Category Archives: Blog

Në këtë faqe do të gjeni materiale diskutimi, artikuj dhe komente për çështje në fokus të QSHR.

Të mendojmë e veprojmë sot për ekonominë nesër

Kriza, në të cilën është përfshirë vendi, krahas problemeve të shëndetit, ka nxjerrë në plan të parë ekonominë. Ekonomia dhe zhvillimi i saj janë një mekanizëm gjigant, që as ndalohen menjëherë dhe as mund të lëvizin menjëherë. Për zhvillimin e saj duhet menduar shumë seriozisht që sot, nesër do të jetë vonë, shumë vonë. Para mendimit ekonomik vendas, por në mënyrë të veçantë para strukturave vendimmarrëse, shtohet për zgjidhje një problem i madh: cili është rendi i prioriteteve? Organet dhe strukturat qeverisëse duhet të merren me menaxhimin e së sotmes apo mendimi dhe veprimi duhet t’i paraprijë një perspektive të arsyeshme? Pa neglizhuar të sotmen, duke u marrë seriozisht me emergjencën, duhet paralelisht të projektojmë veprimet dhe të llogarisim efektet e së nesërmes. Duhet të veprojmë në mënyrë të tillë që të manifestojmë se jemi të aftë të ndërtojmë aksione që shohin përtej një jave dhe një muaji. Në të kundërt, pasojat do të jenë të pallogaritshme dhe ato do të na gjykojnë rëndë. Nuk dua të përfitoj nga situata për të kritikuar ata që marrin vendime, të cilët, ca nga ngarkesa, ca nga mungesa e përvojës, ca të mbytur nga politikat e mbrapshta të ndërmarra nga ata vetë në të shkuarën dhe nga mungesa e dukshme e profesionistëve, duken më tepër të preokupuar të zgjidhin dhe t’u përgjigjen problemeve të ditës së atyre të së nesërmes. I ka bllokuar problematika e ditës. Në këtë kuadër, këtë shkrim dua ta ndërtoj më tepër si një ftesë për të parë më larg. Për jetën ekonomike të vendit, duhet të krijohen shtabe ekspertësh dhe profesionistësh. Edhe për ekonominë duhet të ketë shtabe, sikurse edhe për shëndetësinë dhe pandeminë. Vendi nuk ka luksin të konsumojë energji me replika dhe mendime alternative që nuk merren në konsideratë për shkak të sedrës së sëmurë apo fudullëkut. Duhet të bëhen vlerësime dhe të ndërtohen skenarë të projektuar nga njerëz që studiojnë prognozat dhe bëjnë parashikime.

Kjo krizë, provokuar nga një fatkeqësi natyrore, që ka pasuar një tjetër fatkeqësi, atë të tërmetit të 26 nëntorit, ka kostot e saj jo vetëm njerëzore, por edhe ekonomike, të paparashikuara. Këto kosto duhet të përballohen nga tre partnerët socialë të shoqërisë: nga individi dhe familjet e tyre; nga ndërmarrjet si subjekte ekonomike dhe nga shteti si strukturë që është krijuar për të rregulluar bashkëjetesën në komunitet dhe mirëfunksionimin e shoqërisë. Me funksionet financiare të shtetit merren qeveritë, ndaj sugjerimet dhe propozimet e mia gjykoj duhet të jenë çështje në konsideratë të qeverisë dhe Kuvendit. Nëse nuk gjejmë rrugët e duhura të reagimit, kostot për ekonominë dhe shoqërinë do të shumëfishohen. Ministrat dhe qeveritarët të mos bëjnë dispeçerin, zëdhënësin e shtypit, të mos dublojnë gazetarin apo komentatorin, por të projektojnë aksione dhe veprime, të mos ndalin duke prodhuar ide dhe reaguar, të vënë në lëvizje strukturat dhe gjithë shtetin. Ky është misioni i tyre. Reagimi ndaj krizës duhet të vijë paralelisht në disa linja.

CILAT DO TË JENË PASOJAT?

Çdo parashikim është i vështirë, por disa opinione mund të thuhen. Duhet të kemi të qartë se kriza e provokuar nga Covid-19 e ka prekur shumë ekonominë shqiptare. Sektorët që kanë ndërprerë aktivitetin, reduktimi i veprimtarisë me gati 50% në sektorët që e kanë reduktuar dhe ndryshimi i strukturës së kërkesës konsumatore, së bashku me impaktin që japin këta tre faktorë mbi pjesën funksionale të saj, do japin një efekt negativ zinxhir, që do zgjasë në kohë dhe që do të provokojë natyrshëm tri fenomene, për të cilat duhet të jemi koshientë. Do të ketë rënie të ekonomisë. Ekonomia do të përjetojë një rënie, që, sipas një parashikimi të projektuar nga disa ekspertë, do të zgjasë nga 1,5 deri 2,5 vjet. Në këtë fenomen do të mpleksen pasojat negative të të dyja ngjarjeve natyrore. Qeveria duhet të krijojë një grup pune të veçantë që të ketë si mision studimin e zhvillimeve të mëvonshme dhe të përmasave të pasojave të ekonomisë. Aktualisht duhet të përqendrohemi njëherësh në dy drejtime: në përballimin imediat të pasojave dhe zgjidhjen e problemeve emergjente të jetës dhe shëndetit, por edhe në drejtim të projektimit të veprimit për nesër. Kur flas për nesër, kam parasysh, çfarë do bëhet mbas 6 muajsh, mbas një viti, mbas një viti e gjysmë. Nëse nuk mendojmë seriozisht për këtë, do të lodhemi dhe do t’i nënshtrohemi një skenari zhvillimesh pa koncept, pa projekt dhe pa ide të qarta. Për këto projeksione, le të angazhohen strukturat respektive që ka shteti në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë dhe në Bankën e Shqipërisë, të cilët, për shkak të bazës më të plotë dhe të besueshme të të dhënave, mund të ndërtojnë prognoza më të realiste.

Ndërkohë që është e vështirë të bëhen parashikime dhe prognoza të sakta, po me siguri mund të thuhet se do të ketë prishje të natyrshme të raportit të kërkesës dhe të ofertës në shumë e shumë produkte dhe shërbime. Mungesa e eficiencës së tregut dhe rregullimit prej tij do jetë ekstreme. Edhe pse thuhet që ekonomia në sektorët prodhues do të punojë në mënyrë të shtrënguar dhe prodhimi nuk do të ndërpritet, përsëri efektet zinxhir të saj do të ndihen dhe mjaft fort. Kështu, mosfunksionimi i subjekteve të sektorit të turizmit, të shërbimeve të tjera të ngjashme, të restoranteve dhe bareve, të transportit të të gjitha llojeve, bllokimi apo reduktimi shumë i ndjeshëm i import eksporteve, do japin efektet e tyre në sektorin e bujqësisë. Fenomeni i shpërdorimit dhe i hedhjes të prodhimeve bujqësore, për shkak të mbylljes mund të kthehet në një fenomen serioz. Në këto situata, është e natyrshme dhe e pritshme që të ekspozohemi ndaj një normë inflacioni nga 5-8% dhe në disa produkte edhe më shumë. Në këto parametra, për opinionin tim, do të jetë e pranueshme. Në një kohë të dytë do të aplikohen mekanizmat e stabilizimit dhe të tkurrjes së likuiditetit. Siç do ta shpjegoj më poshtë, qeveria dhe shteti duhet të zbatojnë reforma dhe paketa të injektimit të likuiditetit dhe lehtësimit të kreditimit të biznesit, në mënyrë që të inkurajojnë rritjen dhe ridinamizimin ekonomik. Por, kjo do të pasohet nga ana tjetër, pashmangshmërisht me rritje të kërkesës, në kushtet e një ofertë të kufizuar. Efekti zinxhir në disa sektorë do të jetë me diferencë në kohë, për shkak të cikleve ekonomike dhe të zgjatjes së natyrshme të proceseve teknologjike.

SI DO TA PËRJETOJË PUBLIKU KËTË SITUATË?

Këto pasoja, ekonomia dhe shoqëria duhet të jetë koshiente se do t’i kalojë dhe këtu nuk ka aspak vend për panik. Paniku, për opinionin tim, do jetë vërtet i pamenaxhueshëm dhe i thellë nëse sot nuk mendojmë për nesër. Si do përjetohen nga publiku këto pasoja? Duhet të pranojmë të jetojmë si normale, për një periudhë të gjatë kohe, edhe një situatë të vështirë. Siç duket, ky mentalitet e ka bërë Izraelin si vendin që po e menaxhon më mirë krizën në të gjithë botën, pas të cilit renditet Gjermania. Publiku do vazhdojë të jetojë normalisht, por duke ndryshuar strukturën e buxheteve të veta familjare. Në këtë mënyrë, për shkak të reduktimit të të ardhurave, edhe do të konsumohet më pak, por edhe do kursehet më pak. Do kufizohen shpenzimet që në buxhetet familjare quhen të lira, do reduktohen shpenzimet për lëvizje, do reduktohen shpenzimet e luksit, do reduktohen shpenzimet për dhurata, për vizita në qytete të tjera, për turizëm të brendshëm dhe për turizëm të jashtëm, do reduktohen shpenzimet për blerje veshjesh dhe për ndjekje të modës, për spektakle dhe veprimtari sportive, do reduktohen shpenzimet për kafene dhe restorante, për karburante, etj. Nga ana tjetër, ky reduktim i buxheteve familjare do shoqërohet me një rregullim të balancës për shkak të kthimit më shumë te kuzhina në familje dhe kjo pa dyshim ka kosto më të ulët. Kjo sjellje e modifikuar nga reflekset e individëve dhe familjarëve do çojë automatikisht në rënien e kërkesës dhe rënia e kërkesës atrofizon prodhimin, ofertën. Ky është rreth vicioz.

SI DUHET TË SILLET QEVERIA?

Në situata të tilla, tregjet prodhojnë me të shpejtë zhvillime të pakontrolluara, prodhojnë ngjarje që e destabilizojnë më shpejtë ekonominë. Ndaj, roli rregullator i shtetit është më i domosdoshëm se kurrë. Qeveria të bëjë të qartë se duhet ta marrë për dore ekonominë, t’i japë asaj vizionin e saj dhe jo të ndjekë politikën të presim dhe bëjmë si të vijnë situatat. Kjo rrethanë do të ishte njëlloj sikur të mos kishte qeverisje. Vërtet nuk dimë shumë gjëra për sjelljen e virusit, por dimë me saktësi se ekonomia është goditur dhe po goditet rëndë. Fitimet e jashtëzakonshme të realizuara prej rritjes së çmimeve në këto situata të jashtëzakonshme duhet të konsiderohen si abuzive dhe duhet të tatohen në mënyrë selektive dhe me shkallë tatimore shumë të lartë. Strukturat shtetërore që kontrollojnë cilësinë, skadencat, produktet false, respektimin e standardeve, veçanërisht të produkteve ushqimore, duhet të jenë në kulmin e vigjilencës dhe të përgjegjësisë. Këto masa, që për opinionin tim duhet të jenë produkt i një politike konsensuale, do kenë më shumë efekte të karakterit psikologjik për të frenuar abuzimet, sesa të shërbejnë si burim për buxhetin e shtetit me gjobat dhe penalitetet që aplikojnë.

Shqetësimi më serioz do të jetë ai i lidhur me papunësinë dhe shfaqjen apo agravimin e shqetësimeve sociale, shenjat e të cilave kanë kohë që manifestojnë ashpërsinë e tyre. Jo vetëm sektori i turizmit dhe i shërbimeve, por edhe sektorët e tjerë prodhues, ato të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, sektori i industrisë dhe i fasonerisë, sektori i ndërtimit dhe i transportit, aktivitetet socialkulturore dhe sportive, veprimtaria arsimore dhe të edukimit, tregtia dhe në mënyrë të veçantë bizneset e vogla dhe të mesme, nuk do gjenerojnë për një farë kohe vende të reja pune. Ekonomia jonë mund të marrë goditje edhe për shkak të krizës në ekonomitë e vendeve të tjera. Si ekonomi e bazuar kryesisht tek importi, ne do ndiejmë vështirësi në dy linja: do ketë kufizime të importeve, do ketë rënie të remitancave, dhe, pse jo, edhe shtim të të papunëve për shkak të rikthimit të emigrantëve, të paktën në një fazë të parë. Ringritja e ekonomisë do marrë kohën e vet. Kjo do të thellojë shqetësimet sociale dhe do t’i ekspozojë akoma më shumë shtresat dhe grupet e marxhinalizuara.

Ka ndërprerë aktivitetin pothuaj 50-60% e ekonomisë kombëtare, e cila realizon afërsisht 1,25 miliardë euro prodhim të përgjithshëm bruto në muaj. Për vitin 2020 ekonomia shqiptare nuk do të ketë rritje ekonomike, por një rënie ekonomike dhe kjo është e qartë. Rishikimi i buxhetit të shtetit, ristrukturimi i tij, reflektimi i rënies së të ardhurave me natyrë tatimore, përfshirja në buxhet e përftimeve nga ndihmat dhe grantet, nga ndonjë rregullim i të ardhurave të institucioneve të pavarura ose i fitimeve të papërdorura, pa prishur ekuilibrin e tyre, si dhe gjenerimi edhe i burimeve të tjera nga lehtësimi i investimeve publike, pa harruar PPP i shpenzimeve të panevojshme, i një sërë shpenzimesh të karakterit operativ dhe funksional, përfshi këtu edhe një kategori të pagave të administratës publike, rishikimi i buxheteve të institucioneve të pavarura etj., është një veprimtari më shumë rutinë dhe detyrim sesa veprim i zgjuar dhe krijues. Qeveria mund të rinegociojë termat e disa kontratave të huamarrjes, si dhe mund dhe duhet të emetojë një huamarrje të re në kufijtë e deri 400-450 milionë eurove, në mbështetje të një pakete ridinamizimi prej rreth 1 miliard eurosh. Në vlerësimin tim, nuk ka vend të synohet të ulet në kufirin 64,8 % niveli i borxhit ndaj PPB, parashikuar në buxhetin e vitit 2020.

E gjykoj si fare normale, ka qenë dhe është e pritshme, që sektori i sigurimeve të kontribuojë, duke ofruar fonde që formohen nga kontributet e tij në ndihmë të kredidhënies së bizneseve, pa interesa. Në disa vende të Europës dhe të botës, ky aksion ka gjeneruar miliarda dhe miliarda. Nëse gjeneron disa milionë këtu te ne, do ishte mjaft e dobishme. Çdo rënie e numrit të bizneseve, provokuar nesër nga falimentimi i ndërmarrjeve që nuk po punojnë sot, do të ishte edhe në dëmin e këtij sektori jetik, i cili do të ngelte pa klientë dhe për rrjedhojë do të kishim një treg sigurimesh por pa të siguruar.

NË FUSHËN E INKURAJIMIT EKONOMIK

Për këto arsye, gjykoj se shkalla e bashkëpunimit të qeverisë me komunitetet e bizneseve është jetike. Duhet të ndiqen dhe të aplikohen paketa, që nga njëra anë nuk krijojnë pamjen e një deti pa fund mundësish ofruar prej shtetit, por, nga ana tjetër, të paktën psikologjikisht, të mos lejohet që mosbesimi dhe pakënaqësitë të agravojnë akoma më shumë. Në këto kushte, unë sugjeroj se vendimmarrja në kushtet e konsensusit do ishte një veprim i zgjuar. Nëpër disa struktura dhe organe vendimmarrëse dhe menaxheriale të situatës, duhet dhe mund të ftohen profesionistë të mirë dhe njerëz pa angazhime të dukshme politike. Mungesa e dukshme e vizionit dhe e profesionalizmit në strukturat shtetërore të ndihmohet me ekipe të tjera më profesionale nga jashtë.

Gjykoj se duhet mbështetur fort veprimtaria e ndërmarrjeve publike që ofrojnë të mira dhe shërbime publike për gjithë popullatën. Për të përmirësuar dhe ndihmuar veprimtarinë e tyre, mund të kërkohet prej disa operatorëve që përdorin burime natyrore dhe kanë përfituar të drejta koncensionare, si burimet energjetike, burimet minerare, apo ambiente publike të rishikojnë tarifat, t’u propozohet ose një ulje e lehtë e çmimit të tregtimit prej tyre të energjisë elektrike te këto kompani private ose e rishikimit të tarifave. Kjo sjellje justifikohet nga mentaliteti dhe filozofia që shteti synon të bëjë më eficiente burimet e veta natyrore. Mund të përdoret edhe rinegocimi i afateve të dhënies me koncesione me qëllim tolerimin në vite për të kompensuar një aktivizim të parakohshëm, që mundëson rritjen e likuiditetit të qeverisë.

PËR BIZNESET PRIVATE

Ndërmarrjet dhe kompanitë që e kanë pasur të pamundur të punojnë, duhet të trajtohen rast pas rasti nga grupe pune profesionale. Për to, sipas opinionit tim, duhet të përdoren dhe aplikohen edhe këto politika dhe qëndrime: Shteti të ndërhyjë në legjislacion, duke i konsideruar si të zbritshme disa shpenzime që kanë të bëjnë me riaktivizimin dhe ringritjen e ekonomisë, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës, me mbrojtjen e shëndetit në punë dhe me masat e ruajtjes dhe të frenimit të shpërndarjes së virusit. Ndërmarrjet që në dy-tri vitet e fundit kanë depozituar pasqyra financiare me rezultate pozitive dhe që akoma nuk kanë aplikuar shpërndarjen e dividendëve apo përdorimin dhe ristrukturimin e rezervave, ta ndërpresin të paktën për një vit. Këto burime të inkurajohen të përdoren për ringritjen e ekonomisë së tyre. Shteti, duhet të komunikojë hapur me subjektet dhe të ndërtojë një partneritet të dukshëm, për të ndarë, aty ku është mundësia, kostot e pagesës së një asistence (pagë një dhe/ ose dy mujore, në ndonjë sektor ndoshta edhe më shumë) midis qeverisë dhe ndërmarrjes. Të lehtësohen subjektet në pagesat e detyrimeve tatimore, që kanë trajtën e parapagesës, si parapagim të tatimit mbi fitimin, pagesë të taksave vjetore bashkiake apo detyrime të tjera të kësaj natyre. Ato nuk duhet të falen, por të negociohet shtyrja e pagesës së tyre për një periudhë kohore të arsyeshme, një pjesë e të cilave është realizuar. Parapagimet e tatimfitimit nuk mund t’i nënshtrohen praktikës së viteve të kaluara, që bazoheshin në fitimet e një viti më parë. Viti 2020 nuk do ketë kurrfarë ngjashmërie me vitin 2019. Administrata tatimore të asistojë bizneset për të bërë parashikimet në kushtet e reja të rezultateve financiare të pritshme për vitin ushtrimor 2020, dhe të mos penalizohen nëse krijohen diferenca midis parashikimit dhe realizimit në fund të vitit. Për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit, duhet të bëhet e qartë se ata do të jenë përfitues të një pakete ndihme të kufizuar në sasi dhe të limituar në kohë. Për turizmin dhe disa biznese shërbimesh që janë goditur më rëndë dhe parashikohet që kjo situatë të vazhdojë më gjatë, mund të përdoret edhe mekanizmi i TVSH, i cili të reduktohet në zero % për këtë periudhë vjetore të mbetur. Për turizmin, fasoneritë dhe ndërmarrja të tjera të prekura rëndë, edhe një pagesë e pagës minimale për punonjësit për dy ose tre muaj, do ishte e justifikuar, mjafton që ato të mos falimentojnë dhe të zhduken si ndërmarrje. Të konsiderohet krim ekonomik hedhja dhe flakja e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Qeveria duhet të krijojë një plan të posaçëm për bujqësinë. Të mos lejohet asnjë gram produkti bujqësor i patërhequr. Nuk do të ishte e tepërt të krijoheshin qendra shtetërore për thithjen e produkteve bujqësore dhe t’i rieksportonin ose të organizonin eksportin. Ristrukturimi i kredive dhe afateve të maturimit të detyrimeve ndaj bankës, sipas opinionit tim, duhet të realizohet pa i klasifikuar këto kredi si borxh i keq për bankën dhe pa aplikuar mbi pjesën e kësteve të papaguara interesa shtesë ose penalitete mbi interesin nominal. Duhet të shmanget procesi i serisë së falimentimeve, i falimentimeve që shkojnë zinxhir dhe që tërheqin njëri-tjetrin për shkak të paaftësive paguese dhe të mungesës së likuiditetit.

