Nga Profesor Sherif BUNDO
Puna, veprimtaria njerëzore, është pa dyshim burimi i çdo të mire dhe pasurie. Njërzit e zgjuar, dijetarët e mëdhenj, filozofët e lashtë dhe largpamës, kanë ditur të predikojnë dhe të veçojnë te njeriu, një nga sjelljet dhe gjërat më të çmuara të tij: qëndrimin dhe dashurinë ndaj punës. Diskutimi, për rolin e punës në transformimin e vetë njeriut, është aq i lashtë sa është e lashtë vetë jeta njerëzore. Qëndrimi ndaj punës, përbën sot një gur themeli për vlerat universale të dijetarëve të mëdhenj, ndër të cilët, unë kam zgjedhur të flas për Sami Frashërin, dijetarin dhe pishtarin e Familjes, për opinionin tim, më të madhe në gjithë historinë e Kombit shqiptar.
Puna është nevojë, është domosdoshmëri, apo është vetë mënyra e jetesës dhe e ekzistencës së shoqërisë? Njeriu lind apo bëhet puntor? Njeriu rritet me punën apo puna vetë e rrit njeriun? Puna për njeriun është pasion, apo detyrim? Këto pyetje, të karakterit filozofik, kanë lidhje me mënyrën se si jeton njeriu. Këto pyetje kanë të bëjnë me thelbin ekzistencial të shoqërisë. Ato shprehin thelbin e qënies njerëzore, shprehin raportin midis fizikes dhe shpirtërores, midis ideales dhe materiales, midis të shkuarës dhe të ardhmes, midis lumturisë dhe skamjes, midis dijes dhe injorancës, midis luksit dhe mjerimit, midis patriotizmit dhe tradhëtisë, midis të mirës dhe të keqes. Temë, sigurisht mjaft e vështirë! Por, dijetarët e mëdhenj, shquhen dhe hyjnë në histori pikërisht se vendosin shpirtin e tyre në themelet e një kombi, në ndërgjegjen e tij.
Kisha menduar se qëndrimi ndaj punës, ndaj parasë, ndaj kapitalit, ndaj biznesit, ndaj tatimeve dhe taksave, ndaj investimeve dhe konçensioneve, etj, tema të tilla, janë ekskluzivitet i ekonomistëve. Por, u binda që isha i gabuar, kur pashë përmasat e arsyetimit ekonomik dhe dimensionet e filozofisë së punës në veprën madhore të Sami Frashërit. Për Samiun, puna është burimi i gjithçkaje. Filozofia e punës, në veprën e Samiut, ka shumë dimensione, apo më saktë është pa fillim dhe pa mbarim. Për të mund të shkruhen disa doktoratura. Në pamundësi për ti trajtuar në mënyrë ezauruese, të gjitha dimensionet e mundshme, si dhe në pamundësi të elaborimit të tyre në pak minutat që kam në dispozicion, më lejoni të ndalem në tre-katër dimensione të punës në filozofinë e Sami Frashërit.
1. Samiu punën e sheh të lidhur ngushtë me fjalën. Ena njerëzore është e mbushur me dy gjysma, nga Puna dhe nga Fjala. Në njërën gjysmë është fjala e mirë, është dashamirësia, është atdhedashuria, është komplimenti, është ledhatimi, është solidariteti, është përkëdhelja, është respekti, është predispozicioni për ta mirëkuptuar tjetrin, është gadishmëria për ta ndihmuar, është këmbëngulja dhe vendosmëria…, etj. Në gjysmën tjetër është mosmirënjohja, brutaliteti, sjellja e vrazhdët, hajdutëria, fyerja, kriminaliteti, shpërdorimi i fjalës….etj. Samiu kërkon që të përdoret me shumë kujdes sjellja ndaj punës dhe qëndrimi ndaj fjalës. “Sa e lirë është fjala në botë, aq e shtrënjtë është puna”, apo më tej: “Gjuha është një organ i trupit. Nga ajo mjekët kuptojnë gjëndjen shëndetësore të trupit, ndërsa dijetarët atë të mëndjes”.
