Tag Archives: ekonomi

Të mendojmë e veprojmë sot për ekonominë nesër

Kriza, në të cilën është përfshirë vendi, krahas problemeve të shëndetit, ka nxjerrë në plan të parë ekonominë. Ekonomia dhe zhvillimi i saj janë një mekanizëm gjigant, që as ndalohen menjëherë dhe as mund të lëvizin menjëherë. Për zhvillimin e saj duhet menduar shumë seriozisht që sot, nesër do të jetë vonë, shumë vonë. Para mendimit ekonomik vendas, por në mënyrë të veçantë para strukturave vendimmarrëse, shtohet për zgjidhje një problem i madh: cili është rendi i prioriteteve? Organet dhe strukturat qeverisëse duhet të merren me menaxhimin e së sotmes apo mendimi dhe veprimi duhet t’i paraprijë një perspektive të arsyeshme? Pa neglizhuar të sotmen, duke u marrë seriozisht me emergjencën, duhet paralelisht të projektojmë veprimet dhe të llogarisim efektet e së nesërmes. Duhet të veprojmë në mënyrë të tillë që të manifestojmë se jemi të aftë të ndërtojmë aksione që shohin përtej një jave dhe një muaji. Në të kundërt, pasojat do të jenë të pallogaritshme dhe ato do të na gjykojnë rëndë. Nuk dua të përfitoj nga situata për të kritikuar ata që marrin vendime, të cilët, ca nga ngarkesa, ca nga mungesa e përvojës, ca të mbytur nga politikat e mbrapshta të ndërmarra nga ata vetë në të shkuarën dhe nga mungesa e dukshme e profesionistëve, duken më tepër të preokupuar të zgjidhin dhe t’u përgjigjen problemeve të ditës së atyre të së nesërmes. I ka bllokuar problematika e ditës. Në këtë kuadër, këtë shkrim dua ta ndërtoj më tepër si një ftesë për të parë më larg. Për jetën ekonomike të vendit, duhet të krijohen shtabe ekspertësh dhe profesionistësh. Edhe për ekonominë duhet të ketë shtabe, sikurse edhe për shëndetësinë dhe pandeminë. Vendi nuk ka luksin të konsumojë energji me replika dhe mendime alternative që nuk merren në konsideratë për shkak të sedrës së sëmurë apo fudullëkut. Duhet të bëhen vlerësime dhe të ndërtohen skenarë të projektuar nga njerëz që studiojnë prognozat dhe bëjnë parashikime.

Kjo krizë, provokuar nga një fatkeqësi natyrore, që ka pasuar një tjetër fatkeqësi, atë të tërmetit të 26 nëntorit, ka kostot e saj jo vetëm njerëzore, por edhe ekonomike, të paparashikuara. Këto kosto duhet të përballohen nga tre partnerët socialë të shoqërisë: nga individi dhe familjet e tyre; nga ndërmarrjet si subjekte ekonomike dhe nga shteti si strukturë që është krijuar për të rregulluar bashkëjetesën në komunitet dhe mirëfunksionimin e shoqërisë. Me funksionet financiare të shtetit merren qeveritë, ndaj sugjerimet dhe propozimet e mia gjykoj duhet të jenë çështje në konsideratë të qeverisë dhe Kuvendit. Nëse nuk gjejmë rrugët e duhura të reagimit, kostot për ekonominë dhe shoqërinë do të shumëfishohen. Ministrat dhe qeveritarët të mos bëjnë dispeçerin, zëdhënësin e shtypit, të mos dublojnë gazetarin apo komentatorin, por të projektojnë aksione dhe veprime, të mos ndalin duke prodhuar ide dhe reaguar, të vënë në lëvizje strukturat dhe gjithë shtetin. Ky është misioni i tyre. Reagimi ndaj krizës duhet të vijë paralelisht në disa linja.

CILAT DO TË JENË PASOJAT?

Çdo parashikim është i vështirë, por disa opinione mund të thuhen. Duhet të kemi të qartë se kriza e provokuar nga Covid-19 e ka prekur shumë ekonominë shqiptare. Sektorët që kanë ndërprerë aktivitetin, reduktimi i veprimtarisë me gati 50% në sektorët që e kanë reduktuar dhe ndryshimi i strukturës së kërkesës konsumatore, së bashku me impaktin që japin këta tre faktorë mbi pjesën funksionale të saj, do japin një efekt negativ zinxhir, që do zgjasë në kohë dhe që do të provokojë natyrshëm tri fenomene, për të cilat duhet të jemi koshientë. Do të ketë rënie të ekonomisë. Ekonomia do të përjetojë një rënie, që, sipas një parashikimi të projektuar nga disa ekspertë, do të zgjasë nga 1,5 deri 2,5 vjet. Në këtë fenomen do të mpleksen pasojat negative të të dyja ngjarjeve natyrore. Qeveria duhet të krijojë një grup pune të veçantë që të ketë si mision studimin e zhvillimeve të mëvonshme dhe të përmasave të pasojave të ekonomisë. Aktualisht duhet të përqendrohemi njëherësh në dy drejtime: në përballimin imediat të pasojave dhe zgjidhjen e problemeve emergjente të jetës dhe shëndetit, por edhe në drejtim të projektimit të veprimit për nesër. Kur flas për nesër, kam parasysh, çfarë do bëhet mbas 6 muajsh, mbas një viti, mbas një viti e gjysmë. Nëse nuk mendojmë seriozisht për këtë, do të lodhemi dhe do t’i nënshtrohemi një skenari zhvillimesh pa koncept, pa projekt dhe pa ide të qarta. Për këto projeksione, le të angazhohen strukturat respektive që ka shteti në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë dhe në Bankën e Shqipërisë, të cilët, për shkak të bazës më të plotë dhe të besueshme të të dhënave, mund të ndërtojnë prognoza më të realiste.