Propozoj ulje të shkallëve tatimore përjashtimisht këtë vit për TVSH në disa sektorë, si shërbimet, restorantet, baret dhe bizneset e ngjashme në mënyrë që të stimulohet kërkesa, e cila të nxisë prodhimin dhe veprimtaritë ekonomike, si dhe ulje të shkallëve tatimore të tatimit mbi fitimin e bizneseve të këtij viti, për të nxitur edhe investimet njëherësh, paralelisht me stimulimin e konsumit. Nga ana tjetër, ulja e shkallës tatimore të tatimfitimit mbi bizneset e mesme dhe të mëdha do ishte një politikë që inkurajon dhe krijon klimën e solidaritetit midis shtetit dhe bizneseve. Nga pikëpamja praktike, shteti nuk pret dhe nuk merr të ardhura shumë të rëndësishme për buxhetin e tij prej tatimit mbi fitimin, për më tepër që këtë vit nuk pritet që bizneset të rezultojnë me fitime të konsiderueshme.

AJO QË KA MË SHUMË RËNDËSI: SI TË GJALLËROHET DHE RIMËKËMBET EKONOMIA?

Pa bërë komente të gjata, do të propozoja që: Fondi sovran i garancisë të përdoret jo vetëm për të garantuar prej shtetit kredinë akorduar bizneseve për pagat, por kjo fashë përfitimi të përdoret edhe për kredi për zgjerimin dhe ringritjen e aktivitetit. Për këtë lipset që qeveria të bëjë kufizime të diferencuara në shuma, në përshtatje me madhësinë dhe kategorinë e biznesit. Të përdoren fonde të posaçme për të marrë përsipër interesin e kredisë prej shtetit, për një kategori biznesesh që janë goditur dhe do të vazhdojnë të goditen rëndë, sikurse është rasti i turizmit, shërbimeve, fasonerisë apo edhe ndonjë sektori tjetër.

Mund të aplikohet një fashë tjetër kredidhënie me interesa minimale dhe kjo shërben qoftë edhe si masë e karakterit psikologjik për administratorët, vendimmarrësit dhe pronarët e bizneseve. Kjo masë e dytë mund t’u ofrohet bizneseve me xhiro më të lartë se një kufi i caktuar. Bizneseve të mëdha mund t’u ofrohet kredi me interesa shumë më të lehta tregtare, por për periudha kohore më të arsyeshme. Injektimi i likuiditetit nëpërmjet kredidhënies bën që ekonominë ta rrëmbejë mentaliteti i rritjes dhe zhvillimit dhe jo frika.

Kujdes sistemin bankar

Duhet të bëhet shumë kujdes që mungesa e likuiditetit për ekonominë të mos shërbejë si barrë për sektorin bankar. Fakti që kemi një sektor bankar të mirëkapitalizuar dhe në gjendje të mirë të likuiditetit, nuk duhet të përdoret në mënyrë abuzive. Bankat, për opinionin tim, të mos lejohen të transferojnë fonde për mëmat e tyre për një periudhë kohore të caktuar dhe të mos lejohen të shpërndajnë dividend për rezultatet e vitit ushtrimor 2019 ose për rezervat dhe provigjonet e papërdorura të viteve të kaluara. Rimarrjet nga provigjonet e viteve të kaluara t’i përdorin si burime për të rritur kapacitetin e tyre kredidhënës dhe për të reduktuar interesat e kredidhënies. Banka e Shqipërisë, mund të ndërtojë një bilanc të studiuar midis burimeve me dhe pa kosto që angazhon sistemi bankar dhe mbi këtë raport të kërkojë dhe të drejtojë disa instrumente të politikës monetare me ndikim mbi kredidhënien për biznesin. Nga sistemi bankar, mund të ofrohet kredi pa kolateral dhe pa procedura të zgjatura burokratike në funksion të një vendimmarrjeje të shpejtë dhe operative. Por, për këtë lloj produkti bankar, duhet të përdoret nga njëra anë kredibiliteti i klientit dhe nga ana tjetër këto lloj kredidhëniesh duhet të jenë në shuma rreptësisht të kufizuara.

Gjykoj se në parim mund të përdoret edhe një politikë tjetër në fushën e kredidhënies: Bankat t’i japin kredi kujtdo që kërkon kredi për biznes, pa procedura fare, por duke bërë të qartë faktin që: mbas stabilizimit të situatës, bizneset do t’i nënshtrohen një skanimi serioz dhe kushdo që ka abuzuar do të penalizohet rëndë, deri në konfiskim dhe pezullim të aktivitetit. Është logjika e një klime ndihme dhe solidariteti. Kjo praktikë kredidhënieje mund të aplikohet për të paguar direkt faturat e papaguara të një biznesi, pa e kushtëzuar atë me analizat e riskut. Për këtë lipset opinioni më profesional dhe i studiuar i Bankës së Shqipërisë. Sistemi bankar mund të aplikojë edhe një sistem kredidhënie që ka trajtën e kredisë se paramiratuar (“credit scoring”), që shkon për kapital punues te bizneset, me kufizime jo më shumë se 10 % e xhiros. Praktika bazohet te historiku i pastër bankar i kompanive. Shteti, ose një grup bankar, mund të krijojnë një strukturë që të luajë rolin e një subjekti faktoringu. Të blejnë duke aplikuar kredi afatshkurtra me interesa simbolike, jo tregtare, të drejtat për arkëtim të ndërmarrjeve që shesin, por nuk arkëtojnë dot prej klientëve të tyre dhe të rikthehen këto kredi në çastin që arkëtimi i tyre bëhet i mundshëm. Kjo skemë mund të përdoret edhe për raportet debi-kredi të ndërmarrjeve më shtetin. Edhe ndërmarrjet tregtare apo kompanitë me gjendje të mirë likuiditeti dhe aftësie paguese, mund të emetojnë letra tregtare (“commercial papaers”), me afat maturimi deri në 12 muaj dhe në shuma që miratohen nga Banka e Shqipërisë, por jo më shumë se 700-800 milionë euro për gjithë ekonominë kombëtare. Ndërmarrjet në sektorët që kanë qenë më të goditur prej krizës mund të lehtësohen edhe në ekspozimin e tyre ndaj detyrimeve për pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këtë duhet bërë kujdes i madh që kjo vështirësi të mos transferohet në kompanitë e pagesës së pensioneve.

NË FUSHËN JURIDIKE DHE TË PROCEDURAVE TREGTARE DHE TATIMORE

Situata do krijojë natyrshëm paaftësi paguese, e cila në disa sektorë do të transmetohet logjikisht nga njëra ndërmarrje te tjera dhe nga njëri sektor te tjetri. Zinxhiri i paaftësive paguese, që mund të reduktohet nëpërmjet masave që propozova te rubrika e kredidhënies, juridikisht, është provë për të shpallur falimentimin. Unë mendoj se shteti, qeveria, duhet të kalojë një akt juridik në Kuvend, me të cilin të deklarojë se nuk do të lejojë fillimin e procedurave juridike të falimentimit për ndërmarrjet dhe subjektet që ekspozohen prej pamundësisë të shlyejnë detyrimet, të pamundësisë të shlyejnë kredinë apo të pamundësisë të përmbushin detyrimet ndaj administratës tatimore. Kjo masë të jetë në fuqi për një periudhë kalimtare dhe ky amendim të jetë i vlefshëm vetëm për ndërmarrjet e prekura prej krizës së Covid-19. Po kështu, duhet të anulohen dhe të bëhen të pavlefshme, për një periudhë kohore të caktuar, të arsyeshme dhe të logjikshme, aplikimi i gjobave dhe kamatëvonesave në rastet kur ato, subjektet, nuk kanë mundësinë apo aftësinë të paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar, detyrimin doganor apo detyrime të tjera. Administrata tatimore të inkurajojë pagesat me këste edhe në rrethana të tjera, tej atyre të parashikuara në ligjin aktual për procedurat tatimore në RSH. Mund të lehtësohen procedurat e regjistrimit të ndryshimeve në QKB dhe të modifikimit të strukturave drejtuese, të mbledhjes së bordeve, të asamblesë së ortakëve apo vendimmarrje të tjera të kësaj natyre.

KOHA PËR BIZNESE TË REJA

Këto situata të jashtëzakonshme do të krijojnë dukshëm mungesa në treg apo do të shpalosin kërkesa, të cilat do të shërbejnë për të nxitur iniciativën për të ndërmarrë sipërmarrje të reja dhe për të krijuar biznese të reja. Situatat me nivel të lartë risku krijojnë njëherësh edhe mundësi me shanse të mëdha për të fituar. Atë që disa nuk e bënë dot para 20 apo 30 vitesh, do të kenë mundësi ta bëjnë sot, duke kërkuar nga vetja të krijojnë sipërmarrje në ato fusha, për të cilat kanë bindjen se janë të aftë t’i bëjnë më mirë. Të veprojmë! Mendimi duhet t’i paraprijë veprimit. Të mos presim çfarë do të bëhet, të mos mendojmë dhe vajtojmë gjatë si do të jetë, por të veprojmë për ta transformuar ekonominë në atë se si duhet të jetë. Ja ky është problemi.

Filizofia e punës në veprën madhore të Sami Frashërit

Nga Profesor Sherif BUNDO

Puna, veprimtaria njerëzore, është pa dyshim burimi i çdo të mire dhe pasurie. Njërzit e zgjuar, dijetarët e mëdhenj, filozofët e lashtë dhe largpamës, kanë ditur të predikojnë dhe të veçojnë te njeriu, një nga sjelljet dhe gjërat më të çmuara të tij: qëndrimin dhe dashurinë ndaj punës. Diskutimi, për rolin e punës në transformimin e vetë njeriut, është aq i lashtë sa është e lashtë vetë jeta njerëzore. Qëndrimi ndaj punës, përbën sot një gur themeli për vlerat universale të dijetarëve të mëdhenj, ndër të cilët, unë kam zgjedhur të flas për Sami Frashërin, dijetarin dhe pishtarin e Familjes, për opinionin tim, më të madhe në gjithë historinë e Kombit shqiptar.

Puna është nevojë, është domosdoshmëri, apo është vetë mënyra e jetesës dhe e ekzistencës së shoqërisë? Njeriu lind apo bëhet puntor? Njeriu rritet me punën apo puna vetë e rrit njeriun? Puna për njeriun është pasion, apo detyrim? Këto pyetje, të karakterit filozofik, kanë lidhje me mënyrën se si jeton njeriu. Këto pyetje kanë të bëjnë me thelbin ekzistencial të shoqërisë. Ato shprehin thelbin e qënies njerëzore, shprehin raportin midis fizikes dhe shpirtërores, midis ideales dhe materiales, midis të shkuarës dhe të ardhmes, midis lumturisë dhe skamjes, midis dijes dhe injorancës, midis luksit dhe mjerimit, midis patriotizmit dhe tradhëtisë, midis të mirës dhe të keqes. Temë, sigurisht mjaft e vështirë! Por, dijetarët e mëdhenj, shquhen dhe hyjnë në histori pikërisht se vendosin shpirtin e tyre në themelet e një kombi, në ndërgjegjen e tij.

Kisha menduar se qëndrimi ndaj punës, ndaj parasë, ndaj kapitalit, ndaj biznesit, ndaj tatimeve dhe taksave, ndaj investimeve dhe konçensioneve, etj, tema të tilla, janë ekskluzivitet i ekonomistëve. Por, u binda që isha i gabuar, kur pashë përmasat e arsyetimit ekonomik dhe dimensionet e filozofisë së punës në veprën madhore të Sami Frashërit. Për Samiun, puna është burimi i gjithçkaje. Filozofia e punës, në veprën e Samiut, ka shumë dimensione, apo më saktë është pa fillim dhe pa mbarim. Për të mund të shkruhen disa doktoratura. Në pamundësi për ti trajtuar në mënyrë ezauruese, të gjitha dimensionet e mundshme, si dhe në pamundësi të elaborimit të tyre në pak minutat që kam në dispozicion, më lejoni të ndalem në tre-katër dimensione të punës në filozofinë e Sami Frashërit.

1. Samiu punën e sheh të lidhur ngushtë me fjalën. Ena njerëzore është e mbushur me dy gjysma, nga Puna dhe nga Fjala. Në njërën gjysmë është fjala e mirë, është dashamirësia, është atdhedashuria, është komplimenti, është ledhatimi, është solidariteti, është përkëdhelja, është respekti, është predispozicioni për ta mirëkuptuar tjetrin, është gadishmëria për ta ndihmuar, është këmbëngulja dhe vendosmëria…, etj. Në gjysmën tjetër është mosmirënjohja, brutaliteti, sjellja e vrazhdët, hajdutëria, fyerja, kriminaliteti, shpërdorimi i fjalës….etj. Samiu kërkon që të përdoret me shumë kujdes sjellja ndaj punës dhe qëndrimi ndaj fjalës. “Sa e lirë është fjala në botë, aq e shtrënjtë është puna”, apo më tej: “Gjuha është një organ i trupit. Nga ajo mjekët kuptojnë gjëndjen shëndetësore të trupit, ndërsa dijetarët atë të mëndjes”.

Puna është një kriter i rëndësishëm, për të përzgjedhur dhe dalluar njerëzit. Jeta është e sertë, e ashpër. Ajo të përplas me njerëz të ndryshëm, me tipa të ndryshëm, me karaktere të ndryshme, me gjuhë të ndryshme, raca të ndryshme, gjini të ndryshme, mosha të ndryshme, profesione të ndryshme, etj. Prej tyre, një pjesë të madhe, individi i takon në jetë për herë të parë. Por, edhe në se me dikë është takuar shpesh herë, nuk mund të pretendosh se mund ta njohësh plotësisht dhe menjëherë një njeri, aq më tepër kur ai nuk të shfaqet siç është. Përdor punën si kriter, për të dalluar dhe përzgjedhur njerëzit, thotë Samiu. Në se është puntor, është i zoti, është i pasur, është solidar, është i shëndetshëm, është i drejtë, jeton mirë, të mirëkupton, zbaton ligjin, është i fjalës, nuk është hajdut, nuk është shërrëxhi, është i dashur, bëhet i ditur. Dembeli është parazit, është fjalëshumë, është i varfër, jeton keq, te ai kultivohen edhe vese, bëhet barrë për të tjerët, etj, etj. “Nuk vlen asgjë mendja dhe zotësia e atyre që nuk u shihet puna”, thotë Samiu. “Për të kryer një punë, nuk lispet vetëm të dish, por kryesisht të duash, vazhdon ai. dhe më tej vijon: “Punët e mira nuk duhen ndyrë me fjalë të këqia”, apo, “Të punosh pa folur është më mirë se sa të flasësh pa punuar”.

E pra, përdoreni punën, qëndrimin ndaj punës, si kriter për të dalluar dhe zgjedhur miqtë, si kriter për të vlerësuar njerzit dhe meritat e tyre. Këto mësime të vyera të Sami Frashërit, më tingëllojnë mjaft aktuale, veçanërisht sot, kur instrumentat dhe teknikat e fjalës janë sofistikuar. Në kohët e sotme, moderne, fjala është pasuia që shpërdorohet më shpejtë dhe më keq. Fjala, e pa peshuar, vret punën, vret moralin, vret jetë njerëzish, vret shpresën. Nuk vlerësohet një njeri nga fjalët e bukura që thotë, por nga punët e mira që bën. Në mënyrë të veçantë, politika është fusha e shpërdorimit të fjalës, në të dy krahët e shqipes, andej dhe këtej kufirit. “Fjala e keq dashësit, thotë Samiu, është si qymyri, edhe kur nuk e djeg sendin që e prek, e nxin atë”. “Me zhurmë, vazhdon ai, nuk kryhet asnjë punë. Njëriu i punës është i heshtur”. Për të flet vetë puna me shumë se gjuha. Një punë e bukur është më e mirë (dobishme) se një mijë fjalë të bukura. A thua që Sami Frashëri i ka shkruar këto rreshta, pikërisht për fjalorin që përdor politika e sotme në komunikimin e përditshëm me publikun, në Shqipëri?

2. Dimensioni i dytë i filozofisë së punës te vepra e Sami Frashërit, është raporti midis punës dhe pasurisë.

Ska dyshim që puna është burimi i begatisë dhe i mirëqënies. Duke e kërkuar rritjen e të ardhurave dhe të pasurisë prej punës, në fakt dijetari Sami Frashëri, predikon progresin, predikon lidhjen e fortë të individit me familjen, me atdheun, me pasurinë, me tokën, me të ardhmen. Ka një cak, ka një kufi, ka një limit, pasuror pas të cilit vrapojnë njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Në funksion të moshës, të profesionit, të misionit që kryen, individët e ndryshëm janë të motivuar dhe tërhiqen në jetën e tyre nga objektiva të ndryshme. Kështu fëmijën, nxënësin dhe studentin në shkollë e motivon nota, gruan dhe nënën kujdesi për shtëpinë dhe fëmijët, biznesmenin fitimi, rritja dhe aftësia për të krijuar veprimtari të reja, politikanin kariera, shkencëtarin dhe akademikun veprat dhe titujt akademikë, artistin dhe sportistin  fama dhe trofetë, e kështu me rradhë. Por, Samiu, kërkon që këto ambicie të realizohen vetëm nëpërmjet punës, së ndershme dhe të palodhur. “Tregëtia që të jep më shumë fitim është puna. Ai që pëlqen veten e tij (është fjala për mëndjemadhin), nuk pëlqehet nga askush”.

Pasuria nuk duhet tu errësojë sytë njerëzve. Ajo nuk duhet të kthehet në të kundërtën e vet. Raporti midis individit, pasurisë dhe parasë është i çuditshëm. “Njëriun e bëjnë të përjetshëm veprat, thotë Samiu”. “Jeta, mirëqënia dhe rehatia blihen me punë: kush punon shumë, asnjëherë nuk vuan dhe nuk bie ngushtë”.