Puna është një kriter i rëndësishëm, për të përzgjedhur dhe dalluar njerëzit. Jeta është e sertë, e ashpër. Ajo të përplas me njerëz të ndryshëm, me tipa të ndryshëm, me karaktere të ndryshme, me gjuhë të ndryshme, raca të ndryshme, gjini të ndryshme, mosha të ndryshme, profesione të ndryshme, etj. Prej tyre, një pjesë të madhe, individi i takon në jetë për herë të parë. Por, edhe në se me dikë është takuar shpesh herë, nuk mund të pretendosh se mund ta njohësh plotësisht dhe menjëherë një njeri, aq më tepër kur ai nuk të shfaqet siç është. Përdor punën si kriter, për të dalluar dhe përzgjedhur njerëzit, thotë Samiu. Në se është puntor, është i zoti, është i pasur, është solidar, është i shëndetshëm, është i drejtë, jeton mirë, të mirëkupton, zbaton ligjin, është i fjalës, nuk është hajdut, nuk është shërrëxhi, është i dashur, bëhet i ditur. Dembeli është parazit, është fjalëshumë, është i varfër, jeton keq, te ai kultivohen edhe vese, bëhet barrë për të tjerët, etj, etj. “Nuk vlen asgjë mendja dhe zotësia e atyre që nuk u shihet puna”, thotë Samiu. “Për të kryer një punë, nuk lispet vetëm të dish, por kryesisht të duash, vazhdon ai“. dhe më tej vijon: “Punët e mira nuk duhen ndyrë me fjalë të këqia”, apo, “Të punosh pa folur është më mirë se sa të flasësh pa punuar”.
E pra, përdoreni punën, qëndrimin ndaj punës, si kriter për të dalluar dhe zgjedhur miqtë, si kriter për të vlerësuar njerzit dhe meritat e tyre. Këto mësime të vyera të Sami Frashërit, më tingëllojnë mjaft aktuale, veçanërisht sot, kur instrumentat dhe teknikat e fjalës janë sofistikuar. Në kohët e sotme, moderne, fjala është pasuia që shpërdorohet më shpejtë dhe më keq. Fjala, e pa peshuar, vret punën, vret moralin, vret jetë njerëzish, vret shpresën. Nuk vlerësohet një njeri nga fjalët e bukura që thotë, por nga punët e mira që bën. Në mënyrë të veçantë, politika është fusha e shpërdorimit të fjalës, në të dy krahët e shqipes, andej dhe këtej kufirit. “Fjala e keq dashësit, thotë Samiu, është si qymyri, edhe kur nuk e djeg sendin që e prek, e nxin atë”. “Me zhurmë, vazhdon ai, nuk kryhet asnjë punë. Njëriu i punës është i heshtur”. Për të flet vetë puna me shumë se gjuha. Një punë e bukur është më e mirë (dobishme) se një mijë fjalë të bukura. A thua që Sami Frashëri i ka shkruar këto rreshta, pikërisht për fjalorin që përdor politika e sotme në komunikimin e përditshëm me publikun, në Shqipëri?
2. Dimensioni i dytë i filozofisë së punës te vepra e Sami Frashërit, është raporti midis punës dhe pasurisë.
Ska dyshim që puna është burimi i begatisë dhe i mirëqënies. Duke e kërkuar rritjen e të ardhurave dhe të pasurisë prej punës, në fakt dijetari Sami Frashëri, predikon progresin, predikon lidhjen e fortë të individit me familjen, me atdheun, me pasurinë, me tokën, me të ardhmen. Ka një cak, ka një kufi, ka një limit, pasuror pas të cilit vrapojnë njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Në funksion të moshës, të profesionit, të misionit që kryen, individët e ndryshëm janë të motivuar dhe tërhiqen në jetën e tyre nga objektiva të ndryshme. Kështu fëmijën, nxënësin dhe studentin në shkollë e motivon nota, gruan dhe nënën kujdesi për shtëpinë dhe fëmijët, biznesmenin fitimi, rritja dhe aftësia për të krijuar veprimtari të reja, politikanin kariera, shkencëtarin dhe akademikun veprat dhe titujt akademikë, artistin dhe sportistin fama dhe trofetë, e kështu me rradhë. Por, Samiu, kërkon që këto ambicie të realizohen vetëm nëpërmjet punës, së ndershme dhe të palodhur. “Tregëtia që të jep më shumë fitim është puna. Ai që pëlqen veten e tij (është fjala për mëndjemadhin), nuk pëlqehet nga askush”.
