Tag Archives: COVID19

Të mendojmë e veprojmë sot për ekonominë nesër

Kriza, në të cilën është përfshirë vendi, krahas problemeve të shëndetit, ka nxjerrë në plan të parë ekonominë. Ekonomia dhe zhvillimi i saj janë një mekanizëm gjigant, që as ndalohen menjëherë dhe as mund të lëvizin menjëherë. Për zhvillimin e saj duhet menduar shumë seriozisht që sot, nesër do të jetë vonë, shumë vonë. Para mendimit ekonomik vendas, por në mënyrë të veçantë para strukturave vendimmarrëse, shtohet për zgjidhje një problem i madh: cili është rendi i prioriteteve? Organet dhe strukturat qeverisëse duhet të merren me menaxhimin e së sotmes apo mendimi dhe veprimi duhet t’i paraprijë një perspektive të arsyeshme? Pa neglizhuar të sotmen, duke u marrë seriozisht me emergjencën, duhet paralelisht të projektojmë veprimet dhe të llogarisim efektet e së nesërmes. Duhet të veprojmë në mënyrë të tillë që të manifestojmë se jemi të aftë të ndërtojmë aksione që shohin përtej një jave dhe një muaji. Në të kundërt, pasojat do të jenë të pallogaritshme dhe ato do të na gjykojnë rëndë. Nuk dua të përfitoj nga situata për të kritikuar ata që marrin vendime, të cilët, ca nga ngarkesa, ca nga mungesa e përvojës, ca të mbytur nga politikat e mbrapshta të ndërmarra nga ata vetë në të shkuarën dhe nga mungesa e dukshme e profesionistëve, duken më tepër të preokupuar të zgjidhin dhe t’u përgjigjen problemeve të ditës së atyre të së nesërmes. I ka bllokuar problematika e ditës. Në këtë kuadër, këtë shkrim dua ta ndërtoj më tepër si një ftesë për të parë më larg. Për jetën ekonomike të vendit, duhet të krijohen shtabe ekspertësh dhe profesionistësh. Edhe për ekonominë duhet të ketë shtabe, sikurse edhe për shëndetësinë dhe pandeminë. Vendi nuk ka luksin të konsumojë energji me replika dhe mendime alternative që nuk merren në konsideratë për shkak të sedrës së sëmurë apo fudullëkut. Duhet të bëhen vlerësime dhe të ndërtohen skenarë të projektuar nga njerëz që studiojnë prognozat dhe bëjnë parashikime.

Kjo krizë, provokuar nga një fatkeqësi natyrore, që ka pasuar një tjetër fatkeqësi, atë të tërmetit të 26 nëntorit, ka kostot e saj jo vetëm njerëzore, por edhe ekonomike, të paparashikuara. Këto kosto duhet të përballohen nga tre partnerët socialë të shoqërisë: nga individi dhe familjet e tyre; nga ndërmarrjet si subjekte ekonomike dhe nga shteti si strukturë që është krijuar për të rregulluar bashkëjetesën në komunitet dhe mirëfunksionimin e shoqërisë. Me funksionet financiare të shtetit merren qeveritë, ndaj sugjerimet dhe propozimet e mia gjykoj duhet të jenë çështje në konsideratë të qeverisë dhe Kuvendit. Nëse nuk gjejmë rrugët e duhura të reagimit, kostot për ekonominë dhe shoqërinë do të shumëfishohen. Ministrat dhe qeveritarët të mos bëjnë dispeçerin, zëdhënësin e shtypit, të mos dublojnë gazetarin apo komentatorin, por të projektojnë aksione dhe veprime, të mos ndalin duke prodhuar ide dhe reaguar, të vënë në lëvizje strukturat dhe gjithë shtetin. Ky është misioni i tyre. Reagimi ndaj krizës duhet të vijë paralelisht në disa linja.

CILAT DO TË JENË PASOJAT?