Ndërkohë që është e vështirë të bëhen parashikime dhe prognoza të sakta, po me siguri mund të thuhet se do të ketë prishje të natyrshme të raportit të kërkesës dhe të ofertës në shumë e shumë produkte dhe shërbime. Mungesa e eficiencës së tregut dhe rregullimit prej tij do jetë ekstreme. Edhe pse thuhet që ekonomia në sektorët prodhues do të punojë në mënyrë të shtrënguar dhe prodhimi nuk do të ndërpritet, përsëri efektet zinxhir të saj do të ndihen dhe mjaft fort. Kështu, mosfunksionimi i subjekteve të sektorit të turizmit, të shërbimeve të tjera të ngjashme, të restoranteve dhe bareve, të transportit të të gjitha llojeve, bllokimi apo reduktimi shumë i ndjeshëm i import eksporteve, do japin efektet e tyre në sektorin e bujqësisë. Fenomeni i shpërdorimit dhe i hedhjes të prodhimeve bujqësore, për shkak të mbylljes mund të kthehet në një fenomen serioz. Në këto situata, është e natyrshme dhe e pritshme që të ekspozohemi ndaj një normë inflacioni nga 5-8% dhe në disa produkte edhe më shumë. Në këto parametra, për opinionin tim, do të jetë e pranueshme. Në një kohë të dytë do të aplikohen mekanizmat e stabilizimit dhe të tkurrjes së likuiditetit. Siç do ta shpjegoj më poshtë, qeveria dhe shteti duhet të zbatojnë reforma dhe paketa të injektimit të likuiditetit dhe lehtësimit të kreditimit të biznesit, në mënyrë që të inkurajojnë rritjen dhe ridinamizimin ekonomik. Por, kjo do të pasohet nga ana tjetër, pashmangshmërisht me rritje të kërkesës, në kushtet e një ofertë të kufizuar. Efekti zinxhir në disa sektorë do të jetë me diferencë në kohë, për shkak të cikleve ekonomike dhe të zgjatjes së natyrshme të proceseve teknologjike.

SI DO TA PËRJETOJË PUBLIKU KËTË SITUATË?

Këto pasoja, ekonomia dhe shoqëria duhet të jetë koshiente se do t’i kalojë dhe këtu nuk ka aspak vend për panik. Paniku, për opinionin tim, do jetë vërtet i pamenaxhueshëm dhe i thellë nëse sot nuk mendojmë për nesër. Si do përjetohen nga publiku këto pasoja? Duhet të pranojmë të jetojmë si normale, për një periudhë të gjatë kohe, edhe një situatë të vështirë. Siç duket, ky mentalitet e ka bërë Izraelin si vendin që po e menaxhon më mirë krizën në të gjithë botën, pas të cilit renditet Gjermania. Publiku do vazhdojë të jetojë normalisht, por duke ndryshuar strukturën e buxheteve të veta familjare. Në këtë mënyrë, për shkak të reduktimit të të ardhurave, edhe do të konsumohet më pak, por edhe do kursehet më pak. Do kufizohen shpenzimet që në buxhetet familjare quhen të lira, do reduktohen shpenzimet për lëvizje, do reduktohen shpenzimet e luksit, do reduktohen shpenzimet për dhurata, për vizita në qytete të tjera, për turizëm të brendshëm dhe për turizëm të jashtëm, do reduktohen shpenzimet për blerje veshjesh dhe për ndjekje të modës, për spektakle dhe veprimtari sportive, do reduktohen shpenzimet për kafene dhe restorante, për karburante, etj. Nga ana tjetër, ky reduktim i buxheteve familjare do shoqërohet me një rregullim të balancës për shkak të kthimit më shumë te kuzhina në familje dhe kjo pa dyshim ka kosto më të ulët. Kjo sjellje e modifikuar nga reflekset e individëve dhe familjarëve do çojë automatikisht në rënien e kërkesës dhe rënia e kërkesës atrofizon prodhimin, ofertën. Ky është rreth vicioz.

SI DUHET TË SILLET QEVERIA?

Në situata të tilla, tregjet prodhojnë me të shpejtë zhvillime të pakontrolluara, prodhojnë ngjarje që e destabilizojnë më shpejtë ekonominë. Ndaj, roli rregullator i shtetit është më i domosdoshëm se kurrë. Qeveria të bëjë të qartë se duhet ta marrë për dore ekonominë, t’i japë asaj vizionin e saj dhe jo të ndjekë politikën të presim dhe bëjmë si të vijnë situatat. Kjo rrethanë do të ishte njëlloj sikur të mos kishte qeverisje. Vërtet nuk dimë shumë gjëra për sjelljen e virusit, por dimë me saktësi se ekonomia është goditur dhe po goditet rëndë. Fitimet e jashtëzakonshme të realizuara prej rritjes së çmimeve në këto situata të jashtëzakonshme duhet të konsiderohen si abuzive dhe duhet të tatohen në mënyrë selektive dhe me shkallë tatimore shumë të lartë. Strukturat shtetërore që kontrollojnë cilësinë, skadencat, produktet false, respektimin e standardeve, veçanërisht të produkteve ushqimore, duhet të jenë në kulmin e vigjilencës dhe të përgjegjësisë. Këto masa, që për opinionin tim duhet të jenë produkt i një politike konsensuale, do kenë më shumë efekte të karakterit psikologjik për të frenuar abuzimet, sesa të shërbejnë si burim për buxhetin e shtetit me gjobat dhe penalitetet që aplikojnë.

Shqetësimi më serioz do të jetë ai i lidhur me papunësinë dhe shfaqjen apo agravimin e shqetësimeve sociale, shenjat e të cilave kanë kohë që manifestojnë ashpërsinë e tyre. Jo vetëm sektori i turizmit dhe i shërbimeve, por edhe sektorët e tjerë prodhues, ato të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, sektori i industrisë dhe i fasonerisë, sektori i ndërtimit dhe i transportit, aktivitetet socialkulturore dhe sportive, veprimtaria arsimore dhe të edukimit, tregtia dhe në mënyrë të veçantë bizneset e vogla dhe të mesme, nuk do gjenerojnë për një farë kohe vende të reja pune. Ekonomia jonë mund të marrë goditje edhe për shkak të krizës në ekonomitë e vendeve të tjera. Si ekonomi e bazuar kryesisht tek importi, ne do ndiejmë vështirësi në dy linja: do ketë kufizime të importeve, do ketë rënie të remitancave, dhe, pse jo, edhe shtim të të papunëve për shkak të rikthimit të emigrantëve, të paktën në një fazë të parë. Ringritja e ekonomisë do marrë kohën e vet. Kjo do të thellojë shqetësimet sociale dhe do t’i ekspozojë akoma më shumë shtresat dhe grupet e marxhinalizuara.

Ka ndërprerë aktivitetin pothuaj 50-60% e ekonomisë kombëtare, e cila realizon afërsisht 1,25 miliardë euro prodhim të përgjithshëm bruto në muaj. Për vitin 2020 ekonomia shqiptare nuk do të ketë rritje ekonomike, por një rënie ekonomike dhe kjo është e qartë. Rishikimi i buxhetit të shtetit, ristrukturimi i tij, reflektimi i rënies së të ardhurave me natyrë tatimore, përfshirja në buxhet e përftimeve nga ndihmat dhe grantet, nga ndonjë rregullim i të ardhurave të institucioneve të pavarura ose i fitimeve të papërdorura, pa prishur ekuilibrin e tyre, si dhe gjenerimi edhe i burimeve të tjera nga lehtësimi i investimeve publike, pa harruar PPP i shpenzimeve të panevojshme, i një sërë shpenzimesh të karakterit operativ dhe funksional, përfshi këtu edhe një kategori të pagave të administratës publike, rishikimi i buxheteve të institucioneve të pavarura etj., është një veprimtari më shumë rutinë dhe detyrim sesa veprim i zgjuar dhe krijues. Qeveria mund të rinegociojë termat e disa kontratave të huamarrjes, si dhe mund dhe duhet të emetojë një huamarrje të re në kufijtë e deri 400-450 milionë eurove, në mbështetje të një pakete ridinamizimi prej rreth 1 miliard eurosh. Në vlerësimin tim, nuk ka vend të synohet të ulet në kufirin 64,8 % niveli i borxhit ndaj PPB, parashikuar në buxhetin e vitit 2020.