Pasuria nuk duhet tu errësojë sytë njerëzve. Ajo nuk duhet të kthehet në të kundërtën e vet. Raporti midis individit, pasurisë dhe parasë është i çuditshëm. “Njëriun e bëjnë të përjetshëm veprat, thotë Samiu”. “Jeta, mirëqënia dhe rehatia blihen me punë: kush punon shumë, asnjëherë nuk vuan dhe nuk bie ngushtë”.
Njerëzia, paranë e ka krijuar si nevojë për të realizuar këmbimet ekonomike me të tjerët, për të realizuar shkëmbimin e produkteve të punës së tij me ato të të tjerëve, për ta përdorur si matëse të të gjithë asaj që krijon dhe prodhon, për ta përdorur si instrument të kursimeve dhe të të ardhmes. Ajo, paraja, është një krijesë në shërbim të njeriut. Është në një farë mënyre, një skllave në duart e njerëzve, që ta përdorin për kërkesat, interesat, jetën dhe begatinë e tyre. Kjo skllave, i bindet verbërisht “pronarit” të saj, që e mban në dorë dhe e përdor. Këtë filozofi, Sami FRASHËRI, e njeh mirë. Skllavja para, ka pushtetin e vet pozitiv, por kur ky pushtet përdoret për mirësi e progres, kur vendimet merren nga një dorë që bazohet te arsyeja njerëzore, te mireqënia, te begatia, te rritja e standardit të jetesës, te solidariteti dhe njerëzillëku. “Te maskarenjtë dhe interesaxjinjtë, miku dhe armiku, zgjidhet nga interesi. Asnjë punë e tyre nuk është e sinqertë”, nënvizon Sami FRASHËRI.
Skllavja para ka edhe pushtetin e shkatërrimit dhe të varfërisë, ka edhe pushtetin e skamjes dhe të mjerimit. Karakteri misterioz i parasë, shtohet edhe më shumë kur asaj i vishen atribute politike. Njerëzit, jo më kot, thonë që me para blen gjithçka. Historikisht, stampimi i simboleve politike mbi kartmonedhat që emetojnë bankat, e fetishizojnë paranë, duke i dhënë asaj edhe atribute që në thelb nuk i ka. Kur, skllavja para, merr pushtetet që nuk i ka, dhe kur këto pushtete përdoren nga duar jo racionale, jo të arsyeshme, atëherë skllavja para skllavëron pronarin e saj, robëron njeriun. Paraja është diçka shumë e rëndësishme në jetë, por ajo nuk është gjithçka. Gjithçka është qënia humane, integriteti njerëzor dhe kombëtar, është arsyeja njerëzore. “Pasuria e vogël, që përdoret me nikoqirllëk, zë vënd më mirë se sa thesaret e keq administruara”. “Ai që mendon vetëm për interesat e veta, është njeri i ulët”, thotë Samiu. Njerëzit që vrapojnë të babëzitur dhe në mënyrë të verbër pas parasë, humbasin toruan, llogjikën, arsyen, humbasin të qënit njeri, udhëhiqen nga veset dhe bëhen të rrezikshëm, që në kohën e sotme moderne, quhen kriminelë, terroristë, të korruptuar, hajdutë, mosmirënjohës, dhe epitete të tjera të ngjashme. “Nuk është varfëria ajo që e mundon njeriun, është makutëria. Nuk është pasuria ajo që e bën të lumtur, është mirësia“. Pasuria më e madhe është koha. Me siguri, në kohën e Samiut nuk njihej koncepti shkencor në financë, ai i vlerës në kohë të parasë, nuk njihej ajo që paraja në kohë të ndryshme ka vlerë të ndryshme. Por, dijetarët, janë të tillë, se edhe pa njohur formulimin e ligjeve, kuptojnë mekanizmin e funksionimit të tyre. Samiu, njeh mirë filozofinë e popullit, madje jo të një populli të vetëm. “Po të përdoret mirë koha do të mjaftojë për të mbaruar çdo punë”. “Kush u hyn shumë punëve në të njëjtën kohë, nuk mund të kryejë asnjërën. Gabimi i atij që punon me dëshirë dhe me ëndje, është më i vogël se puna e atij që punon me ngut”.