Çdo parashikim është i vështirë, por disa opinione mund të thuhen. Duhet të kemi të qartë se kriza e provokuar nga Covid-19 e ka prekur shumë ekonominë shqiptare. Sektorët që kanë ndërprerë aktivitetin, reduktimi i veprimtarisë me gati 50% në sektorët që e kanë reduktuar dhe ndryshimi i strukturës së kërkesës konsumatore, së bashku me impaktin që japin këta tre faktorë mbi pjesën funksionale të saj, do japin një efekt negativ zinxhir, që do zgjasë në kohë dhe që do të provokojë natyrshëm tri fenomene, për të cilat duhet të jemi koshientë. Do të ketë rënie të ekonomisë. Ekonomia do të përjetojë një rënie, që, sipas një parashikimi të projektuar nga disa ekspertë, do të zgjasë nga 1,5 deri 2,5 vjet. Në këtë fenomen do të mpleksen pasojat negative të të dyja ngjarjeve natyrore. Qeveria duhet të krijojë një grup pune të veçantë që të ketë si mision studimin e zhvillimeve të mëvonshme dhe të përmasave të pasojave të ekonomisë. Aktualisht duhet të përqendrohemi njëherësh në dy drejtime: në përballimin imediat të pasojave dhe zgjidhjen e problemeve emergjente të jetës dhe shëndetit, por edhe në drejtim të projektimit të veprimit për nesër. Kur flas për nesër, kam parasysh, çfarë do bëhet mbas 6 muajsh, mbas një viti, mbas një viti e gjysmë. Nëse nuk mendojmë seriozisht për këtë, do të lodhemi dhe do t’i nënshtrohemi një skenari zhvillimesh pa koncept, pa projekt dhe pa ide të qarta. Për këto projeksione, le të angazhohen strukturat respektive që ka shteti në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë dhe në Bankën e Shqipërisë, të cilët, për shkak të bazës më të plotë dhe të besueshme të të dhënave, mund të ndërtojnë prognoza më të realiste.

Ndërkohë që është e vështirë të bëhen parashikime dhe prognoza të sakta, po me siguri mund të thuhet se do të ketë prishje të natyrshme të raportit të kërkesës dhe të ofertës në shumë e shumë produkte dhe shërbime. Mungesa e eficiencës së tregut dhe rregullimit prej tij do jetë ekstreme. Edhe pse thuhet që ekonomia në sektorët prodhues do të punojë në mënyrë të shtrënguar dhe prodhimi nuk do të ndërpritet, përsëri efektet zinxhir të saj do të ndihen dhe mjaft fort. Kështu, mosfunksionimi i subjekteve të sektorit të turizmit, të shërbimeve të tjera të ngjashme, të restoranteve dhe bareve, të transportit të të gjitha llojeve, bllokimi apo reduktimi shumë i ndjeshëm i import eksporteve, do japin efektet e tyre në sektorin e bujqësisë. Fenomeni i shpërdorimit dhe i hedhjes të prodhimeve bujqësore, për shkak të mbylljes mund të kthehet në një fenomen serioz. Në këto situata, është e natyrshme dhe e pritshme që të ekspozohemi ndaj një normë inflacioni nga 5-8% dhe në disa produkte edhe më shumë. Në këto parametra, për opinionin tim, do të jetë e pranueshme. Në një kohë të dytë do të aplikohen mekanizmat e stabilizimit dhe të tkurrjes së likuiditetit. Siç do ta shpjegoj më poshtë, qeveria dhe shteti duhet të zbatojnë reforma dhe paketa të injektimit të likuiditetit dhe lehtësimit të kreditimit të biznesit, në mënyrë që të inkurajojnë rritjen dhe ridinamizimin ekonomik. Por, kjo do të pasohet nga ana tjetër, pashmangshmërisht me rritje të kërkesës, në kushtet e një ofertë të kufizuar. Efekti zinxhir në disa sektorë do të jetë me diferencë në kohë, për shkak të cikleve ekonomike dhe të zgjatjes së natyrshme të proceseve teknologjike.

SI DO TA PËRJETOJË PUBLIKU KËTË SITUATË?

