Ky është konceptimi më i shtrëmbëruar i rolit të tregut dhe i veprimit rregullator të ofertës dhe të kërkesës. Çfarë kuptimi ka roli regullator i tregut në faktin që në një distancë 78 kilometra, studentët e degës së Financës në Universitetin e Tiranës, kishin numëruar dhe llogaritur 86 qëndra të shpërndarjes së karburanteve. Janë miliona që mund të ishin investuar diku duke plotësuar një boshllëk, duke zhvilluar dhe zbukuruar një sector tjetër. Kjo është tepërim me lirinë ekonomike. Është thjesht, mungesë vizioni dhe shpërdorim i energjive dhe burimeve financiare.

Në një rrugë të shkatërruar të qytetit të Tiranës, në një lagje jo dhe aq periferike, janë ndërtuar dy lokale lluksoze, një kafene dhe një restorant. Këtë luks në një kafe nuk e gjen as në Paris e në Londër. Duket qartë që ka një konflikt të madh midis luksit të biznesit privat dhe mjerimit të rrugës si objekt publik. A mund të veprojë tregu vetëm në një krah? A mund të ketë kuptim roli rregullator i tregut që bashkon luksin dhe mjerimin në të njëjtin vënd? A ka vlerë një objekt luksoz privat në një mjedis me infrastruktura publike mesjetare? Këtë lloj tregu do ta kishte mallkuar vetë Adam Smithi, i cili fuqinë çudibërëse të dorës së padukshme të tregut e shihte te barazia e operatorëve në treg, te aksesi i barabartë në raport me informacionin, te trajtimi i njëjtë i subjekteve prej shtetit dhe te reagimi dhe sjellja racionale e individëve.

Deformimi i pestë, ekonomia e drogës. Ekonomia e drogës është një fenomen më vete. Është produkt i një sjellje tjetër të shtetit, të ngjashme me disa të tjera të përmendura më sipër. Kultivimi i drogës, kamufluar mbas mentalitetit dhe arsyetimit që është tregu i lirë që i prodhon këto fenomene, është një deformim me pasoja po aq të mëdha. Madje edhe më të mëdha. Në kuptimin ligjor dhe financiar, ekonomia e drogës, deformoi zhvillimin ekonomik të vëndit. Me paratë e drogës vërtetë u ndërtuan objekte luksoze ku u punësuan njerëz dhe u shtua pasuria kombëtare. Por, ekonomia e drogës kultivoi mentalitetin se paratë dhe kapitalet mund të vihen në rrugë të paligjshme, pa shumë mund. Mjafton të kesh përkrahjen e shtetit. Ekonomia e drogës është ekonomi kriminale. Abuzimi dhe tepërimi me lirinë ekonomike e keq orienton zhvillimin ekonomik. Deformimi që ka bërë dhe bëri ekonomia e drogës dhe pasojat negative të saj duhen kërkuar më thellë në shoqërinë tonë, te kriminalizimi i një pjesë të shoqërisë, te lëvizja kundër rrymës, te toka e lënë pa punuar, te imazhi jashtëzakonisht i keq krijuar për shqiptarët, te kostot e mëdha që ka përballuar dhe përballon shteti për ta kthyer në normalitet këtë segment të jetës, shoqërisë dhe të ekonomisë. Pasojat e ekonomisë së drogës do të ndihen gjatë.

Rregullat e arta të tregut

A është e vështirë të kuptosh nëse jemi pro apo kundër rregullave të tregut? Për të kuptuar nëse një fenomen ekonomik është zhvillim normal apo deformim i tregut, mjafton që tu referohemi rregullave të arta të tregut. Ka rregullat e veta të arta të funksionimit të lirisë ekonomike dhe të rregullimit të tregut. Ekonomia dhe shoqëria e orientuar nga tregu e ka bazën e ekzistencës së vet te katër faktorë bazë: pronësia private, konkurenca e lirë, inisiativa dhe aftësitë sipërmarrëse. Të katër faktorët kanë nevojë të garantohen nga arbitri shtet dhe operatorët duhet të gëzojnë lirinë e të qënit të barabartë ndaj të katër faktorëve njëherësh. Ndryshe tregu nuk vetfunksionon dhe nuk vetrregullohet. Ndryshe, tregu prodhon gjithnjë zhvillime të pakontrolluara dhe shoqëria vuan pasojat dhe kostot e përballimit të tyre si dhe kostot e ndërhyrjes, për të rregulluar dhe kthyer në normalitet deformimet që burojnë dhe krijohen nga zhvillimet e pakontrolluara.