3. Dimensioni i tretë në filozofinë e punës të Samiut, është angazhimi dhe përkushtimi për punët e shtetit. Për të qënë qeveritar i mirë, i çdo niveli, një individ duhet të plotësojë minimalisht katër kushte: të jetë i ndershëm, të jetë profesionist i ditur, të jetë atdhetar, dhe të jetë qytetar. Fytyra e një shoqërie duket të imazhi i atyre që e qeverisin atë. Samiu e kishte peng mirëqeverisjen e vëndit të vet. Ata, qeveritarët nuk duhet as të kenë paga shumë të larta dhe as duhet të kenë paga shumë të ulëta. Politikanët dhe njerëzit që qeverisin vëndet tona të Ballkanit, sot në kohët moderne, duket sheshit që nuk janë gjithnjë qytetarë. Një pjesë e tyre vuajnë nga sëmundja e fodullëkut dhe e mendjemadhësisë. Karriget e pushtetit janë të kontaminuara nga pëlqimi i vetvetes (rënia në dashuri me veten). Popullsia e veriut të Shqipërisë, kryesisht e Shkodrës, përdor një fjalë të urtë që thotë: nuk ka më keq se sa me të hy veti në qejf (të dashurohesh me veten tënde). Kjo sëmundje sot ndodh shpesh. Kjo sëmundje përhapet përditë, si epidemi, sepse politikanët nuk janë qytetarët më të mirë dhe dëndur jo profesionistë. “Shkalla e parë e marrëzisë, është të kujtosh se je i mençur”. Nuk mund të bëjë punë të mëdha një njeri me shpirt të vogël. Një pushtetar i mirë, është i mirë se ka aftësinë të dëgjojë dhe të pranojë këshilla. Ai që pranon këshilla është më i madh se ai që jep këshilla. Një qytetar i rritur mirë, është i urtë, dëgjon, këshillohet, nuk fyen, nuk është fodull dhe nuk është ironik. “Ajo që qeveris botën, thotë Samiu, nuk është as forca dhe as ligji, por mirësjellja dhe edukata e atyre që qeverisin”, dhe më tej vazhdon: “Në çfarë pune hyn një mulli, që i dëgjohet zhurma dhe nuk i duket mielli?”, apo “Kush çmon një ligësi, është më i lig se vetë ligësia”.
Mungesa e profesionalizmit i bën qeverisjet të orientuara keq, e bën qeverisjen të rëndomtë, nuk e bën atë strategjike dhe afatgjatë. Vetëm një profesionist i mirë, i nderuar dhe i respektuar nga kolegët e tij, është i aftë të prijë dhe të qeverisë. Po qe se kërkon të testosh një njeri, në se është ose jo i aftë të qeverisë, atëherë, bëj pyetjen: a e duan dhe e respektojnë kolegët e tij? A ka ai aftësitë tju imponohet me punë dhe me vepra kolegëve të tij? Në se po, atëherë ai e ka fituar të drejtën për të qeverisur. Qeveritarët duhet të jenë të ndershëm dhe të drejtë. Ndershmëria dhe drejtësia janë oksigjeni i qeverisjes. Kur citon Sadiun, filozofin persian, Samiu thotë: “Po ti marrë Sovrani një kokërr vezë fshatarit, njerzit e tij ja grabisin të gjitha pulat”. Për Samiun, qeverisja duhet të jetë e paqme dhe e ndriçuar, si buka që hamë dhe si uji që pimë. “Qeverisja e mirë lind nga rregulli dhe nga kujdesi”, “Dita është e shkurtër, puna është e gjatë” dhe “Dijetari dhe qeveritari i mirë nuk thotë çka di, i marri nuk di çka thotë”.