Këto pasoja, ekonomia dhe shoqëria duhet të jetë koshiente se do t’i kalojë dhe këtu nuk ka aspak vend për panik. Paniku, për opinionin tim, do jetë vërtet i pamenaxhueshëm dhe i thellë nëse sot nuk mendojmë për nesër. Si do përjetohen nga publiku këto pasoja? Duhet të pranojmë të jetojmë si normale, për një periudhë të gjatë kohe, edhe një situatë të vështirë. Siç duket, ky mentalitet e ka bërë Izraelin si vendin që po e menaxhon më mirë krizën në të gjithë botën, pas të cilit renditet Gjermania. Publiku do vazhdojë të jetojë normalisht, por duke ndryshuar strukturën e buxheteve të veta familjare. Në këtë mënyrë, për shkak të reduktimit të të ardhurave, edhe do të konsumohet më pak, por edhe do kursehet më pak. Do kufizohen shpenzimet që në buxhetet familjare quhen të lira, do reduktohen shpenzimet për lëvizje, do reduktohen shpenzimet e luksit, do reduktohen shpenzimet për dhurata, për vizita në qytete të tjera, për turizëm të brendshëm dhe për turizëm të jashtëm, do reduktohen shpenzimet për blerje veshjesh dhe për ndjekje të modës, për spektakle dhe veprimtari sportive, do reduktohen shpenzimet për kafene dhe restorante, për karburante, etj. Nga ana tjetër, ky reduktim i buxheteve familjare do shoqërohet me një rregullim të balancës për shkak të kthimit më shumë te kuzhina në familje dhe kjo pa dyshim ka kosto më të ulët. Kjo sjellje e modifikuar nga reflekset e individëve dhe familjarëve do çojë automatikisht në rënien e kërkesës dhe rënia e kërkesës atrofizon prodhimin, ofertën. Ky është rreth vicioz.

SI DUHET TË SILLET QEVERIA?

Në situata të tilla, tregjet prodhojnë me të shpejtë zhvillime të pakontrolluara, prodhojnë ngjarje që e destabilizojnë më shpejtë ekonominë. Ndaj, roli rregullator i shtetit është më i domosdoshëm se kurrë. Qeveria të bëjë të qartë se duhet ta marrë për dore ekonominë, t’i japë asaj vizionin e saj dhe jo të ndjekë politikën të presim dhe bëjmë si të vijnë situatat. Kjo rrethanë do të ishte njëlloj sikur të mos kishte qeverisje. Vërtet nuk dimë shumë gjëra për sjelljen e virusit, por dimë me saktësi se ekonomia është goditur dhe po goditet rëndë. Fitimet e jashtëzakonshme të realizuara prej rritjes së çmimeve në këto situata të jashtëzakonshme duhet të konsiderohen si abuzive dhe duhet të tatohen në mënyrë selektive dhe me shkallë tatimore shumë të lartë. Strukturat shtetërore që kontrollojnë cilësinë, skadencat, produktet false, respektimin e standardeve, veçanërisht të produkteve ushqimore, duhet të jenë në kulmin e vigjilencës dhe të përgjegjësisë. Këto masa, që për opinionin tim duhet të jenë produkt i një politike konsensuale, do kenë më shumë efekte të karakterit psikologjik për të frenuar abuzimet, sesa të shërbejnë si burim për buxhetin e shtetit me gjobat dhe penalitetet që aplikojnë.

Shqetësimi më serioz do të jetë ai i lidhur me papunësinë dhe shfaqjen apo agravimin e shqetësimeve sociale, shenjat e të cilave kanë kohë që manifestojnë ashpërsinë e tyre. Jo vetëm sektori i turizmit dhe i shërbimeve, por edhe sektorët e tjerë prodhues, ato të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, sektori i industrisë dhe i fasonerisë, sektori i ndërtimit dhe i transportit, aktivitetet socialkulturore dhe sportive, veprimtaria arsimore dhe të edukimit, tregtia dhe në mënyrë të veçantë bizneset e vogla dhe të mesme, nuk do gjenerojnë për një farë kohe vende të reja pune. Ekonomia jonë mund të marrë goditje edhe për shkak të krizës në ekonomitë e vendeve të tjera. Si ekonomi e bazuar kryesisht tek importi, ne do ndiejmë vështirësi në dy linja: do ketë kufizime të importeve, do ketë rënie të remitancave, dhe, pse jo, edhe shtim të të papunëve për shkak të rikthimit të emigrantëve, të paktën në një fazë të parë. Ringritja e ekonomisë do marrë kohën e vet. Kjo do të thellojë shqetësimet sociale dhe do t’i ekspozojë akoma më shumë shtresat dhe grupet e marxhinalizuara.