 Të nxjerrim mësimet e nevojshme

Në realitetin shqiptar një pjesë e deformimeve e kanë origjinën te padituria dhe mungesa e njohurive mbi mënyrën se si funksionon tregu. Ndaj duhen ekonomistët dhe financierët. Nuk është luks fakti që profesionistët më të mirë të ekonomisë dhe të financave, krerët e shteteve i mbajnë si konsulentët dhe këshilltart me të cilët projektohen politikat dhe reformat në ekonomi.

Mësimi numër një është i lidhur me faktin se në ekonomi duhen evituar sjelljet dhe aksionet voluntariste. Ekonomia ka ligjet e veta. Hartimi i një ligji të papërshtatshëm dhe neglizhenca për zbatimin e tij, janë njëlloj. Vërtetë ligjet e ekonomisë nuk janë si ligjet e natyrës. Ato marrin në konsideratë rolin shumë të madhe të faktorit njeri, me gjithë elementët e vet përbërës, me shkallë të lartë të ndikimit të faktorëve kulturorë, historikë, tradicionalë, psikollogjikë, moralë, etj. Do të ishte një paaftësi e madhe që të vazhdojmë të manifestojmë në ekonomi, si deri më sot, mentalitetin “laisser faire” (lëri gjërat të rrjedhin vetë). Vëzhgoni sa shumë na ka kushtuar mentaliteti dhe filozofia e ndjekur deri tani “bëj e prish”. Na lipset të ndërtojmë, madje vazhdimisht dhe pa prishur. Por, të ndërtojmë atë që duhet, në mënyrën e duhur, në vëndin e duhur dhe në kohën e duhur. Kjo kërkon domosdoshmërisht të respektojmë disa rregulla bazë.

Rregulli i parë, në ekonomi duhet të bjemë dakord për disa gjëra kapitale dhe strategjike të përbashkëta. Për fat, në këto 25 vitet e fundit të rrugës në ekonominë dhe shoqërinë e tregut, kemi treguar mirëkuptim mbarë kombëtar në dy drejtime thelbësore dhe strategjike. Dhe atje ku kemi qënë të unifikuar, kemi arritur edhe rezultate konkrete. Në çëshjten e Kosovës dhe në çështjen e integrimit, pothuaj të gjithë kanë qënë dakord dhe pa vonesa për drejtimin e lëvizjes. Nuk ka të majtë dhe të djathtë lidhur me nevojën dhe domosdoshmërinë e zhvillimit ekonomik. Zhvillimi ekonomik nuk pranon ekstremizma. Nuk pranon as nxitjen e anarkisë nën maskën e lirisë së tregut dhe as radikalizmin dhe centralizimin e tepëruar nën maskën e përgjegjësisë së shtetit. Ekstremizmat janë kurdoherë të dëmshme. Nuk shkohet në ekulibër me ekstremizma. Në këtë pikë na duhet të kuptojmë se modeli i tregut që duhet instaluar në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare është modeli i ekonomisë dhe shoqërisë europiane ku dëshirojmë dhe po integrohemi. Modeli ekonomik europian është modeli i tregut me fytyrën më njerëzore.

Rregulli i dytë, në ekonomi, të respektojmë gjithcka bën mirë paraardhësi ynë. Historia nuk fillon nga unë dhe nuk fillon gjithnjë nga e para. Shoqëritë e emancipuara akumulojnë përherë dhe vazhdimisht. Por akumulojnë dhe shtojnë pasuri të ndërtuara në përputhje me koncepte të pranuara si me vlerë të madhe. Kritikojeni politikisht dhe hidhni poshtë idetë e kundërshtarëve tuaj, por pranoni me përulje punën e mirë të bërë nga kushtdo. Kush ka kurajon të pranojë punën e mirë të bërë nga të tjerët lartëson  veten e vet. Çdo të ndodhte në Gjermani nëse një forcë politike të firmoste një kontratë të rëndësisë kombëtare dhe tjetra ta prishte? A do të kishte Bashkimi Europian sot monedhën euro nëse të djathtët dhe të majtët nuk do të mbështesnin të njëjtën reformë të unifikimit monetar? A do të kishte sot projekte ekonomike të përbashkëta fiskale, tregëtare, apo sociale, europiane nëse nuk respektohen rregullat e komunitetit nga partitë e të gjtha krahëve? Ekonomia nuk ka ngjyrë. Në çështjet thelbësore të zhvillimit ekonomik, në modelin e tregut që na përshtatet, në qëndrimin ndaj institucioneve që mbikqyrin dhe rregullojnë tregjet, në investimet e mëdha infrastrukturore, në përparësitë e zhvillimit, në qëndrimin ndaj organeve të pavarura si Banka e Shqipërisë, ERE, autoriteti Konkurencës, Autoriteti Mbikqyrjes Financiare, Borde dhe Këshilla të rëndësisë kombëtare, etj, jemi të dënuar të manifestojmë qëndrime të përbashkëta.