E gjykoj si fare normale, ka qenë dhe është e pritshme, që sektori i sigurimeve të kontribuojë, duke ofruar fonde që formohen nga kontributet e tij në ndihmë të kredidhënies së bizneseve, pa interesa. Në disa vende të Europës dhe të botës, ky aksion ka gjeneruar miliarda dhe miliarda. Nëse gjeneron disa milionë këtu te ne, do ishte mjaft e dobishme. Çdo rënie e numrit të bizneseve, provokuar nesër nga falimentimi i ndërmarrjeve që nuk po punojnë sot, do të ishte edhe në dëmin e këtij sektori jetik, i cili do të ngelte pa klientë dhe për rrjedhojë do të kishim një treg sigurimesh por pa të siguruar.

NË FUSHËN E INKURAJIMIT EKONOMIK

Për këto arsye, gjykoj se shkalla e bashkëpunimit të qeverisë me komunitetet e bizneseve është jetike. Duhet të ndiqen dhe të aplikohen paketa, që nga njëra anë nuk krijojnë pamjen e një deti pa fund mundësish ofruar prej shtetit, por, nga ana tjetër, të paktën psikologjikisht, të mos lejohet që mosbesimi dhe pakënaqësitë të agravojnë akoma më shumë. Në këto kushte, unë sugjeroj se vendimmarrja në kushtet e konsensusit do ishte një veprim i zgjuar. Nëpër disa struktura dhe organe vendimmarrëse dhe menaxheriale të situatës, duhet dhe mund të ftohen profesionistë të mirë dhe njerëz pa angazhime të dukshme politike. Mungesa e dukshme e vizionit dhe e profesionalizmit në strukturat shtetërore të ndihmohet me ekipe të tjera më profesionale nga jashtë.

Gjykoj se duhet mbështetur fort veprimtaria e ndërmarrjeve publike që ofrojnë të mira dhe shërbime publike për gjithë popullatën. Për të përmirësuar dhe ndihmuar veprimtarinë e tyre, mund të kërkohet prej disa operatorëve që përdorin burime natyrore dhe kanë përfituar të drejta koncensionare, si burimet energjetike, burimet minerare, apo ambiente publike të rishikojnë tarifat, t’u propozohet ose një ulje e lehtë e çmimit të tregtimit prej tyre të energjisë elektrike te këto kompani private ose e rishikimit të tarifave. Kjo sjellje justifikohet nga mentaliteti dhe filozofia që shteti synon të bëjë më eficiente burimet e veta natyrore. Mund të përdoret edhe rinegocimi i afateve të dhënies me koncesione me qëllim tolerimin në vite për të kompensuar një aktivizim të parakohshëm, që mundëson rritjen e likuiditetit të qeverisë.

PËR BIZNESET PRIVATE

Ndërmarrjet dhe kompanitë që e kanë pasur të pamundur të punojnë, duhet të trajtohen rast pas rasti nga grupe pune profesionale. Për to, sipas opinionit tim, duhet të përdoren dhe aplikohen edhe këto politika dhe qëndrime: Shteti të ndërhyjë në legjislacion, duke i konsideruar si të zbritshme disa shpenzime që kanë të bëjnë me riaktivizimin dhe ringritjen e ekonomisë, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës, me mbrojtjen e shëndetit në punë dhe me masat e ruajtjes dhe të frenimit të shpërndarjes së virusit. Ndërmarrjet që në dy-tri vitet e fundit kanë depozituar pasqyra financiare me rezultate pozitive dhe që akoma nuk kanë aplikuar shpërndarjen e dividendëve apo përdorimin dhe ristrukturimin e rezervave, ta ndërpresin të paktën për një vit. Këto burime të inkurajohen të përdoren për ringritjen e ekonomisë së tyre. Shteti, duhet të komunikojë hapur me subjektet dhe të ndërtojë një partneritet të dukshëm, për të ndarë, aty ku është mundësia, kostot e pagesës së një asistence (pagë një dhe/ ose dy mujore, në ndonjë sektor ndoshta edhe më shumë) midis qeverisë dhe ndërmarrjes. Të lehtësohen subjektet në pagesat e detyrimeve tatimore, që kanë trajtën e parapagesës, si parapagim të tatimit mbi fitimin, pagesë të taksave vjetore bashkiake apo detyrime të tjera të kësaj natyre. Ato nuk duhet të falen, por të negociohet shtyrja e pagesës së tyre për një periudhë kohore të arsyeshme, një pjesë e të cilave është realizuar. Parapagimet e tatimfitimit nuk mund t’i nënshtrohen praktikës së viteve të kaluara, që bazoheshin në fitimet e një viti më parë. Viti 2020 nuk do ketë kurrfarë ngjashmërie me vitin 2019. Administrata tatimore të asistojë bizneset për të bërë parashikimet në kushtet e reja të rezultateve financiare të pritshme për vitin ushtrimor 2020, dhe të mos penalizohen nëse krijohen diferenca midis parashikimit dhe realizimit në fund të vitit. Për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit, duhet të bëhet e qartë se ata do të jenë përfitues të një pakete ndihme të kufizuar në sasi dhe të limituar në kohë. Për turizmin dhe disa biznese shërbimesh që janë goditur më rëndë dhe parashikohet që kjo situatë të vazhdojë më gjatë, mund të përdoret edhe mekanizmi i TVSH, i cili të reduktohet në zero % për këtë periudhë vjetore të mbetur. Për turizmin, fasoneritë dhe ndërmarrja të tjera të prekura rëndë, edhe një pagesë e pagës minimale për punonjësit për dy ose tre muaj, do ishte e justifikuar, mjafton që ato të mos falimentojnë dhe të zhduken si ndërmarrje. Të konsiderohet krim ekonomik hedhja dhe flakja e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Qeveria duhet të krijojë një plan të posaçëm për bujqësinë. Të mos lejohet asnjë gram produkti bujqësor i patërhequr. Nuk do të ishte e tepërt të krijoheshin qendra shtetërore për thithjen e produkteve bujqësore dhe t’i rieksportonin ose të organizonin eksportin. Ristrukturimi i kredive dhe afateve të maturimit të detyrimeve ndaj bankës, sipas opinionit tim, duhet të realizohet pa i klasifikuar këto kredi si borxh i keq për bankën dhe pa aplikuar mbi pjesën e kësteve të papaguara interesa shtesë ose penalitete mbi interesin nominal. Duhet të shmanget procesi i serisë së falimentimeve, i falimentimeve që shkojnë zinxhir dhe që tërheqin njëri-tjetrin për shkak të paaftësive paguese dhe të mungesës së likuiditetit.