Njerëzia, paranë e ka krijuar si nevojë për të realizuar këmbimet ekonomike me të tjerët, për të realizuar shkëmbimin e produkteve të punës së tij me ato të të tjerëve, për ta përdorur si matëse të të gjithë asaj që krijon dhe prodhon, për ta përdorur si instrument të kursimeve dhe të të ardhmes. Ajo, paraja, është një krijesë në shërbim të njeriut. Është në një farë mënyre, një skllave në duart e njerëzve, që ta përdorin për kërkesat, interesat, jetën dhe begatinë e tyre. Kjo skllave, i bindet verbërisht “pronarit” të saj, që e mban në dorë dhe e përdor. Këtë filozofi, Sami FRASHËRI, e njeh mirë. Skllavja para, ka pushtetin e vet pozitiv, por kur ky pushtet përdoret për mirësi e progres, kur vendimet merren nga një dorë që bazohet te arsyeja njerëzore, te mireqënia, te begatia, te rritja e standardit të jetesës, te solidariteti dhe njerëzillëku. “Te maskarenjtë dhe interesaxjinjtë, miku dhe armiku, zgjidhet nga interesi. Asnjë punë e tyre nuk është e sinqertë”, nënvizon Sami FRASHËRI.

Skllavja para ka edhe pushtetin e shkatërrimit dhe të varfërisë, ka edhe pushtetin e skamjes dhe të mjerimit. Karakteri misterioz i parasë, shtohet edhe më shumë kur asaj i vishen atribute politike. Njerëzit, jo më kot, thonë që me para blen gjithçka. Historikisht, stampimi i simboleve politike mbi kartmonedhat që emetojnë bankat, e fetishizojnë paranë, duke i dhënë asaj edhe atribute që në thelb nuk i ka. Kur, skllavja para, merr pushtetet që nuk i ka, dhe kur këto pushtete përdoren nga duar jo racionale, jo të arsyeshme, atëherë skllavja para skllavëron pronarin e saj, robëron njeriun. Paraja është diçka shumë e rëndësishme në jetë, por ajo nuk është gjithçka. Gjithçka është qënia humane, integriteti njerëzor dhe kombëtar, është arsyeja njerëzore. “Pasuria e vogël, që përdoret me nikoqirllëk, zë vënd më mirë se sa thesaret e keq administruara”. “Ai që mendon vetëm për interesat e veta, është njeri i ulët”, thotë SamiuNjerëzit që vrapojnë të babëzitur dhe në mënyrë të verbër pas parasë, humbasin toruan, llogjikën, arsyen, humbasin të qënit njeri, udhëhiqen nga veset dhe bëhen të rrezikshëm, që në kohën e sotme moderne, quhen kriminelë, terroristë, të korruptuar, hajdutë, mosmirënjohës, dhe epitete të tjera të ngjashme. “Nuk është varfëria ajo që e mundon njeriun, është makutëria. Nuk është pasuria ajo që e bën të lumtur, është mirësia“. Pasuria më e madhe është koha. Me siguri, në kohën e Samiut nuk njihej koncepti shkencor në financë, ai i vlerës në kohë të parasë, nuk njihej ajo që paraja në kohë të ndryshme ka vlerë të ndryshme. Por, dijetarët, janë të tillë, se edhe pa njohur formulimin e ligjeve, kuptojnë mekanizmin e funksionimit të tyre. Samiu, njeh mirë filozofinë e popullit, madje jo të një populli të vetëm. “Po të përdoret mirë koha do të mjaftojë për të mbaruar çdo punë”. “Kush u hyn shumë punëve në të njëjtën kohë, nuk mund të kryejë asnjërën. Gabimi i atij që punon me dëshirë dhe me ëndje, është më i vogël se puna e atij që punon me ngut”.

3. Dimensioni i tretë në filozofinë e punës të Samiut, është angazhimi dhe përkushtimi për punët e shtetit. Për të qënë qeveritar i mirë, i çdo niveli, një individ duhet të plotësojë minimalisht katër kushte: të jetë i ndershëm, të jetë profesionist i ditur, të jetë atdhetar, dhe të jetë qytetar. Fytyra e një shoqërie duket të imazhi i atyre që e qeverisin atë. Samiu e kishte peng mirëqeverisjen e vëndit të vet. Ata, qeveritarët nuk duhet as të kenë paga shumë të larta dhe as duhet të kenë paga shumë të ulëta. Politikanët dhe njerëzit që qeverisin vëndet tona të Ballkanit, sot në kohët moderne, duket sheshit që nuk janë gjithnjë qytetarë. Një pjesë e tyre vuajnë nga sëmundja e fodullëkut dhe e mendjemadhësisë. Karriget e pushtetit janë të kontaminuara nga pëlqimi i vetvetes (rënia në dashuri me veten). Popullsia e veriut të Shqipërisë, kryesisht e Shkodrës, përdor një fjalë të urtë që thotë: nuk ka më keq se sa me të hy veti në qejf (të dashurohesh me veten tënde). Kjo sëmundje sot ndodh shpesh. Kjo sëmundje përhapet përditë, si epidemi, sepse politikanët nuk janë qytetarët më të mirë dhe dëndur jo profesionistë. “Shkalla e parë e marrëzisë, është të kujtosh se je i mençur”. Nuk mund të bëjë punë të mëdha një njeri me shpirt të vogël. Një pushtetar i mirë, është i mirë se ka aftësinë të dëgjojë dhe të pranojë këshilla. Ai që pranon këshilla është më i madh se ai që jep këshilla. Një qytetar i rritur mirë, është i urtë, dëgjon, këshillohet, nuk fyen, nuk është fodull dhe nuk është ironik. “Ajo që qeveris botën, thotë Samiu, nuk është as forca dhe as ligji, por mirësjellja dhe edukata e atyre që qeverisin”, dhe më tej vazhdon: “Në çfarë pune hyn një mulli, që i dëgjohet zhurma dhe nuk i duket mielli?”, apo “Kush çmon një ligësi, është më i lig se vetë ligësia”.

Mungesa e profesionalizmit i bën qeverisjet të orientuara keq, e bën qeverisjen të rëndomtë, nuk e bën atë strategjike dhe afatgjatë. Vetëm një profesionist i mirë, i nderuar dhe i respektuar nga kolegët e tij, është i aftë të prijë dhe të qeverisë. Po qe se kërkon të testosh një njeri, në se është ose jo i aftë të qeverisë, atëherë, bëj pyetjen: a e duan dhe e respektojnë kolegët e tij? A ka ai aftësitë tju imponohet me punë dhe me vepra kolegëve të tij? Në se po, atëherë ai e ka fituar të drejtën për të qeverisur. Qeveritarët duhet të jenë të ndershëm dhe të drejtë. Ndershmëria dhe drejtësia janë oksigjeni i qeverisjes. Kur citon Sadiun, filozofin persian, Samiu thotë: “Po ti marrë Sovrani një kokërr vezë fshatarit, njerzit e tij ja grabisin të gjitha pulat”. Për Samiun, qeverisja duhet të jetë e paqme dhe e ndriçuar, si buka që hamë dhe si uji që pimë. “Qeverisja e mirë lind nga rregulli dhe nga kujdesi”, “Dita është e shkurtër, puna është e gjatë” dhe “Dijetari dhe qeveritari i mirë nuk thotë çka di, i marri nuk di çka thotë”.

Për Samiun, shkalla më e lartë e dëshpërimit të një njeriu është ajo që vjen prej zhgënjimit. Ska faj më të madh se shpërdorimi i besimit. Ska ligësi më të madhe në botë se mosmirënjohja. Shërbyesit e njerëzimit, kundrejt veprave të mira që kanë bërë tërë jetën, shpresojnë të paktën të dëgjojnë një falënderim, të shohin pak nderim dhe respekt. Po kur shohin se janë mospërfillur dhe harruar, apo janë armiqësuar dhe përbuzur, kjo është shkalla më e lartë e poshtërsisë njerëzore. Njerzit besojnë dhe ju jepen fjalëve, por zhgënjimi te një njeri që ke besuar dhe i ke dhuruar gjithçka, është i tmershëm. Forca e mendimit dhe roli i ideve janë më të larta dhe më të forta se çdo gjë tjetër. Forca e mendimit është më e mprehtë se tehu i shpatës. Botën e shtyjnë përpara idetë. Ide prodhojnë njerëzit e ditur dhe të kultivuar, prodhojnë elitat intelektuale, prodhojnë njerzit e urtë, punëtore dhe profesionistë. Në çdo punë ka pak ose shumë dobi. Vetëm në të folurit e shumtë nuk ka aspak dobi. Për politikanin e dështuar, prej të cilit njerzit janë të zhgënjyer, Samiu përdor një fjalë të urtë të një dijetari të lashtë, që nuk i përmëndet emri, për mbishkrimin që do të vihet te varri i një politikani megalloman: “Ai që prehet këtu, edhe kur ishte gjallë, ska bërë asgjësendi”.

Për Samiun, punët e qeverisjes nuk mund të jenë të vogla dhe të mëdha. Çdo punë që është në shërbim të qytetarëve, që është punë e një njeriu të ndershëm, që është punë e një profesionisti dhe njeriu të drejtë, është gjithnjë punë e dobishme. Përgjegjësitë, janë të mëdha dhe të vogla. Është gabim ti japësh një njeriu të vogël, punë të mëdha, nënvizon Sami Frashëri, apo ti japësh punë të vogla atij njeriu që mund të bëjë punë të mëdha. “Nuk mund të dalë puna e madhe nga dora e atij që nuk i përfill punët e vogla. Në se ka dy dijetarë të pagabueshëm, thotë Samiu, njëri prej tyre është puna, prova”. Është e kotë, të presësh punë të mira nga një qeveri, që bën reforma jo për tu shërbyer ideve, por personave, që nuk i shërbejnë interesit të përgjithshëm, por interesave personale ose të grupit. Puna më e keqe në botë është të mos kesh aftësinë dhe të pranosh punët që kanë bërë dhe bëjnë të tjerët, por të lëvdohesh dhe të mburresh vetëm me ato që ke bërë vetë. “Po ta zmadhosh një punë, në fakt e ke zvogëluar atë, thotë Samiu. “Mburrja dhe madhështia është krimbi i pasurisë, ndërsa lakmia për famë, është krimbi i lirisë dhe i qeverisjes”. Njerëzit e edukuar dhe të mësuar janë të thjeshtë. Kjo është stolia e tyre. Sa më shumë njërëz të tillë të ketë në qeverisje, aq më shumë e stolisur do të jetë vetë qeverisja.

Të ndëruar pjesmarrës,

Pa dyshim, puna është një nga karakteristikat me jetësore të vëllezërve Frashëri. Unë kam bindjen që dashuria për punën, është karakteristika që tipizon më saktë një përmetar. Frashëllinjtë, duke qënë përmetarë, i kanë dhënë dimensione shumë të mëdha filozofisë së punës.  Por, as Frashëllinjtë dhe as puna nuk i përkasin vetëm Përmetit. Frashëllinjtë i përkasin gjithë Kombit, ndërsa puna gjithë GLOBIT. Kjo temë kaq e gjërë, nuk mundet asnjëherë të trajtohet përfundimisht.

Ju faleminderit për vëmëndjen!

Risitë, sfidat dhe disa refleksione mbi pasqyrat e reja financiare

Referimi i Presidentit të QSHR, Sherif BUNDO,
në Konferencën Kombëtare të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, data 07 qershor 2016

Për një profesionist kontabiliteti dhe për çdo studiues dhe njohës të mirë të kësaj fushe, që udhëhiqet në punën dhe veprimtarinë e përditshme nga parime të shënjta morale dhe profesionale, zhvillimet në fushën e kontabilitetit në dy dekadat e fundit kanë qënë të vrullshme. Ato kanë qënë dhe janë të tilla, për shkak të ndryshimit dhe vrullit të ndryshimeve në bërthamën e shoqërisë dhe të ekonomisë, në marrëdhëniet e pronësisë.Finance, kontabilitet, standarde

Rishikimi, permiresimi dhe modernizimet e standardeve të kontabilitetit kanë shërbyer për të përafruar kontabilitetin dhe shërbimet e tij me kulturën profesionale dhe eksperiencën europiane në këtë fushë. Ato kanë pasuruar fjalorin profesional dhe kanë shërbyer edhe për të mbajtur më të lidhur profesionistët e kontabilitetit, me zhvillimet, me risitë që solli modeli ekonomik i tregut dhe vlerësimi kontabël bazuar në vlerën e drejtë.

Disa arritje dhe sisi njëherësh

Pa i vënë vetes detyrë, që të listoj gjithë arritjet dhe risitë, në mënyrë të sintetizuar, mund të nënvizoj se standardet e reja, e kanë pasuruar eksperiencën dhe praktikën tonë kontabël në disa fusha dhe dimensione njëherësh.

Së pari, ato kanë sjellë risitë që trajtimi kontabël dhe pasqyrat financiare, raportimi financiar i të gjitha llojeve dhe kategorive të biznesevë të jetë i përafërt. Kjo do të thotë se nuk ka diferenca të mëdha të zyrtarizuara në trajtimin kontabël të entiteteve. Përderisa shumica dërmuese e bizneseve në vëndin tonë, është e kategorisë Ndërmarrje  të vogla dhe të mesme, këto standarde duket që ju shkojnë më shumë për shtat, ju përshtaten më shumë. Zgjedhja e KKK, për të adoptuar si standarde kombëtare kategorinë e standardeve ndërkombëtare të NVM, është një qëndrim strategjik që duhet inkurajuar dhe mbështetur. Shërbimi kontabël i tyre është i bazuar te kontabiliteti i përgjithshëm dhe llogaritë sintetike.

Së dyti, standardet kanë sjellë mjaft risi që kanë lidhje me vlerësimin. Personalisht këtë e quaj, nga njëra anë dinamizmin e madh dhe progresin në vlerësimin kontabël, duke përdorur vlerën e drejtë, apo vlerën e tregut, dhe nga ana tjetër kanë sjellë me vete edhe rritjen e lirisë profesionale të profesionistëve që të kërkojnë midis disa mënyrave të vlerësimit, atë që është dhe çmohet me e drejtë dhe më afër të vërtetës. Një mall, një aktiv, një pasuri, një mjet, një ndërmarrje, thuhet në Ligjinë e Çmimit të njëjtë në Financë, vlen aq sa shitet. Nga ana tjetër, dy mallra të njëjtë nuk shiten gjithnjë njëlloj. Kjo do të thotë se ka diferenca, shpesh herë të mëdha midis vlerës dhe çmimit. Ndaj standardet krijojnë mundësinë që profesionistët të kërkojnë vlerësimin më të drejtë dhe gjithnjë në kërkim të asaj metode vlerësimi që është e bazuar sa në parimet e vlerësimit, aq edhe në parimet dhe kodet profesionale.

Së treti, standardet e reja, edhe pse janë një frymë e re dhe formulime të reja, ruajnë boshtin e standardeve kombëtare të Kontabilitetit. Standardet e reja janë një përmirësim dhe progres i tyre. Ato ngrihen dhe implementohen si të thuash mbi themelet e standardeve kombëtare. Kjo i ka shërbyer për mirë përmirësimit të cilësisë së shërbimeve kontabël dhe rritjes së aftësive profesionale të tyre. Mbajtja në të njëjtën linjë e standardeve të reja është kontribut në evitimin e një lloj anarkie dhe shpërqëndrimi që ndodh natyurshëm në raste të tilla, kur në një fushë, ligjet apo aktet rregullatore ndryshojnë shpesh, ndryshojnë dhe dalin rregulla të reja, pa përvetësuar dhe konsoliduar njohejt e standardeve të vjetra.

Së katërti, Pa asnjë rezervë, dëhiroj të nënvizoj se standardet e NVM kanë përmirësuar nivelin e mësimdhënies dhe kanë përmirësuar dhe kanë pasuruar leksionet dhe materialet e tjera didaktike. Përkthimi dhe shqipërimi i standardeve dhe kontributi i KKK në këtë fushë është një vlerë e shtuar në fushën e kontabilitetit dhe të raportimit financiar në vëndin tonë. Puna për njohjen dhe trajnimin me standardet e reja, ka qënë dhe mbetet një sektor i veprimtarisë intensive të shoqatave dhe organizmatave profesionale të fushës së kontabilitetit. Vetëm SHKFSH, që në datën 01 qershor 2016, kishte të rregjistruar në rregjistrin e antarësisë 4882 antarë, ka trajnuar përgjatë vitit 2015 mbi 740 profesionistë, me statusin Kontabël të Miratuar aktivë, Kontabël të miratuar jo aktivë, kandidatë për Kontabël të Miratuar dhe antarë të rinj. Shoqata jonë, ka organizuar përveç kurseve të trajnimit dhe të formimit profesional në fiskalitete, edhe kurse në njohjen, interpretimin dhe zbatimin e standardeve të reja.

* * *

Me qëllimin e mirë, në shërbim të përmirësimit, në vazhdën e frymës së përcjellë nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit dhe në përgjigje afirmative të ftesës së bërë prej organizatorëve të konferencës së sotme, në mënyrë modeste, do të dëshironim që të adresonim disa sugjerime, apo më mirë të tërheqim disa refleksione që baza e kontabilistëve i artikulon në mënyrë të natyrshme dhe me vetëdije të lartë profesionale. Gjykojme se është detyra e të gjithëve që të reflektojmë dhe të kontribuojmë në përmirësim të qartësimit dhe thjeshtësimit të informacionit kontabël dhe të përdorimit me lehtësi të tij në shërbim të vendimmarrjes dhe të menaxhimit. Sidoqoftë, duhet nënvizuar se asgjë nuk është perfekte. Perfekte është vetëm fakti që asgjë nuk është e tillë. Sugjerimet tona do të përqëndrohen në tre linja kryesore.

  1. Pasqyrat Financiare, Stadndardi 2. Përderisa pasqyrat financiare janë artikuluar dhe formuluar prej nesh, për cilësinë, mënyrën e formulimit, përmbajtjen e fjalëve dhe kontekstin gjithëkush mund të shprehë opinione. E përbashkëta është e lidhur me faktin se përmbajtja e formulimeve duhet të nënkuptojë, përfshijë, shprehë dhe përfaqësojë gjithnjë të njëjtën gjë. Në këtë kuptim, misioni ynë është i lidhur me faktin që ato, pasqyrat financiare të jenë sa të thjeshta aq edhe të qarta.