Ka ndërprerë aktivitetin pothuaj 50-60% e ekonomisë kombëtare, e cila realizon afërsisht 1,25 miliardë euro prodhim të përgjithshëm bruto në muaj. Për vitin 2020 ekonomia shqiptare nuk do të ketë rritje ekonomike, por një rënie ekonomike dhe kjo është e qartë. Rishikimi i buxhetit të shtetit, ristrukturimi i tij, reflektimi i rënies së të ardhurave me natyrë tatimore, përfshirja në buxhet e përftimeve nga ndihmat dhe grantet, nga ndonjë rregullim i të ardhurave të institucioneve të pavarura ose i fitimeve të papërdorura, pa prishur ekuilibrin e tyre, si dhe gjenerimi edhe i burimeve të tjera nga lehtësimi i investimeve publike, pa harruar PPP i shpenzimeve të panevojshme, i një sërë shpenzimesh të karakterit operativ dhe funksional, përfshi këtu edhe një kategori të pagave të administratës publike, rishikimi i buxheteve të institucioneve të pavarura etj., është një veprimtari më shumë rutinë dhe detyrim sesa veprim i zgjuar dhe krijues. Qeveria mund të rinegociojë termat e disa kontratave të huamarrjes, si dhe mund dhe duhet të emetojë një huamarrje të re në kufijtë e deri 400-450 milionë eurove, në mbështetje të një pakete ridinamizimi prej rreth 1 miliard eurosh. Në vlerësimin tim, nuk ka vend të synohet të ulet në kufirin 64,8 % niveli i borxhit ndaj PPB, parashikuar në buxhetin e vitit 2020.

E gjykoj si fare normale, ka qenë dhe është e pritshme, që sektori i sigurimeve të kontribuojë, duke ofruar fonde që formohen nga kontributet e tij në ndihmë të kredidhënies së bizneseve, pa interesa. Në disa vende të Europës dhe të botës, ky aksion ka gjeneruar miliarda dhe miliarda. Nëse gjeneron disa milionë këtu te ne, do ishte mjaft e dobishme. Çdo rënie e numrit të bizneseve, provokuar nesër nga falimentimi i ndërmarrjeve që nuk po punojnë sot, do të ishte edhe në dëmin e këtij sektori jetik, i cili do të ngelte pa klientë dhe për rrjedhojë do të kishim një treg sigurimesh por pa të siguruar.

NË FUSHËN E INKURAJIMIT EKONOMIK

Për këto arsye, gjykoj se shkalla e bashkëpunimit të qeverisë me komunitetet e bizneseve është jetike. Duhet të ndiqen dhe të aplikohen paketa, që nga njëra anë nuk krijojnë pamjen e një deti pa fund mundësish ofruar prej shtetit, por, nga ana tjetër, të paktën psikologjikisht, të mos lejohet që mosbesimi dhe pakënaqësitë të agravojnë akoma më shumë. Në këto kushte, unë sugjeroj se vendimmarrja në kushtet e konsensusit do ishte një veprim i zgjuar. Nëpër disa struktura dhe organe vendimmarrëse dhe menaxheriale të situatës, duhet dhe mund të ftohen profesionistë të mirë dhe njerëz pa angazhime të dukshme politike. Mungesa e dukshme e vizionit dhe e profesionalizmit në strukturat shtetërore të ndihmohet me ekipe të tjera më profesionale nga jashtë.

Gjykoj se duhet mbështetur fort veprimtaria e ndërmarrjeve publike që ofrojnë të mira dhe shërbime publike për gjithë popullatën. Për të përmirësuar dhe ndihmuar veprimtarinë e tyre, mund të kërkohet prej disa operatorëve që përdorin burime natyrore dhe kanë përfituar të drejta koncensionare, si burimet energjetike, burimet minerare, apo ambiente publike të rishikojnë tarifat, t’u propozohet ose një ulje e lehtë e çmimit të tregtimit prej tyre të energjisë elektrike te këto kompani private ose e rishikimit të tarifave. Kjo sjellje justifikohet nga mentaliteti dhe filozofia që shteti synon të bëjë më eficiente burimet e veta natyrore. Mund të përdoret edhe rinegocimi i afateve të dhënies me koncesione me qëllim tolerimin në vite për të kompensuar një aktivizim të parakohshëm, që mundëson rritjen e likuiditetit të qeverisë.