Propozoj ulje të shkallëve tatimore përjashtimisht këtë vit për TVSH në disa sektorë, si shërbimet, restorantet, baret dhe bizneset e ngjashme në mënyrë që të stimulohet kërkesa, e cila të nxisë prodhimin dhe veprimtaritë ekonomike, si dhe ulje të shkallëve tatimore të tatimit mbi fitimin e bizneseve të këtij viti, për të nxitur edhe investimet njëherësh, paralelisht me stimulimin e konsumit. Nga ana tjetër, ulja e shkallës tatimore të tatimfitimit mbi bizneset e mesme dhe të mëdha do ishte një politikë që inkurajon dhe krijon klimën e solidaritetit midis shtetit dhe bizneseve. Nga pikëpamja praktike, shteti nuk pret dhe nuk merr të ardhura shumë të rëndësishme për buxhetin e tij prej tatimit mbi fitimin, për më tepër që këtë vit nuk pritet që bizneset të rezultojnë me fitime të konsiderueshme.

AJO QË KA MË SHUMË RËNDËSI: SI TË GJALLËROHET DHE RIMËKËMBET EKONOMIA?

Pa bërë komente të gjata, do të propozoja që: Fondi sovran i garancisë të përdoret jo vetëm për të garantuar prej shtetit kredinë akorduar bizneseve për pagat, por kjo fashë përfitimi të përdoret edhe për kredi për zgjerimin dhe ringritjen e aktivitetit. Për këtë lipset që qeveria të bëjë kufizime të diferencuara në shuma, në përshtatje me madhësinë dhe kategorinë e biznesit. Të përdoren fonde të posaçme për të marrë përsipër interesin e kredisë prej shtetit, për një kategori biznesesh që janë goditur dhe do të vazhdojnë të goditen rëndë, sikurse është rasti i turizmit, shërbimeve, fasonerisë apo edhe ndonjë sektori tjetër.

Mund të aplikohet një fashë tjetër kredidhënie me interesa minimale dhe kjo shërben qoftë edhe si masë e karakterit psikologjik për administratorët, vendimmarrësit dhe pronarët e bizneseve. Kjo masë e dytë mund t’u ofrohet bizneseve me xhiro më të lartë se një kufi i caktuar. Bizneseve të mëdha mund t’u ofrohet kredi me interesa shumë më të lehta tregtare, por për periudha kohore më të arsyeshme. Injektimi i likuiditetit nëpërmjet kredidhënies bën që ekonominë ta rrëmbejë mentaliteti i rritjes dhe zhvillimit dhe jo frika.

Kujdes sistemin bankar

Duhet të bëhet shumë kujdes që mungesa e likuiditetit për ekonominë të mos shërbejë si barrë për sektorin bankar. Fakti që kemi një sektor bankar të mirëkapitalizuar dhe në gjendje të mirë të likuiditetit, nuk duhet të përdoret në mënyrë abuzive. Bankat, për opinionin tim, të mos lejohen të transferojnë fonde për mëmat e tyre për një periudhë kohore të caktuar dhe të mos lejohen të shpërndajnë dividend për rezultatet e vitit ushtrimor 2019 ose për rezervat dhe provigjonet e papërdorura të viteve të kaluara. Rimarrjet nga provigjonet e viteve të kaluara t’i përdorin si burime për të rritur kapacitetin e tyre kredidhënës dhe për të reduktuar interesat e kredidhënies. Banka e Shqipërisë, mund të ndërtojë një bilanc të studiuar midis burimeve me dhe pa kosto që angazhon sistemi bankar dhe mbi këtë raport të kërkojë dhe të drejtojë disa instrumente të politikës monetare me ndikim mbi kredidhënien për biznesin. Nga sistemi bankar, mund të ofrohet kredi pa kolateral dhe pa procedura të zgjatura burokratike në funksion të një vendimmarrjeje të shpejtë dhe operative. Por, për këtë lloj produkti bankar, duhet të përdoret nga njëra anë kredibiliteti i klientit dhe nga ana tjetër këto lloj kredidhëniesh duhet të jenë në shuma rreptësisht të kufizuara.

Gjykoj se në parim mund të përdoret edhe një politikë tjetër në fushën e kredidhënies: Bankat t’i japin kredi kujtdo që kërkon kredi për biznes, pa procedura fare, por duke bërë të qartë faktin që: mbas stabilizimit të situatës, bizneset do t’i nënshtrohen një skanimi serioz dhe kushdo që ka abuzuar do të penalizohet rëndë, deri në konfiskim dhe pezullim të aktivitetit. Është logjika e një klime ndihme dhe solidariteti. Kjo praktikë kredidhënieje mund të aplikohet për të paguar direkt faturat e papaguara të një biznesi, pa e kushtëzuar atë me analizat e riskut. Për këtë lipset opinioni më profesional dhe i studiuar i Bankës së Shqipërisë. Sistemi bankar mund të aplikojë edhe një sistem kredidhënie që ka trajtën e kredisë se paramiratuar (“credit scoring”), që shkon për kapital punues te bizneset, me kufizime jo më shumë se 10 % e xhiros. Praktika bazohet te historiku i pastër bankar i kompanive. Shteti, ose një grup bankar, mund të krijojnë një strukturë që të luajë rolin e një subjekti faktoringu. Të blejnë duke aplikuar kredi afatshkurtra me interesa simbolike, jo tregtare, të drejtat për arkëtim të ndërmarrjeve që shesin, por nuk arkëtojnë dot prej klientëve të tyre dhe të rikthehen këto kredi në çastin që arkëtimi i tyre bëhet i mundshëm. Kjo skemë mund të përdoret edhe për raportet debi-kredi të ndërmarrjeve më shtetin. Edhe ndërmarrjet tregtare apo kompanitë me gjendje të mirë likuiditeti dhe aftësie paguese, mund të emetojnë letra tregtare (“commercial papaers”), me afat maturimi deri në 12 muaj dhe në shuma që miratohen nga Banka e Shqipërisë, por jo më shumë se 700-800 milionë euro për gjithë ekonominë kombëtare. Ndërmarrjet në sektorët që kanë qenë më të goditur prej krizës mund të lehtësohen edhe në ekspozimin e tyre ndaj detyrimeve për pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këtë duhet bërë kujdes i madh që kjo vështirësi të mos transferohet në kompanitë e pagesës së pensioneve.