Në pasqyrat tona financiare, Standardi numër 2, pasqyra e pozicionit financiar, bilanci, por edhe në pasqyra të tjera, përdoren për herë të parë disa terma për të shprehur zëra të aktiveve dhe pasurisë, apo zëra të detyrimeve, që kam bindjen se nuk tingëllojnë mirë dhe nuk kanë ngjitur në kulturën dhe terminollogjinë profesionale të profesionistëve. Në Direktivën e re të Bashkimit Europian,(qershor 2013), thuhet qartë se: “Bilanci paraqet formën ligjore të llogarive”. Pak a shumë të njëjtin përkufizim kanë edhe dy direktivat e tjera, direktiva 4 dhe dierektiva 7, të BE të cilat kanë shumë vite që janë artikultar dhe hartuar. Në fushën juridike, në fushat profesionale, në fjalorin e fiskaliteteve, në fushën e financës, dhe në fusha të tjera, termat duhet të shprehin përmbajtjen e lëndës. Në këtë linjë, mendoj se disa fjalë nuk shprehin thelbin dhe ajo që nuk tingëllon mirë, është e lidhur me faktin se i largohet esencës. Kështu, në aktivin e Bilancit, përdoren termat: të drejta të arkëtueshme (nga aktiviteti i shfrytëzimit, nga njësitë ekonomike brënda grupit, nga njësitë ekonomike ku ka interesa pjesmarrëse, apo të drejta të arkëtueshme të tjera), ndësa në krahun e detyrimeve dhe të Kapitalit, përdoren termat: të pagueshme (për aktivitetin e shfrytëzimit, të pagueshme ndaj njësive ekonomike brënda grupit, të pagueshme ndaj njësive ekonomike ku ka interesa pjesmarrëse, të pagueshme ndaj punonjësve, të pagueshme ndaj sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, dëftesa të pagueshme, të pagueshme për detyrimet tatimore, të tjera të pagueshme, etj). Kjo formë të shprehuri nuk më duket korrekte, për shumë arsye, ndër të cilat po rendis:

Së pari, kjo mënyrë të shprehuri nuk ka lidhje me “formën juridike të llogarive” që insiston direktiva. Këto formulime bien ndesh me formulimet që kemi, që përdporim, që shprehin raporte juridike dhe që punojmë në legjislacionin tregëtar dhe atë fiskal në vëndin tonë. Për të qënë i saktë në opinionin tim, kam studiuar me shumë përgjegjësi dhe vëmëndje 14 ligje dhe VKM mbi Tregëtaret dhe Shoqëritë Tregëtare në Republikën e Shqipërisë, ndër të cilët përmend: Ligjin “Për tregetarët dhe Shoqëritë Tregëtare, Për Qëndrën Kombëtare të Rregjistrimit, (së fundi Për Qëndrën Kombëtare të Biznesit), Për liçensat autorizimet dhe Lejat, Për Falimentimin, Për Konkurencën, Për tregëtinë elektronike, Për përgjegjësitë penale të personave Juridikë, Për Proçedurat Tatimore në RSH, Për tatimin mbi të ardhurat, si dhe disa VKM. Në legjislacionin tonë në fjalë përdoren termat që burojnë nga raportet tregëtare. Ekonomia e tregut është e bazuar te veprimtaria tregëtare dhe kjo e fundit është e bazuar te kontrata, të drejtat dhe detyrimet midis palëve që burojnë nga një veprimtari shitblerjeje, shfrytëzimi, shërbimi, apo çdo formë tjetër, por që juridikisht quhet veprimtari tregëtare. Legjislacioni përdor termat Klientë, Debitorë, Furnitorë, Kreditorë, apo të drejta mbi dhe ndaj këtyre palëve. Nga studimi me vëmëndje i disa relacioneve që kanë shoqëruar propozimet e qeverive të ndryshme për miratimin e këtyre ligjeve, ndër të tjera thuhet se … janë terma që përdoren në kontabilitet dhe që shprehin të drejtat dhe detyrimet ndaj palëve të treta. Formulimet në  legjislacion bazohen te parimi që kontabiliteti dhe dokumentat bazë kontabël janë provë juridike. Mbi këtë vlerë, është ndërtuar gjithë praktika juridike dhe është organizuar shprehja e të drejtës së pronësisë. Sa për ilustrim, në Ligjin “Për Tregëtarët dhe Shoqëritë Tregëtare” termi Kreditorë përdoret 233 herë, ose mesatarisht një herë në çdo nen. Ndërsa termi debitor/ë dhe kreditor/ët, në ligjin për Falimentimin përdoren në më shumë se 415 herë në 280 nenet që ka ligji. Që pasqyrat e pozicionit financiar dhe ato të performancës financiare të jenë në shërbim dhe në harmoni me gjithë legjislacionin tregëtar ato duhet të përdorin termat që përmëndëm dhe duhet të reflektojnë këtë fakt.

Së dyti, në kulturën legjislative dhe aktet rregullative, sikurse janë edhe pasqyrat financiare përderisa janë bërë të detyrueshme me urdhërin numer 64, korrik 2014, te Ministrit të Financave, ka një praktikë dhe filozofi, sipas të cilës, një ligj, një praktikë, një akt, që nuk “ngjit”, që nuk pranohet nga publiku, që nuk “kapërdihet” dhe nuk vetë ekzekutohet, duhet ndryshuar. Nga kontaktet me profesionistët, më rezulton se një pjesë e mirë e tyre kanë bërë përshtatje. Nga njëra anë e drejta dhe sjellja e profesionistëve per te perdorur dhe ndryshuar formulimet, është shprehje e lirisë së tyre profesionale. Por, nga ana tjetër, kjo tregon që jo të gjitha shprehjet dhe formulimet janë bërë dhe bëhen pjesë e kulturës së tyre të punës. Kjo praktikë dhe kjo kulturë në botën fiskale është mjaft e njohur. Shëmbujt e ndryshimeve të tilla në legjislacionin tatimor janë të shumë edhe në kulturën fiskale për vëndin tonë. Po marr termin: detyrime afatshkurtëra të pagueshme për aktivitetin e shfrytëzimit. Është fjala për detyrimet ndaj furnitorëve! Pse të mos shkruhet më shkurtë, më thjeshtë dhe më qartë: detyrime ndaj furnitorëve? Më e plotë, ndoshta edhe më e qartë do ishte: detyrime ndaj furnitorëve për veprimtarinë kryesore. Fjala shfrytëzim në shqip nuk ka të njëjtin konotacion me fjalën shfrytëzim që kanë përdorur francezët, të cilët kanë 35 vjet që e kanë hequr, apo që përdorin edhe gjuhët e tjera.

Së treti, Formulime të tilla, nuk janë të bazuar në kulturën kontabël dhe as në eksperiencën kontabël të asaj që quhet europa kontinentale. Praktika kontabël italiane që e kemi afër dhe që ka pasur tradicionalisht ndikime në vëndin tonë, përdor termat: kredi akorduar klientit, kredi akorduar të tjerëve në aktiv dhe detyrimi ndaj furnitorëve dhe detyrime ndaj të tjerëve ne pjesën e detyrimeve. Zviceranët, përdorin në pjesën dhe hapësirat frankofone, termat Debitorë dhe Klientë, në aktiv dhe Furnitorë, Kreditorë dhe detyrime të tjera, në pjesën e detyrimeve. Francezët përdorin termat: Klientë dhe debitorë, ndërsa në krahun e detyrimeve përdorin termat Furnitorë, përdorin termat Kreditorë, përdorin termat detyrime ndaj shtetit, detyrime ndaj sigurimeve shoqërore, detyrime ndaj palëve të lidhura, të drejta dhe detyrime ndaj ortakëve, debitorë të tjerë/kreditorë të tjerë. Në Gjermani, përdoren termat të drejta ndaj Klientëve, detyrime ndaj furnitorëve, të tjerat janë pothuaj njëlloj. Edhe versioni anglez, në të cilin duket që janë bazuar hartuesit dhe propozuesit e KKK të këtyrë termave, shprehin në mënyrë të domosdoshme faktin që qoftë detyrimet për tu paguar, qoftë të drejtat për arketim, duhet të jenë të adresuara ndaj palëve të lidhura në veprimtari tregëtare. Fjala klient dhe fjala furnitor, fjala debitor dhe fjala kreditor, nuk mund të suprimohen. Ato janë pjesë e fjalorit të ditës. Një shitës nuk thotë sot kam pasur shumë të arkëtueshme, por thotë sot kam pasur shumë klientë, nuk thotë kam shumë të pagueshme por thotë kam shumë detyrime.

Së katërti, kontabiliteti, zanafillën e ka te koncepti i debisë dhe i kredisë, të cilat janë në thelb rrënja gjuhësore e fjalëve debitorë dhe kreditorë. Nuk duhet ti abandonojmë këto terma origjine. Përpara se të përdorim formulime të reja dhe shprehje të reja, cila është arsyeja që nuk duhet të përdorim, apo përshtasim ato që ekzistojnë?

Së pesti, formulimet nuk respektojnë traditën, kulturën tonë profesionale, shkollën, dhe gjithë pasurinë intelektuale të fituar në këtë fushë. Besoj nuk ka faktorë që na ngutin, na forcojnë të mos marrim në konsideratë atë pak përvojë që kemi në fushën e kontabilitetit? Në vendin tonë, në shumë fusha, është përdorur me pasoja, braktisja e përvojës pa arsye, pa analizë, për shkak të amatorizmit. E di që duke përdorur rrethanorin “përvojë e pakët” nuk jam i saktë dhe ndoshta fyej themeluesit dhe kontribuesit e mëdhenj të kontabilitetit në vëndin tonë. Por, si përfaqësuesi më i lartë i Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë, dhe Profesor universiteti i Financës dhe i kontabilitetit, më duhet të vë theksin te respekti për arritjet. Kush nuk di nga vjen, nuk di të përdorë “busullën” ku shkon, nuk gjen dot rrugën e duhur.

Së fundi, por pa pretenduar se i trajtova në mënyrë ezauruese të gjithë faktorët, është faktori gjuhësor. Te pasqyra e Fluksit të Mjeteve Monetare, (Metoda direkte), ka një zë që të lodh kur e lexon. Po e citoj: “Të paguara për detyrimet e pagueshme dhe detyrimet ndaj punonjësve”. Nuk po e komentoj. Kam vuajtur për ta kuptuar këtë shprehje. Në Bilanc, në pjesën e detyrimeve përdoret termi: Dëftesa për tu paguar? Tipollogjia e fjalës dëftesë, është e lidhur vërtetë me dokumentin që i lëshohet dikujt për të vërtetuar se i kemi marrë diçka, apo se ai ka paguar apo ka dhënë diçka. Por, fjala dëftesë përdoret edhe për dëftesën e shkollës, edhe dëshmi. Po për transaksionet elektronike, me paranë e padukshme apo me rregjistrimet elektronike, qe nuk ka deftese? Po veprimet me karta manjetike? Pse duhen shprehur në mënyrë kaq konfuze termat tona profesionale, në një gjuhë shumë të pasur? Fjala detyrime të tjera, është më e thjeshtë, më e qartë, më e plotë, pa mëdyshje. (Po citoj nga Fjalori i gjuhës shqipe: Detyrim është zotimi që marrim ndaj dikujt apo diçkaje, zakonisht sipas një marrëveshje, para, prodhime, mall, etj. Detyrime shtetërore, detyrime tregëtare, shlyen detyrimet, paguan detyrimet. Ka më qartë?) Një njohës dhe përkthyes i talentuar i anglishtes, përkthyes i dhjetra librave kryvepra, profesor në universitet, nënvizon: përkthimi është shkencë, fjalët nuk duhet dhe nuk mund të përkthehen të shkëputura. Përkthimi wshtw i duhuri kur gjëndet fjala që shpreh përmbajtjen e termit, jo të përdoret kuptimi i parë frazeollogjik i fjalës që gjëndet në fjalor.

Fjala Kreditor, është fjalë e fjalorit të gjuhës shqipe. Kuptimi i parë dhe i vetëm i së cilës është e lidhur me detyrimet kreditore që i burojnë një ndërmarrje ndaj një ndërmarrjeje tjetër, debitore, të lidhur me raporte tregëtare për mallra dhe shërbime. Po kështu edhe fjala furnitor dhe furnizim, nëpërmjet veprimtarisë tregëtare të shitblerjes.

Edhe një shpjegim të fundit gjuhësor. Fjalët, të arkëtueshme dhe të pagueshme, janë mbiemra. Në pasqyrat financiare të pozicionit financiar, në Bilanc, apo në aneksin e llogarisë së rezultatit financiar, duhet të prezantohen elementët pasurorë dhe detyrimet me emrat e elementëve, jo me mbiemrat. Në fillim duhet shpjeguar dhe prezantuar kryefjala, emri, pastaj funksioni, cilësia, rrethanat apo karakteristikat e kryefjalës. Ne e kemi mundësinë që në termat e kontabilitetit, në rapport me segmentet e tjera të shoqërisë të prezantohemi në mënyrë dinjitoze.

  1. Aktivet Biologjike, Standardi numër 13. Në rradhë të parë gjykoj se aktivet biologjike dhe marrëveshjet konçensionare mund të ishin në dy standarde të veçuara. Prezenca e standardit të aktiveve biologjike është një nevojë për shërbimet tona të kontabilitetit, nevojë e cila është evidentuar nga antarësia e Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë. Numri i bizneseve të organizuara, me trajtën e një shoqërie tregëtare, që ushtrojnë aktivitet ekonomik në fushën e aktiveve biologjike është rritur dhe ka tendencën të shtohet. Vetëm në periferi të Tiranës, numërohen rreth 76 biznese që ushtrojnë aktivitetin e mbarështrimit të gjedhit, të të imtave, të pularive dhe të prodhimit të vezëve, të grumbullimit dhe transformimit të priodukteve bujqësore dhe blegtorale. Ky standard, besoj se ndaj të njëjtin opinion me gjithë të pranishmit, plotëson një boshllëk që ka krijuar mungesa e kontabilitetit në këtë fushë në shkollat e larta në Shqipëri. Nga ana tjetër, trajtimi i aktiveve biollogjike është mjaft i cunguar. Praktika e kontabilitetit, ka nevojë që në këtë standard të marrin përgjigje për pyetjet: si do të trajtohen kalimet në kopenë themelore kategoritë në rritje të gjësë së gjallë? Si do të trajtohet dhe vlerësohet kostoja e produktit nga kategoritë që japin me shumë se një produkt (disa kategori japin dhe mbarështrohen për tre dhe katër produkte)? A amortizohen dhe si amortizohen kategoritë e kopesë themelore apo masivet drufrutore? Si do të trajtohen kontabilisht aktivet biologjike që kanë trajtën e aktiveve dekorative, fidanave për shitje, akuariumet, etj?
  2. Marrëveshjet Konçensionare, Standardi numër 13. E vlerësoj të dobishëm përfshirjen e marrëveshjeve konçensionare në standardet e reja. Në vëndin tonë, deri tani numërohen rreth 1865 marrëveshje konçensionare, dhënë me shumicë në 15 vitet e fundit. Këtij numri nuk i janë shtuar mbi 525 marrëveshje që kanë të bëjnë me statusin e personave të stimuluar në Turizëm. Edhe këto marrëveshje janë të karakterit konçensionar, të cilat bazohen në veprimtarinë e stimuluar, akorduar me VKM, në përputhje me ligjin e kësaj fushe, i cili është abroguar në vitin 2009. Ndërkohë, këto subjekte, kanë në objektin e veprimtarisë së tyre tokën apo të drejtën e enfiteozës akorduar për 99 vjet nga shteti, kompanive dhe subjekteve që kanë marrë në përdorim për ta zhvilluar tokën në bregdet, apo në zonat e tjera turistike, ashtu sikurse kanë marrë në konçension një burim ujor, një minierë, një kodër, një hidrocentral, një lagunë, një pasuri tjetër publike. Standardi duhet të sqarojë statusin kontabël të aktiveve afatgjata materiale dhe jo materiale, duhet të sqarojë dhe shpjegojë qënien të amortizueshme apo jo të amortizueshme, duhet të saktësojë periudhën dhe trajtimin kontabël të derisotëm dhe trajtimin kontabël nga sot e tutje. Praktikat kontabël krijojnë raporte komplekse fiskale. Besoj se kjo tërheq vëmëndjen e profesionistëve që punojnë në këta sektorë, por edhe të pronarëve të këtyre investimeve.

Konsultime të tjera

Direktiva e BE-së, për Kontabilitetin, (2013/34/EU), që zëvendëson Direktivat e Këshillit 78/660/EEC dhe 83/349/EEC (ish Direktiva 4dhe 7 Ligjore e Kompanive),

Konferenca ndërkombëtare për përmirësimin e raportimit financiar, REPARIS, 16 maj 2013,

Rregullorja (CE) n°1606/2002 = SNRF + Opsionet e vendeve anëtare, Burimi: Komisioni Europian 3

Kriza e vazhdueshme financiare dhe reforma për rritjen ekonomike të BE-së: Europa 2020,

Ligji 9901, i ndryshuar, “Për tregëtarët dhe Shoqëritë Tregëtare”,

Ligji 8901, i ndryshuar, “Për Falimentimin”,

Ligjet: Për Konkurencën, Për Tregëtinë elektronike, Për Përgjegjësinë penale të personave Juridikë, etj, si dhe 7 Vendime të Këshillit të Ministrave,

Ligji “Për Proçedurat Tatimore në RSH”, i ndryshuar,

Akademia e Shkencave, Fjalor i termave financë-Bankë, ZAHO, DHUCI, PASHA

Akademia e Shkencave, Fjalor i gjuhës së sotme shqipe,

KKK, Faqja zyrtare, Standardet Kombëtare të Kontabilitetit dhe shtojcat: Pasqyra e Pozicionit Financiar, Pasqyra e rezultatit Financiar dhe shtojca të tjera

Deformimet e tregut dhe abuzimi me lirinë ekonomike

Nga Sherif BUNDO
Profesor i financave në Universitetin e Tiranës

Në këtë një çerek shekulli të historisë demokratike të shoqërisë shqiptare, zhvillimet në fushën e ekonomisë janë mjaft interesante. Analiza e kujdesshme e transformimeve dhe rritjes ekonomike përbën një proçes shumë të rëndësishëm dhe me interes në dy këndvështrime. Së pari, për të studiuar arritjet, për të evidentuar mundësitë dhe për të identifikuar rezervat. Avantazhet ekonomike të një vëndi janë energjia që e vë në lëvizje rritjen ekonomike të tij dhe busulla që drejton dhe orienton prirjet ekonomike. Së dyti, studimi na jep mundësinë të kuptojmë gabimet, të reflektojmë ndaj tyre dhe të korrigjojmë deformimet që i kushtojnë ekonomisë. Më duhet të nënvizoj që në fillim se një gabim i vogël, i pastudiuar, një gabim që buron nga voluntarizmi në ekonomi, dhe në mënyrë të veçantë në financë, përkthehet në shifra kolosale, në kosto të rënda për ekonominë dhe shoqërinë. Në këtë rast, kemi të bëjmë me atë që në fjalorin e financave quhet risk sistematik, i padiversifikueshëm, i pa evitueshëm. Në të kundërt, gabimet e një specialisti të thjeshtë apo të një drejtuesi individual në një ndërmarrje, përbën një kosto operacionale të evitueshme dhe një risk të veçantë, të shkëputur, të diversifikueshëm.

Pa u zgjatur në shpjegime të tjera, të kësaj natyre, më duhet të shtroj disa pyetje që në vlerësimin tim përbëjnë thelbin e zhvillimeve. Avantazhet e liberalizimit dhe te tregut janë të padiskutueshme. Nuk dëshiroj të merrem me këtë anë dhe nuk dëshiroj të bëj historianin. Shqetësimi im është gjetkë. A ka patur dhe a ka ekonomia e derisotme shqiptare zhvillime të pakontrolluara? Tregu, ky gjenerator i zhvillimit dhe rritjes ekonomike, ka manifestuar gjithnjë vetëm zhvillime pozitive dhe progres, apo ka patur dhe ka edhe deformime që burojnë natyrshëm nga forcat e keqorientuara të tregut? A ka ekzistuar mundësia e korrigjimit të zhvillimeve të pakontrolluara të tregut? Kërkesa dhe oferta në treg, për mallra dhe shërbime, janë rregullatorë të mjaftueshëm, apo është dashur që roli ekulibrues i shtetit të konceptohej ndryshe? Nëse tregu prodhon vetvetiu deformime, a duhet të pranojmë se kostot e tyre janë barrë që duhet mbajtur dhe përballuar dhe se nuk ka vënd për ndjeshmëri subjektive në ekonomi? Pyetje të tilla mundojnë dhe preokupojnë këdo që ka një formim të mirë dhe të mjaftueshëm në ekonomi dhe që ka ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe qytetarie.