Por, akoma më e rëndësishme është nevoja e hartimit dhe implementimit të politikave të përbashkëta në fushën fiskale. Ligjet fiskale natyrisht provokojnë ndasi. Kjo është fare normale. Por, shtrati i përbashkët që rregullon lindjen e një aktiviteti dhe proçedurat tatimore të komunikimit fiskal me shtetin ka nevojë të jenë të mbarëpranuara. Në disa vënde, ligji më i rëndësishëm tatimor është Kodi fiskal, hartuar dhe miratuar si gjithë kodet, me shumicë të cilësuar apo me konsensus. Më kujtohet fare mirë, dikur, një forcë politike bënte thirrje për mosbindje fiskale, apo për mospagesë të energjisë elektrike. Ndonjëherë ka edhe politikanë mëndjeshkurtër që përkrahin qëndrime të tilla në këmbim të votive elektorale. Sa politikë e keqkonceptuar! Mosbindje fiskale do të thotë të bëjmë thirrje bizneseve të mos paguajnë tatimet dhe taksat. Mos bindje fiskale do të thotë thirrje për të shkatërruar dhe rrëzuar godinën shtetërore nën të cilën je strehuar edhe vetë. Sot nuk dallojnë shumë të majtët dhe të djathtët lidhur me proçedurat tatimore, lidhur me mënyrën e funksionimit dhe të modernizimit të skemave të sigurimeve shoqërore, lidhur me nevojën për të rregulluar dhe mbikqyrur tregun financiar dhe bankar, lidhur me mbrojtjen dhe përkrahjen e prodhimit vëndas, lidhur me ruajtjen dhe konservimin e mjedisit, lidhur me nevojën apo jo të Tatimit mbi vlerën e shtuar, etj, etj.

Mentaliteti të ndryshojmë gjithçka se tani jemi ne, është shumë i dëmshëm. Ndryshimet dhe reformat kërkojnë debat dhe konsensus njëherësh. Në mungesë të tyre kultivohet moszbatimi i ligjit që pjell zhvillimin e pakontrolluar dhe deformimin. Ndryshimet e herëpasherëshme të ligjeve, qoftë edhe atyre fiskale, tregojnë njëherësh tre gjëra të rëndësishme. Së pari evidentojnë faktin se nevoja për të ndryshuar një ligj buron nga nxitimi me të cilin është instaluar. Duhet korrigjuar një gabim. Në ekonomi nuk mund të bëhen gjëra shpejtë e shpejtë. Sa e rëndësishme është përpunimi i një alternative ekonomike! Politikat e reja kërkojnë prurje të reja, kërkojnë njerës të rinj me mentalitet të ri, por modern dhe të përgjegjshëm. Në vijim, ndryshimet e shpeshta të ligjeve mbartin me vete një nivel të lartë të riskut politik. Më bën përshtypje, madje shumë, fakti që në Francë ka mbi 25 vjet që shkalla tatimore standard  e Tatimit mbi vlerën e shtuar nuk ndryshon (19.6 %).  Po kështu nuk ndryshojnë shumë as politikat fiskale mbi biznesin e vogël. Tek ne, poltikat fiskale dhe thelbi i tyre duket sikur është fluger politik. Ndryshohen dhe premtohet se do të ndryshohen prapë, mjafton që të prodhojnë më shumë vota në fushata elektorale. Së fundi, themeli mbi të cilën qëndron fort zbatimi i ligjit është e lidhur me dukatën. Si mund të mirëedukohet publiku me edukatën e zbatimit të ligjit kur akoma pa e mësuar mirë përmbajtjen e tij, është hedhur për diskutim ndryshimi. Debati deri në miratimin e ligjit është normal. Që në momentin që ato miratohen, të zbatohen pa hezitim, nga çdokush dhe kurdo. Qëndrueshmëria ekonomike në treg është e lidhur edhe me respektin ndaj ligjit.