PËR BIZNESET PRIVATE

Ndërmarrjet dhe kompanitë që e kanë pasur të pamundur të punojnë, duhet të trajtohen rast pas rasti nga grupe pune profesionale. Për to, sipas opinionit tim, duhet të përdoren dhe aplikohen edhe këto politika dhe qëndrime: Shteti të ndërhyjë në legjislacion, duke i konsideruar si të zbritshme disa shpenzime që kanë të bëjnë me riaktivizimin dhe ringritjen e ekonomisë, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës, me mbrojtjen e shëndetit në punë dhe me masat e ruajtjes dhe të frenimit të shpërndarjes së virusit. Ndërmarrjet që në dy-tri vitet e fundit kanë depozituar pasqyra financiare me rezultate pozitive dhe që akoma nuk kanë aplikuar shpërndarjen e dividendëve apo përdorimin dhe ristrukturimin e rezervave, ta ndërpresin të paktën për një vit. Këto burime të inkurajohen të përdoren për ringritjen e ekonomisë së tyre. Shteti, duhet të komunikojë hapur me subjektet dhe të ndërtojë një partneritet të dukshëm, për të ndarë, aty ku është mundësia, kostot e pagesës së një asistence (pagë një dhe/ ose dy mujore, në ndonjë sektor ndoshta edhe më shumë) midis qeverisë dhe ndërmarrjes. Të lehtësohen subjektet në pagesat e detyrimeve tatimore, që kanë trajtën e parapagesës, si parapagim të tatimit mbi fitimin, pagesë të taksave vjetore bashkiake apo detyrime të tjera të kësaj natyre. Ato nuk duhet të falen, por të negociohet shtyrja e pagesës së tyre për një periudhë kohore të arsyeshme, një pjesë e të cilave është realizuar. Parapagimet e tatimfitimit nuk mund t’i nënshtrohen praktikës së viteve të kaluara, që bazoheshin në fitimet e një viti më parë. Viti 2020 nuk do ketë kurrfarë ngjashmërie me vitin 2019. Administrata tatimore të asistojë bizneset për të bërë parashikimet në kushtet e reja të rezultateve financiare të pritshme për vitin ushtrimor 2020, dhe të mos penalizohen nëse krijohen diferenca midis parashikimit dhe realizimit në fund të vitit. Për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit, duhet të bëhet e qartë se ata do të jenë përfitues të një pakete ndihme të kufizuar në sasi dhe të limituar në kohë. Për turizmin dhe disa biznese shërbimesh që janë goditur më rëndë dhe parashikohet që kjo situatë të vazhdojë më gjatë, mund të përdoret edhe mekanizmi i TVSH, i cili të reduktohet në zero % për këtë periudhë vjetore të mbetur. Për turizmin, fasoneritë dhe ndërmarrja të tjera të prekura rëndë, edhe një pagesë e pagës minimale për punonjësit për dy ose tre muaj, do ishte e justifikuar, mjafton që ato të mos falimentojnë dhe të zhduken si ndërmarrje. Të konsiderohet krim ekonomik hedhja dhe flakja e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Qeveria duhet të krijojë një plan të posaçëm për bujqësinë. Të mos lejohet asnjë gram produkti bujqësor i patërhequr. Nuk do të ishte e tepërt të krijoheshin qendra shtetërore për thithjen e produkteve bujqësore dhe t’i rieksportonin ose të organizonin eksportin. Ristrukturimi i kredive dhe afateve të maturimit të detyrimeve ndaj bankës, sipas opinionit tim, duhet të realizohet pa i klasifikuar këto kredi si borxh i keq për bankën dhe pa aplikuar mbi pjesën e kësteve të papaguara interesa shtesë ose penalitete mbi interesin nominal. Duhet të shmanget procesi i serisë së falimentimeve, i falimentimeve që shkojnë zinxhir dhe që tërheqin njëri-tjetrin për shkak të paaftësive paguese dhe të mungesës së likuiditetit.

Propozoj ulje të shkallëve tatimore përjashtimisht këtë vit për TVSH në disa sektorë, si shërbimet, restorantet, baret dhe bizneset e ngjashme në mënyrë që të stimulohet kërkesa, e cila të nxisë prodhimin dhe veprimtaritë ekonomike, si dhe ulje të shkallëve tatimore të tatimit mbi fitimin e bizneseve të këtij viti, për të nxitur edhe investimet njëherësh, paralelisht me stimulimin e konsumit. Nga ana tjetër, ulja e shkallës tatimore të tatimfitimit mbi bizneset e mesme dhe të mëdha do ishte një politikë që inkurajon dhe krijon klimën e solidaritetit midis shtetit dhe bizneseve. Nga pikëpamja praktike, shteti nuk pret dhe nuk merr të ardhura shumë të rëndësishme për buxhetin e tij prej tatimit mbi fitimin, për më tepër që këtë vit nuk pritet që bizneset të rezultojnë me fitime të konsiderueshme.