Përpara se të shpreh opinionin, tashmë të konsoliduar, se në Shqipëri ka patur zhvillime të pakontrolluara, që do të duhej të evitoheshin, për të reduktuar kostot që këto zhvillime i kanë rrëmbyer ekonomisë, më duhet të nënvizoj se roli ekulibrues dhe sjellja e shtetit është çështje filozofie dhe konceptimi. Ky rol, kudo, kurdoherë dhe vazhdimisht ka qënë dhe është produkt i formimit profesional, individual, të personave që drejtojnë shtetin dhe drejtojnë institucionet. Politikat i hartojnë individët. Ky rol është në funksion të faktit se si e kuptojnë dhe si e konceptojnë ekonominë e tregut individët që i hartojnë këto politika. Duke qënë se politikat ekonomike dhe roli i shtetit janë çështje madhore për një vënd, ato duhet të jenë përfundime të nxjerra nga laboratorët e mendimit ekonomik dhe nga studimi, minimalisht, i efekteve që kanë prodhuar dhe prodhojnë të njëjtat politika në vënde dhe ekonomi me kushte të ngjashme. Në ekonomi nuk ka mundësi për eksperimentime. E pakta e domosdoshme që duhet kërkuar është që politikat ekonomike të konceptohen jo si detyrë dhe privilegj i një grupi të reduktuar individësh, ndonjëherë me formim ekonomik dhe profesional të pamjaftueshëm, por si një nevojë, jetësore, në të cilën të përfshihen profesionistët dhe teknicienët më të mirë dhe më të formuar të mundshëm të vëndit. A ka ndodhur dhe a ndodh kështu? Do të ishte një gabim i madh t’i përgjigjem kësaj pyetje të fundit me një po, ose jo, të thatë. Analiza e zhvillimeve duhet të shërbejë si një përgjigje e argumentuar. Roli ekulibrues dhe korrigjues i shtetit për evitimin e kostove të panevojshme dhe të deformimeve është njëra gjë. Sjellja e shtetit në shërbim të nxitjes së këtyre deformimeve është një gjë tjetër, shumë e rëndësishme.

Në këto kushte, gjykoj, është mjaft e rëndësishme të nënvizojmë se në hartimin e politikave dhe shprehjen e tyre nëpërmjet ligjeve, si vullnete të shumicave, roli i shtetit përveçse atribut i formimit të individit është edhe derivat i qëndrimit me administratën. Në këto 25 vite ka dominuar sjellja partizane dhe militante me administratën. Militantët e përdorur si “mish për top” profesionalisht e shumëfishojnë efektin negativ në ekonomi, të shkallës së lartë të ndikimit të mungesës së profesionalizmit dhe të voluntarizmit në punët e shtetit. Shpesh herë, në ekonomi, zgjidhjet dhe vendimmarrjet e drejta janë shumë afër me arsyetimin dhe gjykimin racional.

Në rastin më të mirë, një politikbërës, apo grupe politike, kur kupton apo kuptojnë  se ka/kanë gabuar në politikat e veta, deklaron se pranon që ka gabuar dhe se tani e tutje mbaron karriera e tij/tyre. Variantet më të këqija janë pa mbarim. Rrotacionet politike bëjnë që të zëvëndësohet një politikë ekonomike e gabuar me një politikë tjetër ekonomike që duhet testuar brënda një mandati tjetër nëse është e drejtë apo jo. A mjafton mbyllja e karrierës politike të një politikëbërësi për të zëvëndësuar kostot që bien në shpinë të shoqërisë nga deformimet e tregut apo nga dështimet në treg për shkak të aplikimit të politikave të papërshtatëshme, apo të formuluara jo në mënyrën e duhur? Përgjigjen dhe arsyetimin më të mirë e jep kushdo, mjafton që të shpjegojmë dhe të kuptojmë cilat janë disa nga zhvillimet e pakontrolluara të tregut në vëndin tonë dhe sa na kanë kushtuar ato? A mund të evitoheshin? A duhej të evitoheshin?

Deformimi i parë, privatizimet pa kriter. Si temë dhe problematikë është e njohur për publikun. Në thelb, problemi qëndron në pyetjen: a është realizuar një performancë më e mirë në të gjithë sektorët, objektet dhe ndërmarrjet e privatizuara? A është gjetur varianti më i mirë në privatizim? A kanë sot, objektet e privatizuara performancë më të mirë krahësuar me peridhën para privatizimit? A ka ende pasuri kombëtare të privatizuar, por të shndërruar në aktive hedhurina? Për të gjykuar lidhur me performancën e privatizimeve mjafton të studiojmë një parametër të vetëm: sa përqind e pronarëve që privatizuan objektet ish pronë shtetërore për herë të parë, vijojnë të jenë pronarë të ndërmarrjeve të privatizuara? Rezulton se mbi 58.6 % e objekteve të privatizuara janë tjetërsuar. Fakti që janë rishitur flet shumë. Zhvillim i pakontrolluar i tregut, ligj i papërshtatshëm, apo mungesë në zbatimin e ligjit? Apo të treja njëherësh? Ky fakt tregon se ndërmarrjet janë privatizuar në favor të individëve të mbështetur nga administrata shtetërore dhe/ose nga politika dhe jo në favor të individëve që kishin aftësi sipërmarrëse dhe programe të qarta zhvillimi ekonomik dhe teknollogjik. Të kuptohemi, jo të gjitha objektet dhe ndërmarrjet e privatizuara duhet domosdoshmërisht të performojnë më mirë. Një pjesë e tyre do të falimentojnë. Ky është ligj i tregut. Por masa e falimentimit ka një kufi llogjik dhe ekonomik. Ai është i lidhur me ciklin e biznesit. 

Në pamje të parë, duket pa vënd të ndalemi, apo të kthehemi, në një fenomen që sot nuk përbën tendencë, nuk është fenomen dominues apo që sot privatizimet konsiderohen dosje të mbyllura. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të propozohet rishikimi apo hapja e dosjeve të privatizimeve, por të kuptohet se një proces i konceptuar dhe drejtuar keq është në shpinë të të gjithë ekonomisë dhe të shoqërisë dhe se mbrapshtësia e procesit kthen mbrapsh gjithë shoqërinë, mban peng zhvillimin dhe progresin ekonomik. Privatizime dhe nacionalizime ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen si nevojë për ekulibër dhe barazpeshë. E mira për të cilën angazhohet dhe ekziston shteti është sigurimi i barazisë dhe të drejtës. Ky është një parim i formuluar prej Aristotelit që para 2350 vitesh.

Deformimi i dytë, ndërtimet pa lejë dhe pa kriter. Është pa asnjë dyshim një prej zhvillimeve më të mbrapshta në shoqërinë shqiptare. Toka, trojet, në shoqërinë tonë janë trajtuar në mënyrën më të mbrapshtë të mundshme. Zhvillimet e tregut në këtë element kanë qënë tërësisht në krahët e anarkisë. Ndërto ku të mundesh, ka qënë jo vetëm një sjellje që ka dëmtuar dhe shpërdoruar mjaft vlerat urbane dhe ambjentet publike në zonat urbane, por ky mentalitet ka shërbyer si një eksplozion që ka shkatërruar tokën bujqësore, pyjet, vreshtat, ullishtet, agrumet, etj. Ndërtimet pa kriter dhe pa lejë në Shqipëri të japin idenë e plotë të një shoqërie që ka ecur per një çerek shekulli në rrjedhje të lirë. Në këtë pikë, mund të themi me plot gojën që ska pasur shtet. Ndërtimet pa lejë kanë shpërdoruar tokën që të parët e kanë rruajtur me fanatizëm si burimin më të shtrenjtë dhe të paktë të jetës së tyre. Nuk mjafton pronësia mbi tokën për të justifikuar çdo lloj ndërtimi mbi tokë. Ndërtimet pa lejë, një deformim i tregut, apo abuzim me lirinë ekonomike? Ndërtimi i një objekti ndërtimor të çdo lloji, në çdo vënd të mundshëm, është një çështje private, është një çështje e lidhur thjeshtë me lirinë e individit, apo është një problem i interesave publike? Jo, pronësia mbi tokën është dhe do të jetë private, por interesi publik mbi administrimin dhe përdorimin e tokës është dhe duhet të jetë gjithnjë një shqetësim shoqërror. Ndërtimet pa lejë dhe pa kriter, kanë kërkuar fonde për tu ndërtuar, duke shpërdoruar një herë e përgjithnjë fondin e tokës, por ato kërkojnë dhe angazhojnë fonde  të tjera shtesë për t’i prishur ndërtimet pa lejë. Shpesh herë, të gjithë njëzëri, miratojmë prishjet për ndërtimet pa lejë. Por harrojmë që janë fonde, pasuri e madhe financiare e vëndit, pasuri kombëtare që shkatërrohet. A mund të justifikohen këto qëndrime me zhvillimet e tregut? Jo, në asnjë mënyrë. Individi jeton në komunitet. Komunitetet kanë nevojë për rregullime. Kjo nuk është ndërhyrje dhe deformim i tregut por, përkundrazi, sjellje e kontrolluar njerëzore.

Shteti në emër të interesave të shoqërisë është i interesuar që toka të punohet, që paralelisht me punimin e tokës të nxitet zënia me punë. Njëherësh shtohet prodhimi bujqësor dhe blegtoral dhe begatohet individi në një kuptim makroekonomik. Kjo është arsyea dhe kuptimi ekonomik i vendosjes së tatimit mbi tokën bujqësore, si tatim mbi pasurinë. Por, zhvillimet në tregun e tokës në vëndin tonë janë dramatike. Abuzim me lirinë ekonomike apo moszbatim të ligjit? Të dyja njëherësh. Abuzimet me “lirinë ekonomike” të individit janë tronditëse. Toka shpërdorohet vetëm një herë. Të parët tanë patën mirësinë, edukatën, kulturën dhe dashurinë që e ruajtën tokën si një nga gjërat më të shtrënjta. Ne si qytetarë, qeveritë e këtyre viteve si përgjegjëse, kanë lejuar një deformim që do tu kushtojë brezave të ardhshëm. Me siguri, ndonjëri do të ngrejë përsëri zërin: ky është rregullimi që bëri tregu! Cili treg? Si ka funksionuar ai? Sa i plotë ka qënë tregu? A kanë pasur mundësinë që të gëzojnë akses të përsosur në informacionin lidhur me zhvillimet e tregut të tokës, të gjithë operatorët e interesuar? Jo, me plot gojën jo. Tregu në këtë element ka qënë monopol i një grupi shumë të kufizuar individësh, të cilët për asnjë lloj merite profesionale, pronësie, apo risku, janë gdhirë të pasur, madje shumë shumë të pasur.

Deformi i i tretë: firmat piramidale. E kemi dëgjuar justifikimin që firmat piramidale ishin produkt i tregut të lirë. Kemi dëgjuar gjithashtu edhe një justifikim tjetër se firmat piramidale ndodhën nga që qeveria nuk e dinte e “nuk kuptonte” se çfarë po ndodhte dhe se asnjë specialist, asnjë bankier, asnjë financier, asnjë jurist apo prokuror nuk e ngriti zërin dhe të denonconte se çfarë po ndodhte. Në fakt kjo nuk është aspak e vërtetë. Për faktin se ngritën zërin, disa pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, në UT, humbën në mënyrën më skandaloze të mundur, vëndet e punës. Qeveria e kohës u ndje e turpëruar më vonë, por kjo pak rëndësi ka. Rëndësi ka një fakt tjetër: Firmat piramidale shpërdoruan rreth 1.5 miliardë euro të ekonomisë shqiptare. Në vitet kur ndodhën, kjo pasuri ishte shumë, shumë e vlefshme dhe se kjo pasuri financiare mjaftonte për ta shumëfishuar dhe nxitur mjaft ekonominë. Përsëri, kemi të bëjmë me një abuzim, të ndërgjegjshëm të shtetit, me lirinë ekonomike.” Lëreni individin të sillet si të dëshirojë”. Jo, në ekonomi, faktorët socialë, kulturorë, psikollogjikë, moralë dhe faktorët e lidhur me traditën dhe historinë kanë shkallë të lartë ndikimi. Ekonomia është shkencë sociale që ndikohet nga faktorë të tillë, madje mjaft. Për shkak të faktorëve psikollogjikë kanë falimentuar banka brënda një dite. Firmat nuk ishin produkt i tregut, por deformim i qëllimshëm i tij. Në një konferencë të kohës, një ish drejtues, deklaroi afërsisht kështu: “ne do të lejojmë të rrjedhë pastrimi i parave se kështu do zhvillojmë, madje shpejtë, ekonominë”. Pra kjo ishte filozofi e shtetit, mentalitet i tij. Ishte në një farë mënyre konceptim i gabuar, apo më saktë i ekzagjeruar, i termit treg i lirë. Shpjegimet e mëvonëshme kanë shërbyer si justifikime të një njeriu të zënë në faj.

Dëmi që i shkaktoi fenomeni “firma piramidale” ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare ishte i shumëfishtë. Ato pothuaj paralizuan sistemin financiar dhe bankar për disa vite. Dëmtuan mbi të gjitha mentalitetin e punës dhe injektuan pasigurinë e individit te institucionet e ndërmjetësimit financiar. Mbi të gjitha, pasuritë e firmave piramidale janë bërë në vijim objekt i një marrëzie tjetër disa vjeçare.

Deformimi i katërt, fenomeni kioska. Fenomeni kioska ishte përfytyrimi më banal i tregut dhe i ekonomisë së tregut. Në atë kohë, mjaft profesionistë të ekonomisë orientuan dhe propozuan që paratë e investuara vënd e pa vënd në kioska të vendosura dhe të instaluara kudo, në mënyrë të shëmtuar dhe në trajtë primitive, të orientoheshin në katet e para të pallateve, të cilat të shndërroheshin gradualisht në ambjente të kultivuara tregëtare. Sikur të mos kishim nxjerrë fare mësime, fenomenti kioskë përsëritet edhe sot. Nuk ka një rrugë që lidh dy qytete që të mos ketë ndërtimë pa lejë në të paktën çdo kilometër. Nuk ka kilometër që të mos ketë nga dy dhe tre pika të shpërndarjes së karburanteve. Në çdo 100 metra rrugë në qytete, gjen tre deri katër farmaci, tre deri katër furra buke, pesë deri gjashtë kafene, katër deri pesë permanente, dy deri tre llotari sportive. Këto të fundit, që u krijua përshtypja sikur po viheshin nën kontroll po shtohen përsëri dita ditës. Biznese që konkurojnë pa asnjë kriter njëri tjetrin. Deformimi i tregut ka lidhje edhe me mungesën apo mos zbatimin e ligjit. Biznese që ushtrojnë aktivitet pa kurrëfarë llogjike dhe koncepti. E rregullon vetë tregu biznesin kam dëgjuar të thuhet. Ky është konceptimi më i shtrëmbëruar i rolit të tregut dhe i veprimit rregullator të ofertës dhe të kërkesës. Çfarë kuptimi ka roli regullator i tregut në faktin që në një distancë 78 kilometra, studentët e degës së Financës në Universitetin e Tiranës, kishin numëruar dhe llogaritur 86 qëndra të shpërndarjes së karburanteve. Janë miliona që mund të ishin investuar diku duke plotësuar një boshllëk, duke zhvilluar dhe zbukuruar një sector tjetër. Kjo është tepërim me lirinë ekonomike. Është thjesht, mungesë vizioni dhe shpërdorim i energjive dhe burimeve financiare.

Në një rrugë të shkatërruar të qytetit të Tiranës, në një lagje jo dhe aq periferike, janë ndërtuar dy lokale lluksoze, një kafene dhe një restorant. Këtë luks në një kafe nuk e gjen as në Paris e në Londër. Duket qartë që ka një konflikt të madh midis luksit të biznesit privat dhe mjerimit të rrugës si objekt publik. A mund të veprojë tregu vetëm në një krah? A mund të ketë kuptim roli rregullator i tregut që bashkon luksin dhe mjerimin në të njëjtin vënd? A ka vlerë një objekt luksoz privat në një mjedis me infrastruktura publike mesjetare? Këtë lloj tregu do ta kishte mallkuar vetë Adam Smithi, i cili fuqinë çudibërëse të dorës së padukshme të tregut e shihte te barazia e operatorëve në treg, te aksesi i barabartë në raport me informacionin, te trajtimi i njëjtë i subjekteve prej shtetit dhe te reagimi dhe sjellja racionale e individëve.

Deformimi i pestë, ekonomia e drogës. Ekonomia e drogës është një fenomen më vete. Është produkt i një sjellje tjetër të shtetit, të ngjashme me disa të tjera të përmendura më sipër. Kultivimi i drogës, kamufluar mbas mentalitetit dhe arsyetimit që është tregu i lirë që i prodhon këto fenomene, është një deformim me pasoja po aq të mëdha. Madje edhe më të mëdha. Në kuptimin ligjor dhe financiar, ekonomia e drogës, deformoi zhvillimin ekonomik të vëndit. Me paratë e drogës vërtetë u ndërtuan objekte luksoze ku u punësuan njerëz dhe u shtua pasuria kombëtare. Por, ekonomia e drogës kultivoi mentalitetin se paratë dhe kapitalet mund të vihen në rrugë të paligjshme, pa shumë mund. Mjafton të kesh përkrahjen e shtetit. Ekonomia e drogës është ekonomi kriminale. Abuzimi dhe tepërimi me lirinë ekonomike e keq orienton zhvillimin ekonomik. Deformimi që ka bërë dhe bëri ekonomia e drogës dhe pasojat negative të saj duhen kërkuar më thellë në shoqërinë tonë, te kriminalizimi i një pjesë të shoqërisë, te lëvizja kundër rrymës, te toka e lënë pa punuar, te imazhi jashtëzakonisht i keq krijuar për shqiptarët, te kostot e mëdha që ka përballuar dhe përballon shteti për ta kthyer në normalitet këtë segment të jetës, shoqërisë dhe të ekonomisë. Pasojat e ekonomisë së drogës do të ndihen gjatë.

Rregullat e arta të tregut

A është e vështirë të kuptosh nëse jemi pro apo kundër rregullave të tregut? Për të kuptuar nëse një fenomen ekonomik është zhvillim normal apo deformim i tregut, mjafton që tu referohemi rregullave të arta të tregut. Ka rregullat e veta të arta të funksionimit të lirisë ekonomike dhe të rregullimit të tregut. Ekonomia dhe shoqëria e orientuar nga tregu e ka bazën e ekzistencës së vet te katër faktorë bazë: pronësia private, konkurenca e lirë, inisiativa dhe aftësitë sipërmarrëse. Të katër faktorët kanë nevojë të garantohen nga arbitri shtet dhe operatorët duhet të gëzojnë lirinë e të qënit të barabartë ndaj të katër faktorëve njëherësh. Ndryshe tregu nuk vetfunksionon dhe nuk vetrregullohet. Ndryshe, tregu prodhon gjithnjë zhvillime të pakontrolluara dhe shoqëria vuan pasojat dhe kostot e përballimit të tyre si dhe kostot e ndërhyrjes, për të rregulluar dhe kthyer në normalitet deformimet që burojnë dhe krijohen nga zhvillimet e pakontrolluara.

 Të nxjerrim mësimet e nevojshme

Në realitetin shqiptar një pjesë e deformimeve e kanë origjinën te padituria dhe mungesa e njohurive mbi mënyrën se si funksionon tregu. Ndaj duhen ekonomistët dhe financierët. Nuk është luks fakti që profesionistët më të mirë të ekonomisë dhe të financave, krerët e shteteve i mbajnë si konsulentët dhe këshilltart me të cilët projektohen politikat dhe reformat në ekonomi.