Së treti, ekonomia është e të gjithëve, është baza e çdo mirëqënie dhe prosperiteti. Duhet kërkuar mirëkuptimi. Por edhe duhet dhënë mirëkuptimi. Të bjemë dakord në atë se çka e kemi favor, e kemi avantazh, e kemi të gjithë. Të zhvillojmë dhe modernizojmë vlerat që kemi, të mos ndryshojmë drejtimet strategjike të zhvillimit sa herë të na teket. Drejtimet strategjike të zhvillimit janë linja, janë shinat, që nuk ndryshojnë sa herë që “ndryshon moti”, apo sa herë që emërohen dhe ç’emërohen drejtorë apo ministra. Ngritja dhe prishja pa kriter e strukturave qeveritare është dëmi më i madh që një pushtetar, ose disa syresh, mund t’i shkaktojnë një vëndi. Nëse turizmi sot ka një varg problemesh të pazgjidhura dhe të pakonsoliduara, kjo vjen përveç të tjerash edhe nga fakti se qysh prej 18 vitesh strukturat e organeve qëndrore të turizmit kanë ndryshuar rreth 14 herë. A mund të presësh rezultate nga struktura të tilla? Ndodh shpesh që për të hequr një individ me mandat nga një post i rëndësishëm pune, drejtues të institucioneve kushtetuese, më e thjeshtë është të ndryshohet ligji dhe pastaj të riemërohen drejtuesit e rinj. Çdo ndodhte nëse Bashkimi Europian do të kërkonte të ndryshonte strukturën e Bankës Qëndrore Europiane çdo katër vjet që ka zgjedhje?

Reformat e thella në ekonomi kërkojnë konsensus. Për opinionin tim, për çdo lloj kontrate konçensionare, kushtdo qoftë ajo, për cilëndo fushë dhe për këdo investitor, duhet domosdoshmërisht që të ketë një lloj konsensusi. Kur bëhet fjalë për operacione të fuqishme mbi pasuritë minerare kombëtare, për privatizime të sektorëve strategjikë, për përdorime dhe menaxhime të sektorëve të rëndësishëm të interesave publike, për përdorimin e burimeve ujore dhe natyrore, për menaxhimin e territorit dhe të bregdetit, etj, duhet konsensus parimor. Duhet një lloj konsesusi më i avancuar se ai që kërkohet për reformën territorial. Një kontratë konçensionare mund t’i kushtojë ekonomisë dhe vëndit shumë më tepër se administrata e një komune, caktuar gabimisht më tepër me ligjin e ndarjes territoriale. Ndërkohë, edhe këtu ka nevojë për konsensus.

Kujtdo i ka bërë përshtypje besoj pesha e rëndë e faturave dhe e shifrave trajtuar në Kuvend dhe në media kohët e fundit lidhur me konçensionet. Ministri i ekonomisë ka deklaruar, me të drejtë, se qeveria aktuale nuk mund të rishikojë kontratat konçesionare të firmosura nga qeveria e mëparshme, sepse ato krijojnë një faturë shtesë për buxhetin e shtetit, që kapërxen 250 milion euro. Këtu dalin njëherësh disa probleme: Së pari, pse nuk u trajtua me forcën e duhur dhe në kohën e duhur problemi? Pse nuk i bllokoi kontratat e padrejta konçesionare që dje kur ishte në opozitë, mazhoranca e sotme? Pse bashkëjetoi me një deformim të dëmshëm dhe të qëllimshëm të tregut? Nuk jam duke analizuar në cilat rrugë dhe nëse e kishte apo jo mundësinë. Në vijim: pse ishte e nevojshme që në fushatë elektorale të deklarohej se do të rrishikohen të gjitha kontratat konçesionare të firmosura nga qeveria e mëparëshme? Deklarata emocionale dhe politike! Qëndrim po aq voluntarist sa edhe paraardhësi. Një faturë afërsisht 90 milionë euro i shkaktoi buxhetit të shtetit çështja CEZ. Po kështu, një faturë afërsisht 60 milionë euro i shkaktoi buxhetit të shtetit çështja e trenit elektrik Tiranë-Durrës. Fakte të tilla fatkeqësisht ka shumë.