NË FUSHËN JURIDIKE DHE TË PROCEDURAVE TREGTARE DHE TATIMORE

Situata do krijojë natyrshëm paaftësi paguese, e cila në disa sektorë do të transmetohet logjikisht nga njëra ndërmarrje te tjera dhe nga njëri sektor te tjetri. Zinxhiri i paaftësive paguese, që mund të reduktohet nëpërmjet masave që propozova te rubrika e kredidhënies, juridikisht, është provë për të shpallur falimentimin. Unë mendoj se shteti, qeveria, duhet të kalojë një akt juridik në Kuvend, me të cilin të deklarojë se nuk do të lejojë fillimin e procedurave juridike të falimentimit për ndërmarrjet dhe subjektet që ekspozohen prej pamundësisë të shlyejnë detyrimet, të pamundësisë të shlyejnë kredinë apo të pamundësisë të përmbushin detyrimet ndaj administratës tatimore. Kjo masë të jetë në fuqi për një periudhë kalimtare dhe ky amendim të jetë i vlefshëm vetëm për ndërmarrjet e prekura prej krizës së Covid-19. Po kështu, duhet të anulohen dhe të bëhen të pavlefshme, për një periudhë kohore të caktuar, të arsyeshme dhe të logjikshme, aplikimi i gjobave dhe kamatëvonesave në rastet kur ato, subjektet, nuk kanë mundësinë apo aftësinë të paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar, detyrimin doganor apo detyrime të tjera. Administrata tatimore të inkurajojë pagesat me këste edhe në rrethana të tjera, tej atyre të parashikuara në ligjin aktual për procedurat tatimore në RSH. Mund të lehtësohen procedurat e regjistrimit të ndryshimeve në QKB dhe të modifikimit të strukturave drejtuese, të mbledhjes së bordeve, të asamblesë së ortakëve apo vendimmarrje të tjera të kësaj natyre.

KOHA PËR BIZNESE TË REJA

Këto situata të jashtëzakonshme do të krijojnë dukshëm mungesa në treg apo do të shpalosin kërkesa, të cilat do të shërbejnë për të nxitur iniciativën për të ndërmarrë sipërmarrje të reja dhe për të krijuar biznese të reja. Situatat me nivel të lartë risku krijojnë njëherësh edhe mundësi me shanse të mëdha për të fituar. Atë që disa nuk e bënë dot para 20 apo 30 vitesh, do të kenë mundësi ta bëjnë sot, duke kërkuar nga vetja të krijojnë sipërmarrje në ato fusha, për të cilat kanë bindjen se janë të aftë t’i bëjnë më mirë. Të veprojmë! Mendimi duhet t’i paraprijë veprimit. Të mos presim çfarë do të bëhet, të mos mendojmë dhe vajtojmë gjatë si do të jetë, por të veprojmë për ta transformuar ekonominë në atë se si duhet të jetë. Ja ky është problemi.

Më të kujdesshëm në fushën e financave publike

Nga Sherif BUNDO
Profesor i financave në Universitetin e Tiranës

Opinioni publik ka përjetuar për gati një vit emocionet e një debati të mirëfilltë politik, me intensitet shumë të lartë në muajt e fushatës, një nga epiqendrat e të cilit ka qënë diskutimi me përmbajtje të mirëfilltë financiare, lidhur me preferencën për sistemin tatimor: proporcional apo progresiv. Duke qënë se diskutimet për këtë temë, kanë konsumuar energji të mëdha politike, njerëzore, financiare, dhe në mënyrë të veçantë kohë, gjykoj se tema duhet rimarrë, por për tu trajtuar në mënyrë ezauruese, me argumenta profesionale dhe shkencore, në respekt të një kontributi dhe sugjerimi modest dhe racional për të gjithë ata që tatimet dhe taksat do ti kenë dhe do ti përdorin si instrumenta me të cilat synojnë të transformojnë ekonominë dhe shoqërinë. (Më duhet të nënvizoj që në fillim se në këtë shkrim nuk do të përdor termin “Taksë e sheshtë”, pasi është emërtim profesionalisht dhe shkencërisht i pasaktë, që ka hyrë në fjalorin e gjuhës sonë të përditshme për shkak të përkthimeve apo përdorimit të termave pa përshtatje).

Komentet mbi tatimet dhe taksat gjatë fushatës kanë marrë shpesh herë ngjyrime të karakterit politik. Me apo pa dashje, çdo prononcim do të kishte pak a shumë pamjen e një lloj partizanllëku politik. Sigurisht, argumentat profesionale dhe shkencore nuk janë asnjëherë të profilit militant, por gjykimi gjithësesi do të ishte vështirë të evitonte këndvështrimin politik.

Dy shkolla, dy modele të zhvillimit ekonomik
Diskutimi dhe debati, në kërkim të një strukture tatimore optimale, ka në origjinën e vet preferencat për modelet ekonomike. Për lexuesin e thjeshtë më duhet të nënvizoj se në ekonomi ka shumë rryma ekonomike dhe modele, të cilat janë në fakt derivate të dy shkollave: asaj klasike me përfaqësues Adam Smith dhe asaj neoklasike me përfaqësues John Maynard Keynes. Sipas shkollës klasike, në një ekonomi të “tregut të lirë”, që funksionon shumë mirë, pa pengesa dhe pa ndërhyrje, tregu jep për çdo operator informacionet e nevojshme, ndërsa operatorët dhe njerëzit manifestojnë gjithnjë sjellje racionale (bëjnë atë transaksion, marrin atë vendim, që ju nevojitet dhe në mënyrën që duhet). Në këto kushte një mall apo shërbim që do të mungonte do të stimulohej nga rritja e çmimit që diktohet për shkak të rritjes së kërkesës. Ky mekanizëm shërben për të nxitur dhe prodhuar gjithnjë atë produkt që duhet dhe për të frenuar atë që është “prodhuar me bollëk”. Për Smithin kjo është “dora e padukshme” që e çon shoqërinë dhe ekonominë përpara drejt rritjes dhe progesit. Për këtë arsye, shteti nuk ka nevojë të marrë përsipër rol të fortë dhe të dukshëm rregullator në ekonomi. Motorri ekonomik është liria e individit dhe “dora e padukshme” është mekanizmi që i çon gjërat në vendin e duhur, në kohën e duhur. Shoqëria nuk ka pse të shpenzojë shumë për strukturat administrative dhe shtetërore. Inisiativa e lirë dhe konkurenca do të seleksionojnë natyrshëm veprimtaritë, aktivitetet dhe subjektet që rezultojnë të paafta. Për këtë, shteti aplikon struktura tatimore të lehta dhe të ulëta. Subjektet ekonomike që tatohen pak rriten shpejt, zhvillojnë ekonominë, krijojnë vende të reja pune, por edhe rrezikohen shumë për shkak të konkurencës së ashpër dhe mund të falimentojnë lehtë. Të pasurit bëhen akoma më të pasur, të varfërit akoma më të varfër. Këto dy pole largohen shpejt dhe shumë nga njëri-tjetri, ndërkohë që duhet nënvizuar se edhe konfliktet sociale thellohen përditë dhe më shumë.