Mësimi numër një është i lidhur me faktin se në ekonomi duhen evituar sjelljet dhe aksionet voluntariste. Ekonomia ka ligjet e veta. Hartimi i një ligji të papërshtatshëm dhe neglizhenca për zbatimin e tij, janë njëlloj. Vërtetë ligjet e ekonomisë nuk janë si ligjet e natyrës. Ato marrin në konsideratë rolin shumë të madhe të faktorit njeri, me gjithë elementët e vet përbërës, me shkallë të lartë të ndikimit të faktorëve kulturorë, historikë, tradicionalë, psikollogjikë, moralë, etj. Do të ishte një paaftësi e madhe që të vazhdojmë të manifestojmë në ekonomi, si deri më sot, mentalitetin “laisser faire” (lëri gjërat të rrjedhin vetë). Vëzhgoni sa shumë na ka kushtuar mentaliteti dhe filozofia e ndjekur deri tani “bëj e prish”. Na lipset të ndërtojmë, madje vazhdimisht dhe pa prishur. Por, të ndërtojmë atë që duhet, në mënyrën e duhur, në vëndin e duhur dhe në kohën e duhur. Kjo kërkon domosdoshmërisht të respektojmë disa rregulla bazë.

Rregulli i parë, në ekonomi duhet të bjemë dakord për disa gjëra kapitale dhe strategjike të përbashkëta. Për fat, në këto 25 vitet e fundit të rrugës në ekonominë dhe shoqërinë e tregut, kemi treguar mirëkuptim mbarë kombëtar në dy drejtime thelbësore dhe strategjike. Dhe atje ku kemi qënë të unifikuar, kemi arritur edhe rezultate konkrete. Në çëshjten e Kosovës dhe në çështjen e integrimit, pothuaj të gjithë kanë qënë dakord dhe pa vonesa për drejtimin e lëvizjes. Nuk ka të majtë dhe të djathtë lidhur me nevojën dhe domosdoshmërinë e zhvillimit ekonomik. Zhvillimi ekonomik nuk pranon ekstremizma. Nuk pranon as nxitjen e anarkisë nën maskën e lirisë së tregut dhe as radikalizmin dhe centralizimin e tepëruar nën maskën e përgjegjësisë së shtetit. Ekstremizmat janë kurdoherë të dëmshme. Nuk shkohet në ekulibër me ekstremizma. Në këtë pikë na duhet të kuptojmë se modeli i tregut që duhet instaluar në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare është modeli i ekonomisë dhe shoqërisë europiane ku dëshirojmë dhe po integrohemi. Modeli ekonomik europian është modeli i tregut me fytyrën më njerëzore.

Rregulli i dytë, në ekonomi, të respektojmë gjithcka bën mirë paraardhësi ynë. Historia nuk fillon nga unë dhe nuk fillon gjithnjë nga e para. Shoqëritë e emancipuara akumulojnë përherë dhe vazhdimisht. Por akumulojnë dhe shtojnë pasuri të ndërtuara në përputhje me koncepte të pranuara si me vlerë të madhe. Kritikojeni politikisht dhe hidhni poshtë idetë e kundërshtarëve tuaj, por pranoni me përulje punën e mirë të bërë nga kushtdo. Kush ka kurajon të pranojë punën e mirë të bërë nga të tjerët lartëson  veten e vet. Çdo të ndodhte në Gjermani nëse një forcë politike të firmoste një kontratë të rëndësisë kombëtare dhe tjetra ta prishte? A do të kishte Bashkimi Europian sot monedhën euro nëse të djathtët dhe të majtët nuk do të mbështesnin të njëjtën reformë të unifikimit monetar? A do të kishte sot projekte ekonomike të përbashkëta fiskale, tregëtare, apo sociale, europiane nëse nuk respektohen rregullat e komunitetit nga partitë e të gjtha krahëve? Ekonomia nuk ka ngjyrë. Në çështjet thelbësore të zhvillimit ekonomik, në modelin e tregut që na përshtatet, në qëndrimin ndaj institucioneve që mbikqyrin dhe rregullojnë tregjet, në investimet e mëdha infrastrukturore, në përparësitë e zhvillimit, në qëndrimin ndaj organeve të pavarura si Banka e Shqipërisë, ERE, autoriteti Konkurencës, Autoriteti Mbikqyrjes Financiare, Borde dhe Këshilla të rëndësisë kombëtare, etj, jemi të dënuar të manifestojmë qëndrime të përbashkëta.

Por, akoma më e rëndësishme është nevoja e hartimit dhe implementimit të politikave të përbashkëta në fushën fiskale. Ligjet fiskale natyrisht provokojnë ndasi. Kjo është fare normale. Por, shtrati i përbashkët që rregullon lindjen e një aktiviteti dhe proçedurat tatimore të komunikimit fiskal me shtetin ka nevojë të jenë të mbarëpranuara. Në disa vënde, ligji më i rëndësishëm tatimor është Kodi fiskal, hartuar dhe miratuar si gjithë kodet, me shumicë të cilësuar apo me konsensus. Më kujtohet fare mirë, dikur, një forcë politike bënte thirrje për mosbindje fiskale, apo për mospagesë të energjisë elektrike. Ndonjëherë ka edhe politikanë mëndjeshkurtër që përkrahin qëndrime të tilla në këmbim të votive elektorale. Sa politikë e keqkonceptuar! Mosbindje fiskale do të thotë të bëjmë thirrje bizneseve të mos paguajnë tatimet dhe taksat. Mos bindje fiskale do të thotë thirrje për të shkatërruar dhe rrëzuar godinën shtetërore nën të cilën je strehuar edhe vetë. Sot nuk dallojnë shumë të majtët dhe të djathtët lidhur me proçedurat tatimore, lidhur me mënyrën e funksionimit dhe të modernizimit të skemave të sigurimeve shoqërore, lidhur me nevojën për të rregulluar dhe mbikqyrur tregun financiar dhe bankar, lidhur me mbrojtjen dhe përkrahjen e prodhimit vëndas, lidhur me ruajtjen dhe konservimin e mjedisit, lidhur me nevojën apo jo të Tatimit mbi vlerën e shtuar, etj, etj.

Mentaliteti të ndryshojmë gjithçka se tani jemi ne, është shumë i dëmshëm. Ndryshimet dhe reformat kërkojnë debat dhe konsensus njëherësh. Në mungesë të tyre kultivohet moszbatimi i ligjit që pjell zhvillimin e pakontrolluar dhe deformimin. Ndryshimet e herëpasherëshme të ligjeve, qoftë edhe atyre fiskale, tregojnë njëherësh tre gjëra të rëndësishme. Së pari evidentojnë faktin se nevoja për të ndryshuar një ligj buron nga nxitimi me të cilin është instaluar. Duhet korrigjuar një gabim. Në ekonomi nuk mund të bëhen gjëra shpejtë e shpejtë. Sa e rëndësishme është përpunimi i një alternative ekonomike! Politikat e reja kërkojnë prurje të reja, kërkojnë njerës të rinj me mentalitet të ri, por modern dhe të përgjegjshëm. Në vijim, ndryshimet e shpeshta të ligjeve mbartin me vete një nivel të lartë të riskut politik. Më bën përshtypje, madje shumë, fakti që në Francë ka mbi 25 vjet që shkalla tatimore standard  e Tatimit mbi vlerën e shtuar nuk ndryshon (19.6 %).  Po kështu nuk ndryshojnë shumë as politikat fiskale mbi biznesin e vogël. Tek ne, poltikat fiskale dhe thelbi i tyre duket sikur është fluger politik. Ndryshohen dhe premtohet se do të ndryshohen prapë, mjafton që të prodhojnë më shumë vota në fushata elektorale. Së fundi, themeli mbi të cilën qëndron fort zbatimi i ligjit është e lidhur me dukatën. Si mund të mirëedukohet publiku me edukatën e zbatimit të ligjit kur akoma pa e mësuar mirë përmbajtjen e tij, është hedhur për diskutim ndryshimi. Debati deri në miratimin e ligjit është normal. Që në momentin që ato miratohen, të zbatohen pa hezitim, nga çdokush dhe kurdo. Qëndrueshmëria ekonomike në treg është e lidhur edhe me respektin ndaj ligjit.

Së treti, ekonomia është e të gjithëve, është baza e çdo mirëqënie dhe prosperiteti. Duhet kërkuar mirëkuptimi. Por edhe duhet dhënë mirëkuptimi. Të bjemë dakord në atë se çka e kemi favor, e kemi avantazh, e kemi të gjithë. Të zhvillojmë dhe modernizojmë vlerat që kemi, të mos ndryshojmë drejtimet strategjike të zhvillimit sa herë të na teket. Drejtimet strategjike të zhvillimit janë linja, janë shinat, që nuk ndryshojnë sa herë që “ndryshon moti”, apo sa herë që emërohen dhe ç’emërohen drejtorë apo ministra. Ngritja dhe prishja pa kriter e strukturave qeveritare është dëmi më i madh që një pushtetar, ose disa syresh, mund t’i shkaktojnë një vëndi. Nëse turizmi sot ka një varg problemesh të pazgjidhura dhe të pakonsoliduara, kjo vjen përveç të tjerash edhe nga fakti se qysh prej 18 vitesh strukturat e organeve qëndrore të turizmit kanë ndryshuar rreth 14 herë. A mund të presësh rezultate nga struktura të tilla? Ndodh shpesh që për të hequr një individ me mandat nga një post i rëndësishëm pune, drejtues të institucioneve kushtetuese, më e thjeshtë është të ndryshohet ligji dhe pastaj të riemërohen drejtuesit e rinj. Çdo ndodhte nëse Bashkimi Europian do të kërkonte të ndryshonte strukturën e Bankës Qëndrore Europiane çdo katër vjet që ka zgjedhje?

Reformat e thella në ekonomi kërkojnë konsensus. Për opinionin tim, për çdo lloj kontrate konçensionare, kushtdo qoftë ajo, për cilëndo fushë dhe për këdo investitor, duhet domosdoshmërisht që të ketë një lloj konsensusi. Kur bëhet fjalë për operacione të fuqishme mbi pasuritë minerare kombëtare, për privatizime të sektorëve strategjikë, për përdorime dhe menaxhime të sektorëve të rëndësishëm të interesave publike, për përdorimin e burimeve ujore dhe natyrore, për menaxhimin e territorit dhe të bregdetit, etj, duhet konsensus parimor. Duhet një lloj konsesusi më i avancuar se ai që kërkohet për reformën territorial. Një kontratë konçensionare mund t’i kushtojë ekonomisë dhe vëndit shumë më tepër se administrata e një komune, caktuar gabimisht më tepër me ligjin e ndarjes territoriale. Ndërkohë, edhe këtu ka nevojë për konsensus.

Kujtdo i ka bërë përshtypje besoj pesha e rëndë e faturave dhe e shifrave trajtuar në Kuvend dhe në media kohët e fundit lidhur me konçensionet. Ministri i ekonomisë ka deklaruar, me të drejtë, se qeveria aktuale nuk mund të rishikojë kontratat konçesionare të firmosura nga qeveria e mëparshme, sepse ato krijojnë një faturë shtesë për buxhetin e shtetit, që kapërxen 250 milion euro. Këtu dalin njëherësh disa probleme: Së pari, pse nuk u trajtua me forcën e duhur dhe në kohën e duhur problemi? Pse nuk i bllokoi kontratat e padrejta konçesionare që dje kur ishte në opozitë, mazhoranca e sotme? Pse bashkëjetoi me një deformim të dëmshëm dhe të qëllimshëm të tregut? Nuk jam duke analizuar në cilat rrugë dhe nëse e kishte apo jo mundësinë. Në vijim: pse ishte e nevojshme që në fushatë elektorale të deklarohej se do të rrishikohen të gjitha kontratat konçesionare të firmosura nga qeveria e mëparëshme? Deklarata emocionale dhe politike! Qëndrim po aq voluntarist sa edhe paraardhësi. Një faturë afërsisht 90 milionë euro i shkaktoi buxhetit të shtetit çështja CEZ. Po kështu, një faturë afërsisht 60 milionë euro i shkaktoi buxhetit të shtetit çështja e trenit elektrik Tiranë-Durrës. Fakte të tilla fatkeqësisht ka shumë.

Kush e gjykoi dhe e peshoi me saktësi nëse përfitimi i disa dhjetëra kilovatorë të prodhuar nga ndërtimi i një HEC-i, të dhënë me konçension, vlen më tepër se biodiversiteti i sakrifikuar, se rënia në zhvillimin agroushqimor të zonës, se braktisja e traditës dhe reduktimi i prodhimeve rurale, apo braktisja nga banorët, të zonës ku rrjedhin ndër shekuj ujrat e dhëna me konçesion? A ju nënshtrua studimi i fizibilitetit, mbi të cilën është realizuar kontrata konçesionare, një debati të hapur dhe gjithëpërfshirës me grupet e interesuara? A jemi në gjëndje të gjykojmë se kush i ka shkaktuar më shumë dëm ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, qeveria e Zogut që nënëshkroi le të themi 10 kontrata koncesionare apo një ministër i dhjetëviteve të fundit që ka nënëshkruar mbi 100 kontrata koncensionare? Krahësimi në kohë dhe burime është i pavënd, por në procedura dhe politika është i njëjtë. Moszbatim i ligjit, ligj i hartuar dhe konceptuar gabim, apo të dyja së bashku? Ne kemi nevojë, sigurisht që të prodhojmë dhe të shtojmë energji elektrike, nga burime të rinovueshme, por jo në kurriz të kthimit në shkretëtirë të zonave të caktuara. Disa individë dhe investitorë kanë marrë me mundime dhe “sakrifica” të mëdha kontrata të tilla të cilat deri sot kanë filluar të bëhën objekt i shitjeve dhe blerjeve të shumta, në një treg që nuk funksionon dhe në të cilin, operatorët nuk kanë mundësi dhe nuk manifestojnë sjellje racionale.

Formalizimi i ekonomisë është një nevojë emergjente. Por formalizimi i ekonomisë dhe korrigjimi i deformimeve të tregut nuk mund të zgjidhet duke nxitur deformime të tjera. Politikat ekonomike dhe në mënyrë të veçantë ato fiskale, ka nevojë që të jenë minimalisht produkt i një studimi empirik të degës, sektorit, faktorëve, zhvillimeve, dinamikës dhe efekteve që priten të arrihen apo synohen të arrihen nga aplikimi i një politike të caktuar. Mbi bazën e çfarë studimi u arrit në konkluzionin se shkalla më e përshtatëshme tatimore për tatimin mbi fitimin duhet të jetë 15 % dhe jo 10 % sa ishte, apo jo 12%, apo 19%? Pse shkalla tatimore e tatimit mbi të ardhurat personale u caktua 13 % dhe jo 14 %, apo 16 %? Pse pragu i ndryshimit të shkallës tatimore është 130 000 lekë dhe jo 150 000 lekë? Diskutimi për mekanizmat apo shkallët tatimore është atribut i qeverive, por finalizuar jo mbi sjellje voluntariste.

Në bujqësi, zhvillimi dhe shtimi i prodhimit bujqësor është e lidhur me integrimin e fermerit me tregun dhe me lehtësimin e këtyre lidhjeve. Ai duhet të ndjejë drejtepërdrejtë sinjalet që jep tregu. Nëse midis fermerit prodhues në zonën rurale dhe konumatorit në zonën urbane ka shumë hallka të ndërmjetme atëherë fermeri nuk është i interesuar dhe prodhimi vëndas do të konkurohet lehtësisht nga prodhuesit e huaj. Në tregëtimin e karburanteve do të rishikohet sistemi i liçensave të tregëtimit. Në arsimin e lartë do të rishikohen liçensat e universiteteve private. Po kështu edhe në mjaft sektorë të tjerë. Pyetja që shtrohet është si do të realizohen këto reforma? Mbi çfarë kriteresh? A do të dominojë forca e parasë, e mandatit, e pushtetit mediatik dhe e “pushteteve të tjera” për të diferencuar dhe seleksionuar vazhdimin e aktiviteteve? A do të ketë një seleksionim administrativ dhe subjektiv apo do të përdoren kritere ekonomike dhe llogjike? Një ligj i ndërtuar jo mirë është deformim i tregut, ndërhyrje pa kriter në treg dhe që provokon zhvillime të pakontrolluara njëlloj, madje edhe më keq, se në kushtet e mungesës totale të rregullimit ligjor.

Botën e shtyjnë përpara idetë. Idetë prodhohen dhe përpunohen nëpër laboratorët e ideve. Qeveritë më të mira dhe më të suksesshme janë ato që qëmtojnë dhe kanë urtësinë që t’i gjejnë idetë dhe t’i kthejnë ato në gjeneratorë të ndryshimit dhe të progresit. Tregu luan rolin e gjeneratorit kur forcat dhe energjitë e tij nuk shpërdorohen dhe kur padituria e individëve të veçantë nuk lejohet të dominojë shoqërinë dhe të deformojë zhvillimin ekonomik, korrigjimi i pasojave të të cilit ka kosto jashtëzakonisht të mëdha.

A duhet të mbajë përgjegjësi materiale drejtuesi?

Nga Sherif BUNDO
Profesor i financave në Universitetin e Tiranës

Kushdo që e njeh sado pak administratën shtetërore dhe shtetin, nuk ka si të mos i ketë rënë në sy një fenomen shumë shqetësues. Kohët e fundit, Qeveria ka filluar të ekzekutojë dhe zbatojë vendimet e gjyqësorit lidhur me konfliktet e marrëdhënieve të punësimit. Të pushuar nga puna ndër vite që kanë fituar gjyqet me administratën shtetërore dhe që përveçse kthehen në punë, kanë fituar edhe të drejtën e dëmshpërblimit dhe të përfitimit të pagës së vëndit të punës që kanë pasur, për disa vite rresht.

Shumë mirë me zbatimin e vendimeve, por…

Nga njëra anë vërejmë një qëndrim korrekt të qeverisë për të respektuar pavarësinë e një strukture tjetër të shtetit, të një pushteti të pavarur nga pushteti ekzekutiv, i gjithëpushtetshëm në ushtrimin e kopetencave të veta. Gjykatat që i kritikojmë përditë dhe që me të drejtë ndaj tyre shoqëria dhe shteti kërkojnë ndershmëri dhe drejtësi të kulluar, kanë dhënë me dhjetra dhe dhjetra vendime për largimet nga puna. Në masë, vendimet e tyre, nuk kanë qënë zbatuar nga ekzekutivi. Qeveria (jo kjo e sotmja) nuk i ka konsideruar fare as vendimet që janë kthyer në titull ekzekutiv dhe as urdhërat e ekzekutimit të këtyre titujve ekzekutivë prej zyrave publike apo private të përmbarimit gjyqësor. Ky është njëri prej problemeve, nga më të thjeshtët, që me sa duket po gjen rrugën e zgjidhjes dhe për këtë duhet inkurajuar dhe përshëndetur. Nuk ka shumë rëndësi nëse qëndrimi i qeverisë aktuale për vendimet e gjykatave është një çështje e vullnetit dhe respektit të saj për pushtetin gjyqësor, apo është një detyrim dhe shtrëngim që buron nga strukturat që monitorojnë procesin e integrimit europian. Apo janë të dyja njëherësh! Rëndësi ka që vendimet po zbatohen dhe që individët e sorrollatur me vite nëpër zyra dhe korridore ministrish apo nëpër ndërmarrje, kanë filluar që të ndihen si njerëz të respektuar dhe qytetarë me vlerë.