AJO QË KA MË SHUMË RËNDËSI: SI TË GJALLËROHET DHE RIMËKËMBET EKONOMIA?

Pa bërë komente të gjata, do të propozoja që: Fondi sovran i garancisë të përdoret jo vetëm për të garantuar prej shtetit kredinë akorduar bizneseve për pagat, por kjo fashë përfitimi të përdoret edhe për kredi për zgjerimin dhe ringritjen e aktivitetit. Për këtë lipset që qeveria të bëjë kufizime të diferencuara në shuma, në përshtatje me madhësinë dhe kategorinë e biznesit. Të përdoren fonde të posaçme për të marrë përsipër interesin e kredisë prej shtetit, për një kategori biznesesh që janë goditur dhe do të vazhdojnë të goditen rëndë, sikurse është rasti i turizmit, shërbimeve, fasonerisë apo edhe ndonjë sektori tjetër.

Mund të aplikohet një fashë tjetër kredidhënie me interesa minimale dhe kjo shërben qoftë edhe si masë e karakterit psikologjik për administratorët, vendimmarrësit dhe pronarët e bizneseve. Kjo masë e dytë mund t’u ofrohet bizneseve me xhiro më të lartë se një kufi i caktuar. Bizneseve të mëdha mund t’u ofrohet kredi me interesa shumë më të lehta tregtare, por për periudha kohore më të arsyeshme. Injektimi i likuiditetit nëpërmjet kredidhënies bën që ekonominë ta rrëmbejë mentaliteti i rritjes dhe zhvillimit dhe jo frika.

Kujdes sistemin bankar

Duhet të bëhet shumë kujdes që mungesa e likuiditetit për ekonominë të mos shërbejë si barrë për sektorin bankar. Fakti që kemi një sektor bankar të mirëkapitalizuar dhe në gjendje të mirë të likuiditetit, nuk duhet të përdoret në mënyrë abuzive. Bankat, për opinionin tim, të mos lejohen të transferojnë fonde për mëmat e tyre për një periudhë kohore të caktuar dhe të mos lejohen të shpërndajnë dividend për rezultatet e vitit ushtrimor 2019 ose për rezervat dhe provigjonet e papërdorura të viteve të kaluara. Rimarrjet nga provigjonet e viteve të kaluara t’i përdorin si burime për të rritur kapacitetin e tyre kredidhënës dhe për të reduktuar interesat e kredidhënies. Banka e Shqipërisë, mund të ndërtojë një bilanc të studiuar midis burimeve me dhe pa kosto që angazhon sistemi bankar dhe mbi këtë raport të kërkojë dhe të drejtojë disa instrumente të politikës monetare me ndikim mbi kredidhënien për biznesin. Nga sistemi bankar, mund të ofrohet kredi pa kolateral dhe pa procedura të zgjatura burokratike në funksion të një vendimmarrjeje të shpejtë dhe operative. Por, për këtë lloj produkti bankar, duhet të përdoret nga njëra anë kredibiliteti i klientit dhe nga ana tjetër këto lloj kredidhëniesh duhet të jenë në shuma rreptësisht të kufizuara.