Dy shekuj më vonë, Keynes, arriti në përfundimin se edhe në se vërtetë tregu funksionon shumë mirë, në të luajnë njerëz të ndryshëm, me temperamente të ndryshme, me inteligjencë të ndryshme, me aftësi të ndryshme të absorbimit të informacionit, por edhe me shkallë të ndryshme reagimi dhe inisiative, me ndjeshmëri të ndryshme ndaj risqeve dhe me nivel pasuror të ndryshëm. Në ekonomi gjërat nuk mund të rrjedhin si në laboratoret e kimisë, apo në ligjet e fizikës. Për rrjedhojë, me kalimin e kohës, tregu prodhon zhvillime të pakontrolluara. Përvoja ekonomike botërore ka me qindra shembuj që vërtetojnë një fenomen të tillë. (Në vendin tonë të tilla duhen konsideruar si zhvillime të pakontrolluara firmat piramidale, ndërtimet pa lejë apo fenomeni i kioskave). Zhvillimet e pakontrolluara në ekonomi, sakrifikojnë pasuri të mëdha të krijuara nga shoqëria që shkatërrohen dhe që në fakt, me një rol dhe përgjegjësi më të madhe publike të shtetit, mund të parandalohen, mund të frenohen dhe mund të mënjanohen. Për këtë duhen struktura shtetërore më të afta, me rol mbikqyrës dhe rregullator më të fortë dhe më aktive. Për rrjedhojë, shteti duhet të ketë në dorë më shumë energji financiare të cilat do ti sigurojë nëpërmjet tatimit më të lartë mbi të pasurit për të asistuar më shumë financiarisht të varfërit.

Këto dy modele, ndër dekada dhe dekada, janë transformuar dhe përpunuar në mënyra qeverisje dhe në funksion të tyre, teoria e financave dhe e ekonomisë, shkollat, universitetet dhe akademikët, kanë formuluar dhe sugjeruar mekanizmat e realizimit të tyre. Objektivi strategjik që synohet të arrihet në të dy rastet është i njëjtë: të zhvillohet ekonomia, të rritet mirëqenia, të përmirësohet pa ndërprerë standardi i jetesës dhe jetëgjatësia e njeriut.

Për dy modele ka tre struktura tatimore
Në shërbim të dy modeleve të mësipërme ekzistojnë tre struktura tatimore. (Fjala dhe shprehja struktura tatimore përdoret në këtë rast për të shprehur dhe formuluar mënyrën e të tatuarit). Ato janë: struktura tatimore proporcionale, struktura tatimore regresive dhe struktura tatimore progresive.

Struktura tatimore proporcionale (që në Shqipëri abuzivisht quhet “taksë e sheshtë”), ose horizontale, është ajo strukturë tatimore me të cilën, shteti taton me të njëjtën shkallë tatimore (për shembull me 10% për të gjithë), çdo të ardhur, çdo pasuri, apo çdo shpenzim. Strukturat proporcionale i përshtaten modelit të shkollës së parë. Ato janë të thjeshta për tu zbatuar nga administrata, janë të thjeshta për tu kuptuar nga publiku dhe të lehta për tu pranuar nga tatimpaguesit.

Struktura tatimore regresive, për më tepër, është ajo strukturë tatimore sipas të cilës, me rritjen e bazës tatimore ulet shkalla tatimore, masa e të tatuarit. (Pra një pagë 200 euro tatohet 10%, ose 20 euro, ndërsa një pagë mujore 2000 euro, tatohet përshëmbull 8%, por në shumë absolute 160 euro, që është më e madhe se 20 euro). Strukturat tatimore regresive është e përshtatëshme të instalohet në periudhat që nevojitet një ngritje e shpejtë e biznesit dhe e inisiativës së lirë. Është struktura tatimore që teorikisht dhe praktikisht është e ndërtuar posaçërisht për të favorizuar bizneset dhe gjallërimin ekonomik.

Të dy strukturat e para janë të përshtatshme për të mbështetur zhvillimin ekonomik sipas shkollës klasike. Janë pothuaj struktura tatimore që përdoren përgjithësisht nga qeveritë e djathta. Karakteristika kryesore e tyre është se të dyja thellojnë diferencimin dhe polarizimin pronësor dhe pasuror të publikut. Zbatimi për një kohë të gjatë i tyre është me pasoja të mëdha sociale dhe me kosto shumë të lartë.

Struktura tatimore progresive, është ajo strukturë sipas të cilës me rritjen e bazës tatimore (të ardhurave, shpenzimeve apo pasurisë), rritet edhe shkalla tatimore. (Përshëmbull një pagë 200 euro tatohet me 5%, një pagë 2000 euro me 10% dhe një pagë 4000 euro me 20%. Mund të ndërtohet edhe me segmente, ose me intervale).

Strukturat tatimore progressive janë karakteristika të shkollës së dytë, asaj neoklasike. Janë struktura tatimore që përdoren përgjithësisht nga qeveritë e majta. Qëllimi kryesor i strukturës progresive është i trefishtë: 1. Ti tatojë të gjithë, përderisa nga të mirat publike që prodhon dhe ofron shteti përfitojnë të gjithë. 2. Kush fiton më shumë të paguajë dhe të tatohet më shumë. 3. Grumbullon më shumë burime financiare në duart e shtetit, të cilit i kërkon që të bëjë rishpërndarje dhe të zbusë ekstremizmat, të cilat me kalimin e kohës prodhojnë kosto të mëdha për shoqërinë dhe shtetin.

Strukturat tatimore mikse, strukturat e kohërave moderne
Mbas luftës së dytë botërore dhe veçanërisht mbas viteve 80-90 të shekullit të kaluar janë aplikuar ato që quhen strukturat tatimore mikse. Quhen të tilla se kanë elementë nga të dy strukturat tatimore, kanë edhe proporcionalitet, edhe progresivitet. Kështu për shëmbull, kur themi paga nga 200 deri 400 euro tatohet 10%, kjo nënkupton se edhe paga 201 euro, edhe niveli 399 euro tatohen me të njëjtën shkallë tatimore.

Strukturat tatimore mikse janë të përshtëshme për qeveritë e partive të qendrës. Ato janë aplikuar edhe prej qendrës së majtë edhe prej qendrës së djathtë. Strukturat tatimore mikse kanë pamjen e strukturave tatimore të bashkëjetesës, janë larg ekstremeve, dhe alternojnë avantazhet dhe disavantazhet e njërës strukturë me ato të një strukture tjetër.