 Nga ana tjetër, shtrohet fare natyrshëm një pyetje: ku e gjen kurajon, forcën, mbështetjen, “trimërinë” një drejtues që nuk respekton dhe nuk zbaton vendimin e një pushteti, si pushteti gjyqësor, fuqia juridike e të cilit ka të njëjtën vlerë kushtetuese me atë të pushtetit ekzekutiv? Si ka mundësi që drejtuesit e institucioneve nuk respektojnë dhe nuk zbatojnë vendime të formës së prerë të pushtetit gjyqësor? Të paktën deri sot kështu ka ndodhur. Unë nuk jam jurist, dhe nuk pretendoj se argumentat e mia juridike janë tërësisht të renditura në nene ligjesh dhe kodesh. Por, nuk ka nevojë për njohje të thella dhe të plota juridike për të konkluduar se shteti është në degradim kur pushtetet pjesë e shtetit i kundërvihen njëri tjetrit, apo nuk respektojnë njëri-tjetrin.

Fatura është shumë e rëndë

Në fakt shqetësimi im nuk ka të bëjë fare me atë sa shpjegova më sipër. Para disa ditësh mësova se numri i proceseve gjyqësore që kanë pasur për objekt marrëdhnëiet e punës në 8 vitet e fundit shkon në mbi 4250 raste. Vlera e dëmshpërblimeve që kanë akorduar vendimet e organeve gjyqësore të të gjitha niveleve shkon në mbi 82 million euro. (Është një llogaritje e përafërt, por edhe gjysma të jetë është jashtëzakonisht shumë e lartë). Në një të përditshme të Tiranës, vetëm për 8 muajt e fundit, thuhet se janë larguar mbi 1500 raste. Megjithëqë paksa e ekzagjeruar, shifrat janë gjithësesi shqetësuese. Pjesa më e ngarkuar me procese dhe penalitete të tilla është administrata publike, ose disa segmente të saj si administrata tatimore, administrata doganore, ministritë, organet e rendit, administratat e bashkive dhe të komunave, ndërmarrjet publike etj. Më të theksuara këto raste kanë qënë në ato instanca të pushtetit qëndror apo vendor në të cilat ka pasur rrotacion politik të forcave që drejtojnë qeverisjen e tyre. Në dy-tre vitet e para të zgjedhjeve fenomeni ka qënë tejet shqetësues.

Nga gjithë sa shpjeguam dhe parashtruam më sipër rrjedhin përfundime të rëndësishme dhe mjaft shqetësuese. Fatura e këtyre vendimeve është një penalitet i rëndë për buxhetin e shtetit. Emërimi apo largimi i pa argumentuar dhe i pajustifikuar nga puna i një punonjësi është kompetencë e titullarit të institucionit. Ky i fundit merr vendim në zbatim të kopetencave të caktuara prej akteve. Në rastin më të shpeshtë prej ligjit apo prej akteve të tjera normative. Por, çfarë kusuri ka qytetari i thjeshtë që të paguajë më shumë tatime dhe taksa për të përballuar këtë faturë shtesë që rëndon mbi buxhetin e shtetit të tij? Pse duhet të privohet ai, si qytetar i mirë dhe si individ nga një e mirë publike e munguar, apo ofruar me cilësi të keqe, nga që një pjesë e fondeve të buxhetit të shtetit u adresuan në një drejtim tjetër, provokuar nga një vendimmarrje e një drejtuesi të paaftë? Nuk mund t’i vëmë emër tjetër, përderisa vendimi i gjykatës i jep të drejtë punonjësit dhe e dëmshpërblen atë.

Barrën e vërtetë të detyrimeve të buxhetit të shtetit e mbajnë konsumatorët, qytetarët si konsumatorë. Përderisa vendimet e gjykatave i japin të drejtë punonjësve, kemi të drejtë të arsyetojmë se ndodhemi në rrethanat e dy situartave të mundëshme: ose drejuesit nuk kanë marrë vendime të drejta, ose ata nuk kanë pasur aftësinë profesionale dhe drejtuese që të argumentojnë ligjërisht drejtësinë e vendimmarrjes së tyre. Mund të ndodhin njëherësh edhe të dy rrethanat. Në rastin kur vendimmarrjet për largimet nga puna nuk janë të drejta, përgjegjësia bie drejtëpërdrejtë mbi drejtuesin kryesor, mbi vendimmarrësin. Në rastin kur punonjësi e ka mbushur kupën për të ndërprerë marrëdhëniet e punës, por administrate dhe zyrat e burimeve njerëzore dhe shërbimet juridike nuk e kanë aftësinë të provojnë dhe argumentojnë përgjegjësinë apo shkeljen e punonjësve, përsëri përgjegjësia është e drejtuesve që ndërtojnë dhe drejtojnë struktura të paafta administrative. Më ka rastisur të dëgjoj edhe raste fare flagrante, që nuk janë të denja as për vëndet më të prapambetura të Afrikës, apo as për periudhat e mesjetës, jo për një shtet europian. Drejtues, që pasi urdhëron largimin nga puna dhe ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve financiare, urdhëron rojet që punonjësi i larguar të mos lejohet të futet në territorin e ndërmarrjes. Administrata urdhërohet të mos i japë as një vërtetim page, dokumenti më minimal që kërkohet në konfliktet gjyqësore. Sjellje të çuditshme, por mjerisht të vërteta.

Pesha e dëmit në buxhetin e shtetit dhe e përgjegjësisë është akoma më e madhe, pasi për atë vënd pune që gjykata e rikthen në punë punonjësin e larguar nga puna, drejtuesi ka punësuar një tjetër. Dëmi është dyfish. Nga njëra anë një punonjës fiton, sipas vendimit të gjykatës dhe ligjit, pagën për një kohë për të cilën nuk ka punuar dhe nga ana tjetër në atë vënd pune, si rregull, në shumicën absolute të rasteve, është paguar një punonjës tjetër.

Vitet e fundit, kanë filluar të përdoren dhe të aplikohen metoda bizantine për largimin nga puna. Në disa ndërmarrje nacionale, një punonjës në Tiranë e emëronin në një degë apo filial periferik, si Kukës, Dibër, Korçë, Gjirokastër, apo Vlorë. Punonjësi i emëruar në këto zona nuk ka të drejtën të kërkojë në gjykatë rrikthimin në punë se nuk kemi të bëjmë me një nderprerje të marrëdhënieve të punës, por me një lëvizje brënda ndërmarrjes. Kjo bëhet qëllimisht për të përcjellë mesazhin e nënkuptuar që na duhet vëndi tënd i punës për një person tjetër, ndaj tërhiqu vetë.

Po drejtuesi a duhet të paguajë nga xhepi?

Punonjësi rikthehet në punë dhe do të fitojë pagën për kohën e larguar padrejtësisht nga puna. “Punë e madhe”, paguan buxheti shtetit. Edhe për këtë “punë e madhe”, buxheti i shtetit nuk është si portofoli i një individi të vetëm. Me këtë arsyetim, drejtuesit, për aq kohë sa të kenë postet, do të vazhdojnë të manifestojnë të njëjtën sjellje dhe të njëjtin mentalitet. Merr listën nga partia dhe emëro në vënde pune. Largo ata individë, posti i punës së të cilit nevojitet dhe lakmohet. Dëmin që i sjell ky mentalitet administratës publike nuk po e llogarisim këtu. Por, po drejuesi që merr një vendim, të padrejtë, të gabuar, të cilin e rrëzon gjykata a duhet të paguajë edhe ai materialisht, nga xhepi i tij, një pjesë të pages, apo gjithë pagën, që rimer punonjësi mbas kthimit në punë? Vendimi për zbritje në detyrë të një punonjësi me performancë të dobët dhe vëndimi për largim nga puna dhe ndërprerje të mardhënieve financiare janë dy gjëra të ndryshme.

Ky është një problem madhor. Sigurisht, nëse nuk lidhet drejtëpërdrejtë përgjegjësia administrative dhe drejtuese e një drejtuesi me përgjegjësinë materiale kur i shkakton dëm buxhetit të shtetit, nuk mund të flitet as për performancë në drejtim dhe as për drejtim dhe organizim korrekt të institucioneve shtetërore. Te privatet punët ndryshojnë. Ai ka vënë në përdorim dhe ka investuar një kapital që është pjesë e gjëndjes së tij pasurore. Drejtuesit në shtet nuk mund vetëm të gëzojnë disa favore të ligjshme dhe të mos ndiejnë asnjë lloj shtrëngimi, përgjegjësie apo detyrimi.

Juridikisht problemi nuk është kaq i thjeshtë. Ekonomikisht dhe financiarisht është i qartë. Po qe se i shkakton një dëm material financave të institucionit që drejton duhet të përgjigjesh materialisht. Kjo kërkon edhe një rregullim ligjor. Drejtuesi që merr një vendim për largim nga detyra, vendim i cili, në një kohë të dytë rrëzohet nga gjykata, duhet domosdoshmërisht të dëmshpërblejë minimalisht një pjesë të dëmit të shkaktuar. Kush dëmton duhet të çdëmtojë. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, nëse nuk alternohen dhe nuk lidhen përgjegjësitë me njëra tjetrën, nuk ka vënd për efiçencë në administratën publike.

Ka një përvojë europiane, madje të aplikuar në disa vënde. Në Francë, ligji detyron punëdhënësin kryesor, që në rast të largimit të padrejtë nga puna të një punonjësi, të paguajë nga xhepi i vet përfitimin që merr punonjësi nga shteti për papunësi. Në disa raste të tjera ligji idetyron punëdhënësin (drejtuesin kryesor) të paguajë një pjesë të përfitimit të pagës që fiton punonjësi nga vendimi gjyqësorit, ose detyron drejtuesin të paguajë deri 6 paga mujore të tij, ose tërësisht shpenzimet gjyqësore. Gjithësesi, për largimin e padrejtë nga puna, ligji e penalizon drejtuesin, deri edhe penalisht.

A kemi të bëjmë në këtë rast me dëm ekonomik?

Përderisa vendimmarrjet e gabuara shkaktojnë prekje të financave të institucionit, përderisa për një vënd pune, në fund të proçesit gjyqësor të fituar nga një punonjës i larguar padrejtësisht nga puna, paguhen dy persona, sigurisht kemi të bëjmë me dëm ekonomik. Dëmi ekonomik është objekt i procesit të auditimit të brëndshëm dhe/ose të jashtëm. Trajtimi i dëmit ekonomik dhe nxjerrja e përgjegjësisë mbi personin që e ka shkaktuar atë, është një nga detyrat, mendoj funksionale, të Kontrollit të lartë të shtetit, kur është fjala për administratën publike të çdo niveli.

Shpesh herë, auditues të KLSH trajtojnë dëm ekonomik rezultatet financiare negative në drejtimin dhe organizimin e institucioneve apo të ndërmarrjeve shtetërore apo të sektorëve publikë. (Këto dy janë koncepte të ndryshme). Humbja që rezulton nga aktiviteti në një ndërmarrje shtetërore apo në një shoqëri aksionare publike dhe që provohet se buron nga niveli i ulët i performancës në menaxhim nuk është dëm ekonomik. Ndryshe, komplet ndryshe qëndron puna me largimet e padrejta nga puna. Aktet, ligji për shërbimin civil, Kodi i punës, apo ligjet e tjera organike sektoriale, kanë cilësuar qartë dhe prerë kurdhe si prishen marrëdhëniet e punës për një punonjës. Nëse nuk respektohet as proçedura e largimit dhe as masa e shkeljes, kemi të bëjmë me një neglizhencë të drejtëpërdrejtë të drejtuesve, që ka për pasojë një dëm ekonomik. E nënvizoj edhe një herë, që ky moment ka nevojë për rregullim dhe interpretim juridik.

Në kërkim të informacioneve të reja për të qartësuar veten, përpara se të hedh për konsum në public një problematikë të tillë, mësova një fakt interesant. Në disa vënde, punonjës shumë të aftë, që kuptojnë më mirë se administrata përmbajtjen juridike të ligjeve, pranojnë me heshtje fillestare largimet e padrejta nga puna, për të përfituar në një kohë të dytë dëmshpërblimet që për ndërmarrjet dhe për shtetin janë kosto shumë të larta.

A mund ta bëjë kushtdo detyrën e drejtuesit?

Faktet që ofron praktika e përditshme janë nga më të çuditshmet. Të gjithë sulen të bëhen drejtor. Miqtë hyjnë për të bërë drejtor një njëri të vetin. Të rinj pa eksperiencë kërkojnë të jenë drejtora, jo të fillojnë karrierën dhe të fitojnë eksperiencën. Sigurisht, jo të gjithë, jo në çdo rast dhe jo në çdo rrethanë. Por, karriera ndërtohet dhe kërkohet në këtë mënyrë pa asnjë kriter të qënësishëm të meritës professionale. I vetmi kriter që përdoret rëndom për të përfituar një post drejtues është raporti politik me partitë politike. Kjo ndodh nga që drejtuesit nuk mbajnë, nuk ndjejnë dhe nuk ekspozohen ndaj asnjë lloj risku të përgjegjësisë.

Zgjedhja e drejtuesve të sektorëve, drejtorive dhe të institucioneve është një ndër problemet më të vështira për tu zgjidhur në procesin e qeverisjes. Nga zgjidhja me kujdes dhe me sukses e këtij problemi varet fati i vetë qeverisë, fati i administratës dhe e ardhmja e shtetit. Mëndësia dhe mëndjelehtësia me të cilën emërohen shpesh herë drejtues të niveleve të ndryshme të krijon përshtypjesn se efekti i ndjenjës së përgjegjësisë në punët e shtetit është mjaft i ulët. Rekrutimi dhe marrja në punë e punonjësve si dhe largimi nga puna, janë dy gjëra që kërkojnë drejtpeshim të përkryer. Punë të drejtëpeshuara mund të kryejnë vetëm drejtuesit e aftë. Futja e përgjegjësisë materiale të drejtuesit për të dëmshpërblyer dëmin ekonomik që i shkakton institucionit, edhe mbas largimit nga posti, do të ishte një kontribut shumë pozitiv në formimin dhe konsolidimin e një administrate të aftë profesionale që shërben si shtrat i mirë për çdo lloj reforme dhe progresi.

Karriget e pushtetit mbartin me vete një lloj “epidemie” dehje, prej servilizmit, prej lajkave, prej korrupsionit, prej hyrjes së vetes në qejf, prej fodullëkut, prej makutërisë. Imuniteti ndaj kësaj epidemie është e lidhur me të qënit qytetar dhe shërbëtor ndaj publikut. Qytetar i mirë nuk mund të jetë kushtdo. Njerëzit, gabimet më të mëdha në jetën e tyre i bëjnë kur janë në kulmin e karrierrës dhe të pushtetit. Siç duket, në kulmin e karrierrës, të dehur nga avujt e euforisë së suksesit, apo të kontaminuar nga epidemitë e karrierrës, individët marrin vendime të gabuara, pasojat financiare të të cilave nuk i paguajnë vetë. Kjo praktikë është e gabuar.

| Publikuar gjithashtu në një nga të përditshmet e shtypit shqiptar.

 

Më të kujdesshëm në fushën e financave publike

Nga Sherif BUNDO
Profesor i financave në Universitetin e Tiranës

Opinioni publik ka përjetuar për gati një vit emocionet e një debati të mirëfilltë politik, me intensitet shumë të lartë në muajt e fushatës, një nga epiqendrat e të cilit ka qënë diskutimi me përmbajtje të mirëfilltë financiare, lidhur me preferencën për sistemin tatimor: proporcional apo progresiv. Duke qënë se diskutimet për këtë temë, kanë konsumuar energji të mëdha politike, njerëzore, financiare, dhe në mënyrë të veçantë kohë, gjykoj se tema duhet rimarrë, por për tu trajtuar në mënyrë ezauruese, me argumenta profesionale dhe shkencore, në respekt të një kontributi dhe sugjerimi modest dhe racional për të gjithë ata që tatimet dhe taksat do ti kenë dhe do ti përdorin si instrumenta me të cilat synojnë të transformojnë ekonominë dhe shoqërinë. (Më duhet të nënvizoj që në fillim se në këtë shkrim nuk do të përdor termin “Taksë e sheshtë”, pasi është emërtim profesionalisht dhe shkencërisht i pasaktë, që ka hyrë në fjalorin e gjuhës sonë të përditshme për shkak të përkthimeve apo përdorimit të termave pa përshtatje).

Komentet mbi tatimet dhe taksat gjatë fushatës kanë marrë shpesh herë ngjyrime të karakterit politik. Me apo pa dashje, çdo prononcim do të kishte pak a shumë pamjen e një lloj partizanllëku politik. Sigurisht, argumentat profesionale dhe shkencore nuk janë asnjëherë të profilit militant, por gjykimi gjithësesi do të ishte vështirë të evitonte këndvështrimin politik.

Dy shkolla, dy modele të zhvillimit ekonomik
Diskutimi dhe debati, në kërkim të një strukture tatimore optimale, ka në origjinën e vet preferencat për modelet ekonomike. Për lexuesin e thjeshtë më duhet të nënvizoj se në ekonomi ka shumë rryma ekonomike dhe modele, të cilat janë në fakt derivate të dy shkollave: asaj klasike me përfaqësues Adam Smith dhe asaj neoklasike me përfaqësues John Maynard Keynes. Sipas shkollës klasike, në një ekonomi të “tregut të lirë”, që funksionon shumë mirë, pa pengesa dhe pa ndërhyrje, tregu jep për çdo operator informacionet e nevojshme, ndërsa operatorët dhe njerëzit manifestojnë gjithnjë sjellje racionale (bëjnë atë transaksion, marrin atë vendim, që ju nevojitet dhe në mënyrën që duhet). Në këto kushte një mall apo shërbim që do të mungonte do të stimulohej nga rritja e çmimit që diktohet për shkak të rritjes së kërkesës. Ky mekanizëm shërben për të nxitur dhe prodhuar gjithnjë atë produkt që duhet dhe për të frenuar atë që është “prodhuar me bollëk”. Për Smithin kjo është “dora e padukshme” që e çon shoqërinë dhe ekonominë përpara drejt rritjes dhe progesit. Për këtë arsye, shteti nuk ka nevojë të marrë përsipër rol të fortë dhe të dukshëm rregullator në ekonomi. Motorri ekonomik është liria e individit dhe “dora e padukshme” është mekanizmi që i çon gjërat në vendin e duhur, në kohën e duhur. Shoqëria nuk ka pse të shpenzojë shumë për strukturat administrative dhe shtetërore. Inisiativa e lirë dhe konkurenca do të seleksionojnë natyrshëm veprimtaritë, aktivitetet dhe subjektet që rezultojnë të paafta. Për këtë, shteti aplikon struktura tatimore të lehta dhe të ulëta. Subjektet ekonomike që tatohen pak rriten shpejt, zhvillojnë ekonominë, krijojnë vende të reja pune, por edhe rrezikohen shumë për shkak të konkurencës së ashpër dhe mund të falimentojnë lehtë. Të pasurit bëhen akoma më të pasur, të varfërit akoma më të varfër. Këto dy pole largohen shpejt dhe shumë nga njëri-tjetri, ndërkohë që duhet nënvizuar se edhe konfliktet sociale thellohen përditë dhe më shumë.