Gjykoj se në parim mund të përdoret edhe një politikë tjetër në fushën e kredidhënies: Bankat t’i japin kredi kujtdo që kërkon kredi për biznes, pa procedura fare, por duke bërë të qartë faktin që: mbas stabilizimit të situatës, bizneset do t’i nënshtrohen një skanimi serioz dhe kushdo që ka abuzuar do të penalizohet rëndë, deri në konfiskim dhe pezullim të aktivitetit. Është logjika e një klime ndihme dhe solidariteti. Kjo praktikë kredidhënieje mund të aplikohet për të paguar direkt faturat e papaguara të një biznesi, pa e kushtëzuar atë me analizat e riskut. Për këtë lipset opinioni më profesional dhe i studiuar i Bankës së Shqipërisë. Sistemi bankar mund të aplikojë edhe një sistem kredidhënie që ka trajtën e kredisë se paramiratuar (“credit scoring”), që shkon për kapital punues te bizneset, me kufizime jo më shumë se 10 % e xhiros. Praktika bazohet te historiku i pastër bankar i kompanive. Shteti, ose një grup bankar, mund të krijojnë një strukturë që të luajë rolin e një subjekti faktoringu. Të blejnë duke aplikuar kredi afatshkurtra me interesa simbolike, jo tregtare, të drejtat për arkëtim të ndërmarrjeve që shesin, por nuk arkëtojnë dot prej klientëve të tyre dhe të rikthehen këto kredi në çastin që arkëtimi i tyre bëhet i mundshëm. Kjo skemë mund të përdoret edhe për raportet debi-kredi të ndërmarrjeve më shtetin. Edhe ndërmarrjet tregtare apo kompanitë me gjendje të mirë likuiditeti dhe aftësie paguese, mund të emetojnë letra tregtare (“commercial papaers”), me afat maturimi deri në 12 muaj dhe në shuma që miratohen nga Banka e Shqipërisë, por jo më shumë se 700-800 milionë euro për gjithë ekonominë kombëtare. Ndërmarrjet në sektorët që kanë qenë më të goditur prej krizës mund të lehtësohen edhe në ekspozimin e tyre ndaj detyrimeve për pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këtë duhet bërë kujdes i madh që kjo vështirësi të mos transferohet në kompanitë e pagesës së pensioneve.

NË FUSHËN JURIDIKE DHE TË PROCEDURAVE TREGTARE DHE TATIMORE

Situata do krijojë natyrshëm paaftësi paguese, e cila në disa sektorë do të transmetohet logjikisht nga njëra ndërmarrje te tjera dhe nga njëri sektor te tjetri. Zinxhiri i paaftësive paguese, që mund të reduktohet nëpërmjet masave që propozova te rubrika e kredidhënies, juridikisht, është provë për të shpallur falimentimin. Unë mendoj se shteti, qeveria, duhet të kalojë një akt juridik në Kuvend, me të cilin të deklarojë se nuk do të lejojë fillimin e procedurave juridike të falimentimit për ndërmarrjet dhe subjektet që ekspozohen prej pamundësisë të shlyejnë detyrimet, të pamundësisë të shlyejnë kredinë apo të pamundësisë të përmbushin detyrimet ndaj administratës tatimore. Kjo masë të jetë në fuqi për një periudhë kalimtare dhe ky amendim të jetë i vlefshëm vetëm për ndërmarrjet e prekura prej krizës së Covid-19. Po kështu, duhet të anulohen dhe të bëhen të pavlefshme, për një periudhë kohore të caktuar, të arsyeshme dhe të logjikshme, aplikimi i gjobave dhe kamatëvonesave në rastet kur ato, subjektet, nuk kanë mundësinë apo aftësinë të paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar, detyrimin doganor apo detyrime të tjera. Administrata tatimore të inkurajojë pagesat me këste edhe në rrethana të tjera, tej atyre të parashikuara në ligjin aktual për procedurat tatimore në RSH. Mund të lehtësohen procedurat e regjistrimit të ndryshimeve në QKB dhe të modifikimit të strukturave drejtuese, të mbledhjes së bordeve, të asamblesë së ortakëve apo vendimmarrje të tjera të kësaj natyre.

KOHA PËR BIZNESE TË REJA

Këto situata të jashtëzakonshme do të krijojnë dukshëm mungesa në treg apo do të shpalosin kërkesa, të cilat do të shërbejnë për të nxitur iniciativën për të ndërmarrë sipërmarrje të reja dhe për të krijuar biznese të reja. Situatat me nivel të lartë risku krijojnë njëherësh edhe mundësi me shanse të mëdha për të fituar. Atë që disa nuk e bënë dot para 20 apo 30 vitesh, do të kenë mundësi ta bëjnë sot, duke kërkuar nga vetja të krijojnë sipërmarrje në ato fusha, për të cilat kanë bindjen se janë të aftë t’i bëjnë më mirë. Të veprojmë! Mendimi duhet t’i paraprijë veprimit. Të mos presim çfarë do të bëhet, të mos mendojmë dhe vajtojmë gjatë si do të jetë, por të veprojmë për ta transformuar ekonominë në atë se si duhet të jetë. Ja ky është problemi.