Struktura tatimore proporcionale, por me nivel të lartë të borxhit publik
Po të abstragojmë nga preferencat e djathta apo të majta, apo po të tentojmë të analizojmë situatën makrofinanciare të këtyre muajve të fundit, në vendin tonë, do të nënvizonim se: qeveria e PD tentoi të aplikojë dhe aplikoi strukturat tatimore proporcionale. Proporcionalitetin e shtriu pothuaj në të gjithë elementët tatimorë. Tatimi mbi të ardhurat personale 10%, tatimi në burim 10%, tatimi mbi të ardhurat e biznesit (tatim fitimi) 10% dhe po kështu edhe shkalla tatimore e TVSH në më të shumtën e kohës qëndroi proporcionale, e pandryshuar 20%, e pa shkallëzuar. Fillimisht kjo i shërbeu një klime më të shëndetshme biznesi. Kjo ndikoi njëherësh në rritjen relative të shkallës së deklarimit dhe zgjeroi bazën e tatushme. Për rrjedhojë rriti edhe të ardhurat tatimore të buxhetit të shtetit, madje ndjeshëm dhe në ritme të larta përgjatë mandatit të parë të qeverisjes. Kjo duhet thënë hapur. Kjo masë u shoqërua me një përmirësim të ndjeshëm dhe të dukshëm të administrimit tatimor dhe të raportit të borxhit ndaj prodhimit të brendshëm bruto.

Nga ana tjetër, qeveria e djathtë, kërkoi, ndryshe nga filozofia e saj, të marrë përsipër dhe të centralizojë shumë sektorë dhe shërbime. Ajo u zgjerua shumë, shumë më shumë se mundësitë e saj, në investimet publike, në rrugë, në shkolla, në rritje pagash, dhe në sektorë të tjerë të ngjashëm. Kjo sjellje ka qënë tipike elektorale dhe për ambicie politike. Në kushtet kur ekonomia ezauroi rritjen ekonomike dhe u prek nga kriza, nevojat e buxhetit u përballuan jo më me burimet e tij, por me rritjen e borxhit. Rolin e vet, si multiplikator të zhvillimit ekonomik të vendit, qeveria tentoi ta luante nëpërmjet zgjerimit të investimeve dhe punëve publike, si reformë tipike e majtë, me rritje të borxhit publik. Rritja e borxhit publik, nuk është gjë tjetër, veçse rritje e tatimeve dhe e taksave, jo për gjeneratën dhe gjeneratat aktuale, por për brezat e ardhshëm. Në esencë, rritja e borxhit publik duhet shlyer kur të vijë koha prej të njëjtit burim: rritjes së tatimeve dhe të taksave. Kjo është rritje e tërthortë tatimesh ose transferim në kohë i vështirësive financiare.

Cilat janë strukturat tatimore më të përshtatshme aktualisht për vendin tonë?
E majta  erdhi në pushtet për dy arsye të forta: të pakënaqësisë së publikut prej reformave të djathta si dhe për shkak të vlerësimit me optimizëm të reformave të premtuara nga të majtët. Të majtët kanë premtuar më shumë punësim dhe rol e përgjegjësi më e madhe të shtetit në fushën e nxitjes së punësimit, më shumë transparencë, sistem arsimor publik më efiçent dhe më cilësor, menaxhim më të mirë të investimeve dhe të sektorit publik, shërbime publike më afër qytetarit, kujdes dhe sensibilitet të lartë ndaj mjedisit, burimeve energjetike, minerale dhe sektorëve strategjikë. Në këto kushte, program i qeverisë së majtë pritet të ketë dy matrica të kushtëzuara: nga njëra anë një listë të gjatë reformash të premtuara, të cilat duhet të programohen për tu realizuar dhe nga ana tjetër një bilanc financiar mbështetës, realist dhe konkret. Mbërrijmë natyrshëm në konkluzionin që struktura tatimore progresive duhet të jetë thelbi i reformave fiskale.

A duhen marrë me frikë strukturat tatimore progresive, apo progresive të miksuara?
Kjo është një pyetje që preokupon shumë, me sa kuptoj dhe lexoj nëntekstin e komunikimit me publikun të politikbërësve të maxhorancës së re. E rëndësishme është të konceptohet drejtë modeli ekonomik që kërkohet dhe gjykohet si më i përshtatshëm në vendin tonë. Që të mos ketë vend për keqkuptime dhe keqinterpretime, duhet nënvizuar se qeverisja e majtë duhet të bëjë publike mirë faktin se në çfarë gjendje është ekonomia dhe financat publike sot, dhe se çfarë kërkohet dhe synohet të arrihet mbas katër vitesh? Cila është përgjegjësia e shtetit sot dhe se çfarë synohet të arrihet për mbas një mandati?  Modeli ekonomik që duhet konsideruar si objektiv në vendin tonë është dhe duhet të jetë modeli ekonomik i bashkësisë europiane: ekonomia sociale e tregut. Pa koncepte të qarta teorike nuk ndërton dot mekanizma efiçentë fiskalë.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit duhet të rriten. Ky është ekuacioni numër një që duhet zgjidhur. Por ky ekuacion ka shumë variabla. Hapi i parë që duhet hedhur, është të mënjanohet padrejtësia që në raport me tatimet, i varfëri dhe i pasuri janë njëlloj, tatohen me të njëjtën shkallë tatimore. Filozofia e strukturës tatimore aktuale proporcionale materializohet me sentencën: me qumështin që i duhet fëmijës së një familje të varfër, do të ushqehet qeni që mban një i pasur.

Strukturat tatimore progresive, së dyti, duhet të konceptohen drejtë. Sigurisht, tatimet dhe taksat nuk janë norma morale por shprehje të vullnetit të shumicës. Kjo do të thotë që progresiviteti të ndërtohet i studiuar. Ai që fiton më shumë duhet domosdoshmërisht që edhe në terma absolute dhe edhe në terma relative, duhet të paguajë më shumë.

Së treti, progresiviteti nuk duhet të prekë vetëm të ardhurat personale. Kjo do të ishte një gabim i rëndë. Në të ardhurat personale, tatimi duhet të jetë i diferencuar sipas nivelit të të ardhurave, por ai duhet të shtrihet edhe në të ardhurat e bizneseve. Në raport me bizneset, maxhoranca nëpërmjet strukturave tatimore ka në dorë, të nxisë prodhimin vendas. Prodhimi vendas është energjia e progresit. Më e drejtë do të ishte edhe teorikisht edhe praktikisht të përdoren shkallë progresive të tatimit mbi dividendin. Por për disa sektorë mund të aplikohen tatime mbi fitimin të diferencuara. Kështu për shembull në sektorët ku shteti dukshëm ka dhënë të drejta konçesionare, ku përdoren burime natyrore, energjetike, minerare, ku normat e fitimit janë të larta, në fushën ku dividendët apo investimet jashtë sektorëve prodhues kanë qënë të larta, mund të përdoren edhe norma tatimore të diferencuara, më shumë se 10%. Kjo kërkon studime të mirëfillta. Për fat, administrate e sotme është më profesionale se ajo e para 10 viteve. Sigurisht jo në të gjitha nivelet dhe jo në të gjithë sektorët.