Dy shekuj më vonë, Keynes, arriti në përfundimin se edhe në se vërtetë tregu funksionon shumë mirë, në të luajnë njerëz të ndryshëm, me temperamente të ndryshme, me inteligjencë të ndryshme, me aftësi të ndryshme të absorbimit të informacionit, por edhe me shkallë të ndryshme reagimi dhe inisiative, me ndjeshmëri të ndryshme ndaj risqeve dhe me nivel pasuror të ndryshëm. Në ekonomi gjërat nuk mund të rrjedhin si në laboratoret e kimisë, apo në ligjet e fizikës. Për rrjedhojë, me kalimin e kohës, tregu prodhon zhvillime të pakontrolluara. Përvoja ekonomike botërore ka me qindra shembuj që vërtetojnë një fenomen të tillë. (Në vendin tonë të tilla duhen konsideruar si zhvillime të pakontrolluara firmat piramidale, ndërtimet pa lejë apo fenomeni i kioskave). Zhvillimet e pakontrolluara në ekonomi, sakrifikojnë pasuri të mëdha të krijuara nga shoqëria që shkatërrohen dhe që në fakt, me një rol dhe përgjegjësi më të madhe publike të shtetit, mund të parandalohen, mund të frenohen dhe mund të mënjanohen. Për këtë duhen struktura shtetërore më të afta, me rol mbikqyrës dhe rregullator më të fortë dhe më aktive. Për rrjedhojë, shteti duhet të ketë në dorë më shumë energji financiare të cilat do ti sigurojë nëpërmjet tatimit më të lartë mbi të pasurit për të asistuar më shumë financiarisht të varfërit.

Këto dy modele, ndër dekada dhe dekada, janë transformuar dhe përpunuar në mënyra qeverisje dhe në funksion të tyre, teoria e financave dhe e ekonomisë, shkollat, universitetet dhe akademikët, kanë formuluar dhe sugjeruar mekanizmat e realizimit të tyre. Objektivi strategjik që synohet të arrihet në të dy rastet është i njëjtë: të zhvillohet ekonomia, të rritet mirëqenia, të përmirësohet pa ndërprerë standardi i jetesës dhe jetëgjatësia e njeriut.

Për dy modele ka tre struktura tatimore
Në shërbim të dy modeleve të mësipërme ekzistojnë tre struktura tatimore. (Fjala dhe shprehja struktura tatimore përdoret në këtë rast për të shprehur dhe formuluar mënyrën e të tatuarit). Ato janë: struktura tatimore proporcionale, struktura tatimore regresive dhe struktura tatimore progresive.

Struktura tatimore proporcionale (që në Shqipëri abuzivisht quhet “taksë e sheshtë”), ose horizontale, është ajo strukturë tatimore me të cilën, shteti taton me të njëjtën shkallë tatimore (për shembull me 10% për të gjithë), çdo të ardhur, çdo pasuri, apo çdo shpenzim. Strukturat proporcionale i përshtaten modelit të shkollës së parë. Ato janë të thjeshta për tu zbatuar nga administrata, janë të thjeshta për tu kuptuar nga publiku dhe të lehta për tu pranuar nga tatimpaguesit.

Struktura tatimore regresive, për më tepër, është ajo strukturë tatimore sipas të cilës, me rritjen e bazës tatimore ulet shkalla tatimore, masa e të tatuarit. (Pra një pagë 200 euro tatohet 10%, ose 20 euro, ndërsa një pagë mujore 2000 euro, tatohet përshëmbull 8%, por në shumë absolute 160 euro, që është më e madhe se 20 euro). Strukturat tatimore regresive është e përshtatëshme të instalohet në periudhat që nevojitet një ngritje e shpejtë e biznesit dhe e inisiativës së lirë. Është struktura tatimore që teorikisht dhe praktikisht është e ndërtuar posaçërisht për të favorizuar bizneset dhe gjallërimin ekonomik.

Të dy strukturat e para janë të përshtatshme për të mbështetur zhvillimin ekonomik sipas shkollës klasike. Janë pothuaj struktura tatimore që përdoren përgjithësisht nga qeveritë e djathta. Karakteristika kryesore e tyre është se të dyja thellojnë diferencimin dhe polarizimin pronësor dhe pasuror të publikut. Zbatimi për një kohë të gjatë i tyre është me pasoja të mëdha sociale dhe me kosto shumë të lartë.

Struktura tatimore progresive, është ajo strukturë sipas të cilës me rritjen e bazës tatimore (të ardhurave, shpenzimeve apo pasurisë), rritet edhe shkalla tatimore. (Përshëmbull një pagë 200 euro tatohet me 5%, një pagë 2000 euro me 10% dhe një pagë 4000 euro me 20%. Mund të ndërtohet edhe me segmente, ose me intervale).

Strukturat tatimore progressive janë karakteristika të shkollës së dytë, asaj neoklasike. Janë struktura tatimore që përdoren përgjithësisht nga qeveritë e majta. Qëllimi kryesor i strukturës progresive është i trefishtë: 1. Ti tatojë të gjithë, përderisa nga të mirat publike që prodhon dhe ofron shteti përfitojnë të gjithë. 2. Kush fiton më shumë të paguajë dhe të tatohet më shumë. 3. Grumbullon më shumë burime financiare në duart e shtetit, të cilit i kërkon që të bëjë rishpërndarje dhe të zbusë ekstremizmat, të cilat me kalimin e kohës prodhojnë kosto të mëdha për shoqërinë dhe shtetin.

Strukturat tatimore mikse, strukturat e kohërave moderne
Mbas luftës së dytë botërore dhe veçanërisht mbas viteve 80-90 të shekullit të kaluar janë aplikuar ato që quhen strukturat tatimore mikse. Quhen të tilla se kanë elementë nga të dy strukturat tatimore, kanë edhe proporcionalitet, edhe progresivitet. Kështu për shëmbull, kur themi paga nga 200 deri 400 euro tatohet 10%, kjo nënkupton se edhe paga 201 euro, edhe niveli 399 euro tatohen me të njëjtën shkallë tatimore.

Strukturat tatimore mikse janë të përshtëshme për qeveritë e partive të qendrës. Ato janë aplikuar edhe prej qendrës së majtë edhe prej qendrës së djathtë. Strukturat tatimore mikse kanë pamjen e strukturave tatimore të bashkëjetesës, janë larg ekstremeve, dhe alternojnë avantazhet dhe disavantazhet e njërës strukturë me ato të një strukture tjetër.

Struktura tatimore proporcionale, por me nivel të lartë të borxhit publik
Po të abstragojmë nga preferencat e djathta apo të majta, apo po të tentojmë të analizojmë situatën makrofinanciare të këtyre muajve të fundit, në vendin tonë, do të nënvizonim se: qeveria e PD tentoi të aplikojë dhe aplikoi strukturat tatimore proporcionale. Proporcionalitetin e shtriu pothuaj në të gjithë elementët tatimorë. Tatimi mbi të ardhurat personale 10%, tatimi në burim 10%, tatimi mbi të ardhurat e biznesit (tatim fitimi) 10% dhe po kështu edhe shkalla tatimore e TVSH në më të shumtën e kohës qëndroi proporcionale, e pandryshuar 20%, e pa shkallëzuar. Fillimisht kjo i shërbeu një klime më të shëndetshme biznesi. Kjo ndikoi njëherësh në rritjen relative të shkallës së deklarimit dhe zgjeroi bazën e tatushme. Për rrjedhojë rriti edhe të ardhurat tatimore të buxhetit të shtetit, madje ndjeshëm dhe në ritme të larta përgjatë mandatit të parë të qeverisjes. Kjo duhet thënë hapur. Kjo masë u shoqërua me një përmirësim të ndjeshëm dhe të dukshëm të administrimit tatimor dhe të raportit të borxhit ndaj prodhimit të brendshëm bruto.

Nga ana tjetër, qeveria e djathtë, kërkoi, ndryshe nga filozofia e saj, të marrë përsipër dhe të centralizojë shumë sektorë dhe shërbime. Ajo u zgjerua shumë, shumë më shumë se mundësitë e saj, në investimet publike, në rrugë, në shkolla, në rritje pagash, dhe në sektorë të tjerë të ngjashëm. Kjo sjellje ka qënë tipike elektorale dhe për ambicie politike. Në kushtet kur ekonomia ezauroi rritjen ekonomike dhe u prek nga kriza, nevojat e buxhetit u përballuan jo më me burimet e tij, por me rritjen e borxhit. Rolin e vet, si multiplikator të zhvillimit ekonomik të vendit, qeveria tentoi ta luante nëpërmjet zgjerimit të investimeve dhe punëve publike, si reformë tipike e majtë, me rritje të borxhit publik. Rritja e borxhit publik, nuk është gjë tjetër, veçse rritje e tatimeve dhe e taksave, jo për gjeneratën dhe gjeneratat aktuale, por për brezat e ardhshëm. Në esencë, rritja e borxhit publik duhet shlyer kur të vijë koha prej të njëjtit burim: rritjes së tatimeve dhe të taksave. Kjo është rritje e tërthortë tatimesh ose transferim në kohë i vështirësive financiare.

Cilat janë strukturat tatimore më të përshtatshme aktualisht për vendin tonë?
E majta  erdhi në pushtet për dy arsye të forta: të pakënaqësisë së publikut prej reformave të djathta si dhe për shkak të vlerësimit me optimizëm të reformave të premtuara nga të majtët. Të majtët kanë premtuar më shumë punësim dhe rol e përgjegjësi më e madhe të shtetit në fushën e nxitjes së punësimit, më shumë transparencë, sistem arsimor publik më efiçent dhe më cilësor, menaxhim më të mirë të investimeve dhe të sektorit publik, shërbime publike më afër qytetarit, kujdes dhe sensibilitet të lartë ndaj mjedisit, burimeve energjetike, minerale dhe sektorëve strategjikë. Në këto kushte, program i qeverisë së majtë pritet të ketë dy matrica të kushtëzuara: nga njëra anë një listë të gjatë reformash të premtuara, të cilat duhet të programohen për tu realizuar dhe nga ana tjetër një bilanc financiar mbështetës, realist dhe konkret. Mbërrijmë natyrshëm në konkluzionin që struktura tatimore progresive duhet të jetë thelbi i reformave fiskale.

A duhen marrë me frikë strukturat tatimore progresive, apo progresive të miksuara?
Kjo është një pyetje që preokupon shumë, me sa kuptoj dhe lexoj nëntekstin e komunikimit me publikun të politikbërësve të maxhorancës së re. E rëndësishme është të konceptohet drejtë modeli ekonomik që kërkohet dhe gjykohet si më i përshtatshëm në vendin tonë. Që të mos ketë vend për keqkuptime dhe keqinterpretime, duhet nënvizuar se qeverisja e majtë duhet të bëjë publike mirë faktin se në çfarë gjendje është ekonomia dhe financat publike sot, dhe se çfarë kërkohet dhe synohet të arrihet mbas katër vitesh? Cila është përgjegjësia e shtetit sot dhe se çfarë synohet të arrihet për mbas një mandati?  Modeli ekonomik që duhet konsideruar si objektiv në vendin tonë është dhe duhet të jetë modeli ekonomik i bashkësisë europiane: ekonomia sociale e tregut. Pa koncepte të qarta teorike nuk ndërton dot mekanizma efiçentë fiskalë.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit duhet të rriten. Ky është ekuacioni numër një që duhet zgjidhur. Por ky ekuacion ka shumë variabla. Hapi i parë që duhet hedhur, është të mënjanohet padrejtësia që në raport me tatimet, i varfëri dhe i pasuri janë njëlloj, tatohen me të njëjtën shkallë tatimore. Filozofia e strukturës tatimore aktuale proporcionale materializohet me sentencën: me qumështin që i duhet fëmijës së një familje të varfër, do të ushqehet qeni që mban një i pasur.

Strukturat tatimore progresive, së dyti, duhet të konceptohen drejtë. Sigurisht, tatimet dhe taksat nuk janë norma morale por shprehje të vullnetit të shumicës. Kjo do të thotë që progresiviteti të ndërtohet i studiuar. Ai që fiton më shumë duhet domosdoshmërisht që edhe në terma absolute dhe edhe në terma relative, duhet të paguajë më shumë.

Së treti, progresiviteti nuk duhet të prekë vetëm të ardhurat personale. Kjo do të ishte një gabim i rëndë. Në të ardhurat personale, tatimi duhet të jetë i diferencuar sipas nivelit të të ardhurave, por ai duhet të shtrihet edhe në të ardhurat e bizneseve. Në raport me bizneset, maxhoranca nëpërmjet strukturave tatimore ka në dorë, të nxisë prodhimin vendas. Prodhimi vendas është energjia e progresit. Më e drejtë do të ishte edhe teorikisht edhe praktikisht të përdoren shkallë progresive të tatimit mbi dividendin. Por për disa sektorë mund të aplikohen tatime mbi fitimin të diferencuara. Kështu për shembull në sektorët ku shteti dukshëm ka dhënë të drejta konçesionare, ku përdoren burime natyrore, energjetike, minerare, ku normat e fitimit janë të larta, në fushën ku dividendët apo investimet jashtë sektorëve prodhues kanë qënë të larta, mund të përdoren edhe norma tatimore të diferencuara, më shumë se 10%. Kjo kërkon studime të mirëfillta. Për fat, administrate e sotme është më profesionale se ajo e para 10 viteve. Sigurisht jo në të gjitha nivelet dhe jo në të gjithë sektorët.

Mos harroni shembullin grek në fushën e financave publike.
Sigurisht, që gjatë fushatës elektorale e majta ka bërë edhe premtime pa doganë. Gjithnjë, politika dhe politikanët, në kulmin e fushatës dhe të debatit politik, manifestojnë sjellje emocionale dhe aspak racionale. Dikur, ish kryeministri socialist, premtoi se do tju kthejë paratë që ishin humbur në firmat piramidale. Ne ekonomistët e përjetuam asokohe si një deklaratë skandaloze, aspak realiste dhe diskredituese.

Po kështu, në fushatën e fundit, të djathtët premtuan rritje të pagave. Madje, këshilli i Ministrave nuk ngurroi të merrte vendim për këtë rritje. Por, a janë kushtet e financave publike për të rritur pagat e sektorit publik dhe të administrates publike? Nuk ka nevojë për diplomë ekonomie të kuptosh se sjellja më e drejtë e çdo qeverie përgjatë vitit 2013 dhe gjysmës së parë të vitit 2014, do të ishte një sjellje në kushtet e emergjencës, një kujdes maksimal për të frenuar dobësimin e mëtejshëm të financave publike dhe stabilizimin e buxhetit të shtetit. Në të kundërt, do të ndodheshim në kushte të ngjashme me ato të ekonomisë greke. Nuk lipset rritje e pagave, por garanci për këtë nivel pagash që kemi dhe përpjekje për të mos dobësuar fuqinë blerëse të lekut. Nuk është vetëm rritja e pagave, politika që pritet të rrisë konsumin, për të cilën ka nevojë ekonomia shqiptare. Pritshmëria për vitin 2013 është një thellim i defiçitit buxhetor, ose një sjellje tejet frenuese e investimeve publike. Për këtë duhet koshiencë e lartë. Ndryshe, maxhoranca e sotme do të ballafaqohet që në fillim me vështirësi bllokuese. Shpesh herë nuk mjafton vetëm dëshira e mirë.

Sistemi bankar në vrndin tonë ka likujditet të mirë dhe për mjaft kohë është vënë re rritje e ndjeshme apo rritje sistematike e depozitave. Është sjellje tipike e familjeve në kohë krize. Ndërkohë duhet nxitur konsumi që të motivohet zhvillimi ekonomik. Për këtë gjykoj që rruga më e drejtë do të ishin politikat e inkurajimit të investimeve dhe zgjerimit të sipërmarrjeve. Duket, sikur krijohet një konflikt midis nevojës për struktura tatimore progresive dhe nxitjes së investimeve. Në fakt nuk ka konflikt. Të nxiten investimet në sektorët e prodhimit vrndas dhe të tatohen progresivisht fitimet që nuk investohen në sektorët prodhues. Kjo do transferojë kapitalet dhe vëmëndjen nga sektorët e tregtisë, të disa shërbimeve jo të dobishme, të lojrave të fatit, etj drejt ekonomisë reale dhe prodhimit vendas. Nxitet punësimi dhe stimulohet reduktimi i importeve.

Nuk janë kushtet në vendin tonë që të luhet fort, jashtë realitetit, me premtime që dëmtojnë financat publike. Kam përshtypjen se edhe përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat nga pagat për shumat deri në 30 000 lekë në muaj, ishte një vendim emocional, nën efektin e emocioneve të fushatës. Ishte vendim elektoral. Nuk mendoj se pagat e këtij niveli, mund të kontribuojnë shumë në buxhetin e shtetit, por vendime të kësaj natyre dëmtojnë, shumë më shumë se sa kultivojnë, në atë që quhet kultura fiskale e publikut. Nuk prish ndonjë ekulibër të madh pse një person që përfiton 30 000 lekë në muaj të paguajë për shembull vetëm 500 lekë tatim.

Do të hiqet taksa për biznesin e vogël?
Është një fjali e dëgjuar shpesh përgjatë një viti. Detyrimi kryesor tatimor sipas ligjit aktual që detyrohet dhe paguan biznesi i vogël quhet: “taksa vendore mbi biznesin e vogël”. Termi përsëri është i gabuar, se në përmbajtje ajo që paguan biznesi i vogël sot është një tatim i paracaktuar, i paragjykuar. Do të hiqet një taksë, dhe kjo do të zëvëndësohet me një mënyrë tjetër tatimi? Kjo është fare normale. Por që të përjashtohet nga tatimi gjithë biznesi i vogël, kjo do të ishte nga njëra anë një utopi dhe nga ana tjetër një voluntarizëm i mirëfilltë. Do hiqet taksa vendore mbi biznesin e vogël për tu zëvëndësuar me tatimin mbi fitimin nga aktiviteti i biznesit të vogël? Kjo do të ishte gjithashtu normale. Do të ndryshojnë kriteret fiskale të klasifikimit të një biznesi në të vogël dhe të madh? Edhe kjo do të ishte normale të ndodhte. Dhe faktikisht duhet të rishikohet. Do të ndryshojë kufiri i xhiros mbi të cilën aplikohet tatimi mbi vlerën e shtuar? Përsëri edhe kjo do ishte normale. Por nuk është normale dhe nuk ka si të përjashtohen nga tatimi 96% e bizneseve në vendin tonë, të cilat sipas kritereve aktuale plotësojnë kushtet që të quhen dhe të konsiderohen biznese të vogla.

Së fundi, jo më pak e rëndësishme, biznesi i vogël është energjia që ushqen organet e pushtetit të qeverisjes vendore. Ndaj tyre, shteti duhet të ndryshojë sjelljen, edhe financiare. Në raportet financiare me pushtetin vendor duhet kërkuar një zgjidhje funksionale, motivuese, vetëlëvizëse dhe konkuruese.

* * *

Në vend të mbylljes: Në financë nuk mund të bëhen eksperimente
Në se në sektorët e tjerë të ekonomisë, llogjika pranon që edhe mund të eksperimentosh, në fushën e financave publike në asnjë mënyrë nuk mund të bëhen eksperimente. Kërkohen koncepte të qarta, objektiva të qartë dhe instrumenta të qartë. Sigurisht që nuk ka zgjidhje dhe mekanizma të përsosur. E përsosur duhet të jetë përpjekja për të ndërtuar struktura tatimore të drejta, që reflektojnë aftësinë paguese të tatimpaguesve, që janë të besueshme dhe transparente, që janë të përshtatshme, që nxisin zhvillimin dhe rritjen dhe janë efiçente.