Për Samiun, shkalla më e lartë e dëshpërimit të një njeriu është ajo që vjen prej zhgënjimit. Ska faj më të madh se shpërdorimi i besimit. Ska ligësi më të madhe në botë se mosmirënjohja. Shërbyesit e njerëzimit, kundrejt veprave të mira që kanë bërë tërë jetën, shpresojnë të paktën të dëgjojnë një falënderim, të shohin pak nderim dhe respekt. Po kur shohin se janë mospërfillur dhe harruar, apo janë armiqësuar dhe përbuzur, kjo është shkalla më e lartë e poshtërsisë njerëzore. Njerzit besojnë dhe ju jepen fjalëve, por zhgënjimi te një njeri që ke besuar dhe i ke dhuruar gjithçka, është i tmershëm. Forca e mendimit dhe roli i ideve janë më të larta dhe më të forta se çdo gjë tjetër. Forca e mendimit është më e mprehtë se tehu i shpatës. Botën e shtyjnë përpara idetë. Ide prodhojnë njerëzit e ditur dhe të kultivuar, prodhojnë elitat intelektuale, prodhojnë njerzit e urtë, punëtore dhe profesionistë. Në çdo punë ka pak ose shumë dobi. Vetëm në të folurit e shumtë nuk ka aspak dobi. Për politikanin e dështuar, prej të cilit njerzit janë të zhgënjyer, Samiu përdor një fjalë të urtë të një dijetari të lashtë, që nuk i përmëndet emri, për mbishkrimin që do të vihet te varri i një politikani megalloman: “Ai që prehet këtu, edhe kur ishte gjallë, ska bërë asgjësendi”.
Për Samiun, punët e qeverisjes nuk mund të jenë të vogla dhe të mëdha. Çdo punë që është në shërbim të qytetarëve, që është punë e një njeriu të ndershëm, që është punë e një profesionisti dhe njeriu të drejtë, është gjithnjë punë e dobishme. Përgjegjësitë, janë të mëdha dhe të vogla. Është gabim ti japësh një njeriu të vogël, punë të mëdha, nënvizon Sami Frashëri, apo ti japësh punë të vogla atij njeriu që mund të bëjë punë të mëdha. “Nuk mund të dalë puna e madhe nga dora e atij që nuk i përfill punët e vogla. Në se ka dy dijetarë të pagabueshëm, thotë Samiu, njëri prej tyre është puna, prova”. Është e kotë, të presësh punë të mira nga një qeveri, që bën reforma jo për tu shërbyer ideve, por personave, që nuk i shërbejnë interesit të përgjithshëm, por interesave personale ose të grupit. Puna më e keqe në botë është të mos kesh aftësinë dhe të pranosh punët që kanë bërë dhe bëjnë të tjerët, por të lëvdohesh dhe të mburresh vetëm me ato që ke bërë vetë. “Po ta zmadhosh një punë, në fakt e ke zvogëluar atë, thotë Samiu“. “Mburrja dhe madhështia është krimbi i pasurisë, ndërsa lakmia për famë, është krimbi i lirisë dhe i qeverisjes”. Njerëzit e edukuar dhe të mësuar janë të thjeshtë. Kjo është stolia e tyre. Sa më shumë njërëz të tillë të ketë në qeverisje, aq më shumë e stolisur do të jetë vetë qeverisja.
Të ndëruar pjesmarrës,
Pa dyshim, puna është një nga karakteristikat me jetësore të vëllezërve Frashëri. Unë kam bindjen që dashuria për punën, është karakteristika që tipizon më saktë një përmetar. Frashëllinjtë, duke qënë përmetarë, i kanë dhënë dimensione shumë të mëdha filozofisë së punës. Por, as Frashëllinjtë dhe as puna nuk i përkasin vetëm Përmetit. Frashëllinjtë i përkasin gjithë Kombit, ndërsa puna gjithë GLOBIT. Kjo temë kaq e gjërë, nuk mundet asnjëherë të trajtohet përfundimisht.
Ju faleminderit për vëmëndjen!