Mos harroni shembullin grek në fushën e financave publike.
Sigurisht, që gjatë fushatës elektorale e majta ka bërë edhe premtime pa doganë. Gjithnjë, politika dhe politikanët, në kulmin e fushatës dhe të debatit politik, manifestojnë sjellje emocionale dhe aspak racionale. Dikur, ish kryeministri socialist, premtoi se do tju kthejë paratë që ishin humbur në firmat piramidale. Ne ekonomistët e përjetuam asokohe si një deklaratë skandaloze, aspak realiste dhe diskredituese.

Po kështu, në fushatën e fundit, të djathtët premtuan rritje të pagave. Madje, këshilli i Ministrave nuk ngurroi të merrte vendim për këtë rritje. Por, a janë kushtet e financave publike për të rritur pagat e sektorit publik dhe të administrates publike? Nuk ka nevojë për diplomë ekonomie të kuptosh se sjellja më e drejtë e çdo qeverie përgjatë vitit 2013 dhe gjysmës së parë të vitit 2014, do të ishte një sjellje në kushtet e emergjencës, një kujdes maksimal për të frenuar dobësimin e mëtejshëm të financave publike dhe stabilizimin e buxhetit të shtetit. Në të kundërt, do të ndodheshim në kushte të ngjashme me ato të ekonomisë greke. Nuk lipset rritje e pagave, por garanci për këtë nivel pagash që kemi dhe përpjekje për të mos dobësuar fuqinë blerëse të lekut. Nuk është vetëm rritja e pagave, politika që pritet të rrisë konsumin, për të cilën ka nevojë ekonomia shqiptare. Pritshmëria për vitin 2013 është një thellim i defiçitit buxhetor, ose një sjellje tejet frenuese e investimeve publike. Për këtë duhet koshiencë e lartë. Ndryshe, maxhoranca e sotme do të ballafaqohet që në fillim me vështirësi bllokuese. Shpesh herë nuk mjafton vetëm dëshira e mirë.

Sistemi bankar në vrndin tonë ka likujditet të mirë dhe për mjaft kohë është vënë re rritje e ndjeshme apo rritje sistematike e depozitave. Është sjellje tipike e familjeve në kohë krize. Ndërkohë duhet nxitur konsumi që të motivohet zhvillimi ekonomik. Për këtë gjykoj që rruga më e drejtë do të ishin politikat e inkurajimit të investimeve dhe zgjerimit të sipërmarrjeve. Duket, sikur krijohet një konflikt midis nevojës për struktura tatimore progresive dhe nxitjes së investimeve. Në fakt nuk ka konflikt. Të nxiten investimet në sektorët e prodhimit vrndas dhe të tatohen progresivisht fitimet që nuk investohen në sektorët prodhues. Kjo do transferojë kapitalet dhe vëmëndjen nga sektorët e tregtisë, të disa shërbimeve jo të dobishme, të lojrave të fatit, etj drejt ekonomisë reale dhe prodhimit vendas. Nxitet punësimi dhe stimulohet reduktimi i importeve.

Nuk janë kushtet në vendin tonë që të luhet fort, jashtë realitetit, me premtime që dëmtojnë financat publike. Kam përshtypjen se edhe përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat nga pagat për shumat deri në 30 000 lekë në muaj, ishte një vendim emocional, nën efektin e emocioneve të fushatës. Ishte vendim elektoral. Nuk mendoj se pagat e këtij niveli, mund të kontribuojnë shumë në buxhetin e shtetit, por vendime të kësaj natyre dëmtojnë, shumë më shumë se sa kultivojnë, në atë që quhet kultura fiskale e publikut. Nuk prish ndonjë ekulibër të madh pse një person që përfiton 30 000 lekë në muaj të paguajë për shembull vetëm 500 lekë tatim.

Do të hiqet taksa për biznesin e vogël?
Është një fjali e dëgjuar shpesh përgjatë një viti. Detyrimi kryesor tatimor sipas ligjit aktual që detyrohet dhe paguan biznesi i vogël quhet: “taksa vendore mbi biznesin e vogël”. Termi përsëri është i gabuar, se në përmbajtje ajo që paguan biznesi i vogël sot është një tatim i paracaktuar, i paragjykuar. Do të hiqet një taksë, dhe kjo do të zëvëndësohet me një mënyrë tjetër tatimi? Kjo është fare normale. Por që të përjashtohet nga tatimi gjithë biznesi i vogël, kjo do të ishte nga njëra anë një utopi dhe nga ana tjetër një voluntarizëm i mirëfilltë. Do hiqet taksa vendore mbi biznesin e vogël për tu zëvëndësuar me tatimin mbi fitimin nga aktiviteti i biznesit të vogël? Kjo do të ishte gjithashtu normale. Do të ndryshojnë kriteret fiskale të klasifikimit të një biznesi në të vogël dhe të madh? Edhe kjo do të ishte normale të ndodhte. Dhe faktikisht duhet të rishikohet. Do të ndryshojë kufiri i xhiros mbi të cilën aplikohet tatimi mbi vlerën e shtuar? Përsëri edhe kjo do ishte normale. Por nuk është normale dhe nuk ka si të përjashtohen nga tatimi 96% e bizneseve në vendin tonë, të cilat sipas kritereve aktuale plotësojnë kushtet që të quhen dhe të konsiderohen biznese të vogla.

Së fundi, jo më pak e rëndësishme, biznesi i vogël është energjia që ushqen organet e pushtetit të qeverisjes vendore. Ndaj tyre, shteti duhet të ndryshojë sjelljen, edhe financiare. Në raportet financiare me pushtetin vendor duhet kërkuar një zgjidhje funksionale, motivuese, vetëlëvizëse dhe konkuruese.

* * *

Në vend të mbylljes: Në financë nuk mund të bëhen eksperimente
Në se në sektorët e tjerë të ekonomisë, llogjika pranon që edhe mund të eksperimentosh, në fushën e financave publike në asnjë mënyrë nuk mund të bëhen eksperimente. Kërkohen koncepte të qarta, objektiva të qartë dhe instrumenta të qartë. Sigurisht që nuk ka zgjidhje dhe mekanizma të përsosur. E përsosur duhet të jetë përpjekja për të ndërtuar struktura tatimore të drejta, që reflektojnë aftësinë paguese të tatimpaguesve, që janë të besueshme dhe transparente, që janë të përshtatshme, që nxisin zhvillimin dhe rritjen dhe janë efiçente.