Kush e gjykoi dhe e peshoi me saktësi nëse përfitimi i disa dhjetëra kilovatorë të prodhuar nga ndërtimi i një HEC-i, të dhënë me konçension, vlen më tepër se biodiversiteti i sakrifikuar, se rënia në zhvillimin agroushqimor të zonës, se braktisja e traditës dhe reduktimi i prodhimeve rurale, apo braktisja nga banorët, të zonës ku rrjedhin ndër shekuj ujrat e dhëna me konçesion? A ju nënshtrua studimi i fizibilitetit, mbi të cilën është realizuar kontrata konçesionare, një debati të hapur dhe gjithëpërfshirës me grupet e interesuara? A jemi në gjëndje të gjykojmë se kush i ka shkaktuar më shumë dëm ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, qeveria e Zogut që nënëshkroi le të themi 10 kontrata koncesionare apo një ministër i dhjetëviteve të fundit që ka nënëshkruar mbi 100 kontrata koncensionare? Krahësimi në kohë dhe burime është i pavënd, por në procedura dhe politika është i njëjtë. Moszbatim i ligjit, ligj i hartuar dhe konceptuar gabim, apo të dyja së bashku? Ne kemi nevojë, sigurisht që të prodhojmë dhe të shtojmë energji elektrike, nga burime të rinovueshme, por jo në kurriz të kthimit në shkretëtirë të zonave të caktuara. Disa individë dhe investitorë kanë marrë me mundime dhe “sakrifica” të mëdha kontrata të tilla të cilat deri sot kanë filluar të bëhën objekt i shitjeve dhe blerjeve të shumta, në një treg që nuk funksionon dhe në të cilin, operatorët nuk kanë mundësi dhe nuk manifestojnë sjellje racionale.

Formalizimi i ekonomisë është një nevojë emergjente. Por formalizimi i ekonomisë dhe korrigjimi i deformimeve të tregut nuk mund të zgjidhet duke nxitur deformime të tjera. Politikat ekonomike dhe në mënyrë të veçantë ato fiskale, ka nevojë që të jenë minimalisht produkt i një studimi empirik të degës, sektorit, faktorëve, zhvillimeve, dinamikës dhe efekteve që priten të arrihen apo synohen të arrihen nga aplikimi i një politike të caktuar. Mbi bazën e çfarë studimi u arrit në konkluzionin se shkalla më e përshtatëshme tatimore për tatimin mbi fitimin duhet të jetë 15 % dhe jo 10 % sa ishte, apo jo 12%, apo 19%? Pse shkalla tatimore e tatimit mbi të ardhurat personale u caktua 13 % dhe jo 14 %, apo 16 %? Pse pragu i ndryshimit të shkallës tatimore është 130 000 lekë dhe jo 150 000 lekë? Diskutimi për mekanizmat apo shkallët tatimore është atribut i qeverive, por finalizuar jo mbi sjellje voluntariste.

Në bujqësi, zhvillimi dhe shtimi i prodhimit bujqësor është e lidhur me integrimin e fermerit me tregun dhe me lehtësimin e këtyre lidhjeve. Ai duhet të ndjejë drejtepërdrejtë sinjalet që jep tregu. Nëse midis fermerit prodhues në zonën rurale dhe konumatorit në zonën urbane ka shumë hallka të ndërmjetme atëherë fermeri nuk është i interesuar dhe prodhimi vëndas do të konkurohet lehtësisht nga prodhuesit e huaj. Në tregëtimin e karburanteve do të rishikohet sistemi i liçensave të tregëtimit. Në arsimin e lartë do të rishikohen liçensat e universiteteve private. Po kështu edhe në mjaft sektorë të tjerë. Pyetja që shtrohet është si do të realizohen këto reforma? Mbi çfarë kriteresh? A do të dominojë forca e parasë, e mandatit, e pushtetit mediatik dhe e “pushteteve të tjera” për të diferencuar dhe seleksionuar vazhdimin e aktiviteteve? A do të ketë një seleksionim administrativ dhe subjektiv apo do të përdoren kritere ekonomike dhe llogjike? Një ligj i ndërtuar jo mirë është deformim i tregut, ndërhyrje pa kriter në treg dhe që provokon zhvillime të pakontrolluara njëlloj, madje edhe më keq, se në kushtet e mungesës totale të rregullimit ligjor.

Botën e shtyjnë përpara idetë. Idetë prodhohen dhe përpunohen nëpër laboratorët e ideve. Qeveritë më të mira dhe më të suksesshme janë ato që qëmtojnë dhe kanë urtësinë që t’i gjejnë idetë dhe t’i kthejnë ato në gjeneratorë të ndryshimit dhe të progresit. Tregu luan rolin e gjeneratorit kur forcat dhe energjitë e tij nuk shpërdorohen dhe kur padituria e individëve të veçantë nuk lejohet të dominojë shoqërinë dhe të deformojë zhvillimin ekonomik, korrigjimi i pasojave të të cilit ka kosto jashtëzakonisht të mëdha.